Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tuneli rrugor më i gjatë në botë

Tuneli rrugor më i gjatë në botë

Tuneli rrugor më i gjatë në botë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË NORVEGJI

NËSE dëshironi të shihni male dhe fjorde mbresëlënëse, ejani në pjesën perëndimore të Norvegjisë! Do të mahniteni! Veç kësaj, rrugët e ngushta dredha-dredha dhe tunelet e shumtë janë dëshmi e mjeshtërisë së njeriut. Kohët e fundit përfundoi së ndërtuari një tunel i ri​—një vepër inxhinierike që ia kalon çdo vepre tjetër të këtij lloji. Është fjala për Tunelin Lardal, tunelin më të gjatë rrugor në botë, një autostradë 24,5 kilometra e gjatë, e ndërtuar nga hapja tejpërtej e një shkëmbi të fortë. Përfytyroni të udhëtoni me makinë drejt hyrjes së këtij tuneli duke imagjinuar se vetëm pas disa minuta udhëtimi do të keni mbi kokë një mal më shumë se 1000 metra të lartë!

Pse nevojitej një tunel kaq i gjatë? Ai është një pjesë e rëndësishme e lidhjes kryesore ndërmjet dy qyteteve më të mëdha të Norvegjisë, Oslos (kryeqyteti, në lindje) dhe Bergenit (në bregun perëndimor). Gjatë dimrit, në rrugët e tjera malore që gjenden ndërmjet këtyre dy qyteteve, është e vështirë të udhëtohet për shkak të dëborës dhe të erës. Prandaj, ishte shumë e nevojshme një rrugë e re që do të ishte e sigurt edhe gjatë motit të keq. Në vitin 1992, parlamenti norvegjez vendosi që autostrada e re të përfshinte një tunel ndërmjet komunave të vogla të Aurlandit dhe të Lardalit. Pas pesë viteve punë ndërtimi, tuneli u përurua në nëntor të vitit 2000. Si u arrit kjo vepër inxhinierike? Sa i sigurt është tuneli? Ç’përshtypje të lë udhëtimi nëpër të? Le t’i hedhim një vështrim.

Problemet që lindën gjatë ndërtimit

Tuneli lidh Lardalin dhe Aurlandin, por në të vërtetë punëtorët i filluan punimet njëkohësisht në tri vende. Secili skaj kishte nga një skuadër dhe një skuadër e tretë u përdor për të ndërtuar një tunel ajrosës 2 kilometra të gjatë. Ky tunel duhej të bashkohej me tunelin kryesor 6,5 kilometra larg nga hyrja e Lardalit. Si do ta bashkërendonin shpimin të tria skuadrat, që të ishin të sigurt se do të takoheshin në të njëjtën pikë brenda malit? Për të përcaktuar saktësisht pikën se ku duhej të fillonte çdo skuadër, u përdorën sistemet satelitore të përcaktimit të vendndodhjes dhe drejtimi i shpimit u kontrollua me rreze lazer. Këto rreze lazer kontrollonin lëvizjet e makinerive shpuese, për t’u siguruar se vrimat e hapura për vënien e eksplozivit ishin në vendin e duhur.

Për çdo shpërthim hapeshin 100 vrima ku secila vrimë ishte 5,2 metra e thellë. Këto vrima mbusheshin me rreth 500 kilogramë eksploziv. Për pasojë formohej rreth 500 metër kub shkëmb i thërrmuar. Më pas këto mbeturina largoheshin me anë të kamionëve. Para se të fillonte përsëri shpimi duheshin përforcuar muret dhe tavani i tunelit. Përdoreshin bulona të gjata çeliku dhe faqet e mureve visheshin me një shtresë betoni të forcuar me shufra hekuri, të njohur si betonarme. Secila skuadër përparonte çdo javë rreth 60-70 metra. Në shtator të vitit 1999 ndodhi çarja e fundit kur të dyja skuadrat që po punonin në tunelin kryesor u takuan me një shmangie rreth 50 centimetra. Sipas programit, katërmbëdhjetë muaj më vonë tuneli u përurua. Në këtë pikë shpenzimet kishin arritur 120 milionë dollarë.

