Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kripa​—Një produkt i çmuar

Kripa​—Një produkt i çmuar

Kripa​—Një produkt i çmuar

«JU JENI kripa e tokës»,​—u tha Jezui dishepujve të tij. (Mateu 5:13) Për shkak të vetive të saj ruajtëse, fjala «kripë» filloi të ketë kuptimin e diçkaje shumë të vlerësuar e të nderuar si në gjuhët e lashta, ashtu edhe në ato moderne.

Kripa u bë edhe simbol i qëndrueshmërisë. Prandaj, në Bibël, një besëlidhje e qëndrueshme quhej «një besëlidhje kripe» dhe pjesëmarrësit në të hanin shpesh së bashku një ushqim me kripë për ratifikimin e saj. (Numrat 18:19) Sipas Ligjit të Moisiut, kripa duhej t’u shtohej flijimeve që ofroheshin në altar, gjë që tregonte pa dyshim mungesën e korrupsionit ose të prishjes.

Fakte historike interesante

Gjatë gjithë historisë, kripa (kloruri i natriumit) ka qenë një produkt kaq i çmuar, saqë është bërë luftë për të. Një nga shkaqet e shpërthimit të Revolucionit Francez ishte taksa e lartë e vënë për kripën nga mbreti Luigj XVI. Kripa përdorej edhe si një mjet shkëmbimi me vlerë. Tregtarët arabë e shitnin kripën për të marrë ar, për çdo gramë kripë një gramë ar. Ndërsa disa fise në Afrikën Qendrore i përdornin pllakëzat e kripës së gurit si para. Nga pagesa me kripë që bënin grekët për skllevërit, doli shprehja «nuk vlen aq sa kripa e paguar për të».

Gjatë mesjetës u zhvilluan disa besëtytni lidhur me kripën. Derdhja pa dashje e kripës ishte si një shenjë se do të ndodhte diçka e keqe. Për shembull, në pikturën «Darka e fundit» e Leonardo da Vinçit, Juda Iskarioti paraqitet me një mbajtëse kripe të përmbysur para tij. Nga ana tjetër, deri në shekullin e 18-të, vendi se ku uleshe në një tryezë banketi, pra, më sipër ose më poshtë vendndodhjes së kripës në tryezë, tregonte rangun shoqëror që kishe. Një pozicion i nderuar ishte ai afër kreut të tryezës, më sipër vendit ku ndodhej mbajtësja e kripës.

Që në kohët e hershme, njerëzit mësuan ta nxirrnin kripën nga ujërat e kripur natyrorë, nga uji i detit dhe nga toka. Një vepër e lashtë kineze për farmakologjinë flet për më shumë se 40 lloje kripërash dhe përshkruan dy metoda të nxjerrjes së kripës, të cilat janë çuditërisht të ngjashme me ato që përdoren sot. Për shembull, energjia diellore përdoret për të nxjerrë kripën nga uji i detit në kriporen më të madhe diellore në botë, që ndodhet në brigjet e Baia Sebastian Vizkanos, në Baja Kalifornia Sur, Meksikë.

Është interesante përllogaritja e bërë që, po të thaheshin plotësisht të gjithë oqeanet e botës, «do të përftohej të paktën 19 milionë kilometër kub kripë kristalore ose një sasi rreth 14,5 herë më e madhe së madhësia e asaj pjese të kontinentit evropian që mbetet mbi ujë në kulmin e baticës»,​—sipas Encyclopædia Britannica. Për më tepër, Deti i Vdekur është gati nëntë herë më i kripur se oqeani.

Përdorimi i kripës në kohët e sotme

Kripa vazhdon të jetë edhe sot një produkt i çmuar që përdoret për t’i dhënë shije ushqimit, për të ruajtur mishin dhe, përveç përdorimeve të tjera, edhe për të prodhuar sapunin e qelqin. Por një përdorim veçanërisht interesant është ai në fushën e shëndetit publik. Për shembull, në shumë vende të botës, kripa pasurohet me jod për të kompensuar mungesën e jodit të ndonjë zone. Karakteristikë e një zone të tillë është zhvillimi i strumës (një zmadhim i gjendrës tiroide) dhe në disa raste vërehet një zhvillim i vonuar mendor. Veç kësaj, disa vende shtojnë fluorur në kripë për të parandaluar zhvillimin e karies te dhëmbët.

Vërtet që kripa është thelbësore për një shëndet të mirë pasi rregullon vëllimin dhe presionin e gjakut, por ç’të themi për polemikën e krijuar ngaqë konsumimin e kripës e lidhin me presionin e lartë të gjakut? Zakonisht mjekët e kufizojnë marrjen e kripës e të natriumit për të sëmurët me tension të lartë. Rreth 30%-50% e njerëzve me presion të lartë të gjakut janë të ndjeshëm ndaj kripës. Në këtë rast, kur është marrë më pak kripë, presioni i gjakut ka qenë më i ulët.

Sigurisht, kripa e bën më të pëlqyeshëm ushqimin, gjë për të cilën e kishte fjalën Jobi kur bëri pyetjen: «A hahet vallë një ushqim i amësht pa kripë?». (Jobi 6:6) Mund t’i jemi vërtet mirënjohës Krijuesit tonë «që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë» duke përfshirë edhe kripën, këtë produkt të çmuar.​—1 Timoteut 6:17

[Figura në faqen 15]

Disa nga llojet e shumta të kripës (duke filluar nga lart sipas lëvizjes së akrepave të orës): (1) Kripë deti alaea, Havai; (2) fleur de sel, Francë; (3) kripë deti organike e papërpunuar; (4) sel gri (kripë e hirtë), Francë; (5) kripë deti e ashpër; (6) kripë e zezë toke, Indi