Si u arrit sistemi i ajrosjes?

Të sigurosh ajër me cilësi të mirë paraqet gjithmonë një sfidë për inxhinierët e tuneleve. Pasi duhen afërsisht 20 minuta për të përshkuar me makinë tunelin Lardal, është veçanërisht e rëndësishme që ajri të pastrohet mjaftueshëm për të marrë frymë. Si u arrit kjo gjë?

Tuneli i ajrosjes 2 kilometra i gjatë, i cili është 6,5 kilometra larg nga hyrja e Lardalit, shtrihet drejt një lugine që ndodhet aty afër dhe shërben si oxhak, ose kanal shkarkimi. Ajri i freskët futet në tunel nga të dyja anët e tij dhe ajri i ndotur del nëpërmjet tunelit të ajrosjes. Dy aspiratorë të fuqishëm janë instaluar në këtë tunel, me një kapacitet maksimal prej 1,7 milionë metër kub në orë. Këta mund të përdoren për të rritur shpejtësinë e thithjes së ajrit kur është shumë i ndotur. Ky sistem siguron ajër të freskët në sasi të mjaftueshme në atë anë të tunelit që gjendet në Lardal. Mirëpo duhej bërë diçka më tepër për anën që gjendej në Aurland i cili është më i gjatë. Prandaj, për të bërë të mundur që ajri të dilte nga tuneli për te tuneli i ajrosjes, në tavan u instaluan 32 aspiratorë më të vegjël. Por, ndërsa përshkon largësinë e madhe nga ana Lardal deri në grykën e tunelit të ajrosjes, ajri bëhet gjithnjë e më shumë i ndotur. Si mund të zgjidhej ky problem?

Zgjidhja ishte që 9,5 kilometra nga hyrja Aurland, të ndërtohej një pajisje për pastrimin e ajrit në një tunel paralel 100 metra të gjatë. Në të dyja anët ky tunel është i lidhur me tunelin kryesor. Ajri që është në tunelin kryesor devijohet që të kalojë në këtë tunel paralel, ku nxirret deri 90 për qind e pluhurit dhe e dioksidit të azotit.

Me këtë sistem ajrosjeje dhe proces pastrimi Tuneli Lardal mund të mbajë pa problem deri në 400 makina në orë. Sinjalizuesit brenda tunelit kontrollojnë cilësinë e ajrit dhe mbajnë nën kontroll funksionimin e sistemit të ajrosjes. Nëse niveli i ndotjes bëhet tepër i lartë tuneli mbyllet, por deri tani kjo nuk ka qenë e nevojshme të bëhet.

Sa i sigurt është?

Disa njerëz kanë frikë të udhëtojnë në tunel. Kjo frikë bashkë me aksidentet e fundit të rënda dhe zjarret që kanë rënë në disa tunele evropiane i ka dhënë përparësi të madhe çështjes së sigurisë në Tunelin Lardal. Çfarë është bërë për ta bërë të sigurt tunelin?

Një qendër drejtuese në Lardal kontrollon vazhdimisht sistemet e ndryshme të sigurisë në tunel. Nëse siguria vihet në rrezik, tuneli do të mbyllet. Janë marrë shumë masa për të mundësuar mbylljen dhe boshatisjen e shpejtë të tunelit. Gjithashtu, çdo 250 metra janë instaluar telefona për raste urgjence dhe çdo 125 metra janë vendosur nga dy fikësa zjarri. Qendra drejtuese dikton vetvetiu vendodhjen e çdo fikësi që hiqet nga vendi. Nëse një prej tyre hiqet, dritat e kuqe të semaforëve i paralajmërojnë shoferët të mos hyjnë në tunel dhe tabelat e dritat brenda tunelit i udhëzojnë shoferët të dalin jashtë tunelit në drejtimin e duhur, larg rrezikut. Shoferët kanë mundësi të kthejnë automjetet pasi çdo 500 metra ka hapësirë për të marrë kthesën dhe janë 15 vende që lejojnë automjetet më të mëdha për të marrë kthesën. Tuneli është i pajisur edhe me një sistem ndërlidhjeje me antenë që mundëson njoftimin e shoferëve me anë të radios së makinës Sistemet e numërimit dhe të fotografimit vëzhgojnë të gjithë trafikun brenda dhe jashtë tunelit. Autoritetet e qarkullimit rrugor mendojnë se kjo është një arritje e shkëlqyer e sigurisë duke pasur parasysh trafikun jo të rënduar.

Ç’të veçantë ka udhëtimi në këtë tunel?

Ç’përshtypje të lë të udhëtosh me makinë në tunel? Një synim i rëndësishëm i inxhinierëve ka qenë ta bëjnë udhëtimin në tunel një përvojë të këndshme, me qëllim që shoferët të ndihen të sigurt e t’i japin makinës me siguri. Për të arritur këtë pjesa e brendshme e tunelit, mes të tjerave, u projektua me ndihmën e psikologëve të trafikut në një institut kërkimor, projektuesve profesionalë të dritës, si edhe një pajisjeje që simulon udhëtimin.

Rezultati? E pra, tuneli nuk është i gjithi i drejtë. Kthesat e lehta i ndihmojnë shoferët të mos përgjumen, edhe pse mund të shohin 1.000 metra përpara. Kthesat, gjithashtu, e bëjnë më të lehtë për të përcaktuar sa larg janë makinat përballë. Tri hapësira të mëdha ngjashëm shpellave shërbejnë për të thyer monotoninë e udhëtimit. Kjo krijon një përshtypje sikur po udhëton në katër tunele më të shkurtër, në vend të një tuneli të gjatë. Ndriçimi i veçantë i këtyre hapësirave, me drita të verdha e jeshile në dysheme dhe drita blu sipër të jep përshtypjen e hyrjes së dritës së diellit dhe ardhjes së agimit. Këto efekte bashkë me një ndriçim të mirë gjatë gjithë tunelit, bëjnë që shumë shoferë të ndihen rehat dhe të sigurt.

Tani udhëtarët mund të shijojnë përvojën e veçantë kur kalojnë në tunelin rrugor më të gjatë në botë. Kjo vepër e inxhinierisë moderne ka sjellë një lidhje të sigurt mes lindjes dhe perëndimit të Norvegjisë. Është një dëshmi e fuqishme e asaj që mund të bëjë njeriu kur i përdor aftësinë dhe mençurinë në mënyrë të dobishme.

[Diagrami dhe figura në faqen 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Itinerari i tunelit

Lardali ← → Aurlandi

[Diagrami dhe harta në faqen 27]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Tuneli Lardal

Autostradat

↑ Drejt Lardalit

→ E16 drejt Oslos

* Aspiratorë në këto pozicione

Drejtimi i rrymës së ajrit

hapësirë në mal

Stacion ajrosjeje → tuneli i ajrosjes

*

hapësirë në mal

*

pajisje për pastrimin e ajrit

*

hapësirë në mal

*

*

Drejtimi i rrymës së ajrit

Aurlandi

↓ E16 drejt Bergenit

1 milje

1 kilometër

[Burimi]

Statens vegvesen, Sogn og Fjordane

[Harta në faqen 24]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

NORVEGJIA

Tuneli Lardal

Bergeni E16 OSLO

[Figura në faqen 25]

Hyrja Lardal

[Figura në faqen 25]

Skica e pajisjes për pastrimin e ajrit

[Figura në faqen 25]

Prerje tërthore e tunelit, që tregon bulona çeliku, që sigurojnë muret dhe tavanin

[Figura në faqen 26]

Tuneli ka rreth 100 telefona për raste urgjence dhe afërsisht 400 fikësa zjarri

[Figura në faqen 26]

Ka tre hapësira të mëdha me efekte të veçanta ndriçimi

[Burimet e figurave në faqen 24]

Pamja nga lart: Foto: Leiv Bergum; pajisje për pastrimin e ajrit: ViaNova A/S; të gjitha fotografitë e tjera në faqet 24-26: Statens vegvesen, Sogn og Fjordane