Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Pemët pakësojnë ndotjen në qytete

The Sunday Times e Londrës raporton: «Për herë të parë specialistët kanë qenë në gjendje të matin se si lloje të ndryshme pemësh mund të pakësojnë ndotjen.» Gjatë një studimi trevjeçar në zonat e quajtura West Midland, shkencëtarët nga Anglia dhe Skocia bënë matje në disa mostra tokash që i kishin marrë pranë rreth 32.000 pemëve për të parë se cilat lloje i thithnin më shumë grimcat e dëmshme. Gjithashtu studiuesit bënë matje të grimcave në atmosferë dhe në shtresën e ozonit. Në krye të listës qëndronin frashëri, larshi dhe hartina. Më pak të efektshme ishin lisi, shelgu dhe plepi. Studimi tregoi se «pemët mund të jenë tri herë më të efektshme sesa lëndinat, për sa i përket pastrimit të atmosferës nga ndotja». Në të vërtetë, një llogaritje kompjuteri tregoi se sikur vetëm gjysma e tokës së papyllëzuar në West Midlands të mbillej me pemë, ndotja e ajrit nga grimcat do të pakësohej me rreth 20 për qind.

Zbulimi i llojeve të reja

Primatologu Mark van Rosmalen papritur ka zbuluar dy lloje të reja majmunësh në pyjet e shiut të Amazonës, të cilat i shtohen tetë llojeve që janë zbuluar në këtë rajon që nga viti 1990. Kur u intervistua nga National Geographic Today, Van Rosmaleni tha: «Nuk e kisha kuptuar sa pak njihej Amazona, deri kur fillova të zbuloja gjithë këto kafshë të reja.» Sipas Van Rosmalenit, i cili ka meritën e zbulimit të pesë primatëve të rinj që nga viti 1996, kërkimi për llojet e pazbuluara «nuk ka lidhje me përvojën». Shumë lloje janë gjetur thjesht duke vizituar fshatrat e thella indiane dhe duke vëzhguar majmunët që mbanin ata në shtëpi. Duke komentuar për këto zbulime të fundit për Folha de S. Paulo e Brazilit, zoologu Antoni Railends vërejti: «Me shkatërrimin e habitateve të Amazonës, ka shumë të ngjarë që lloje të tjera të zhduken, madje përpara se të zbulohen.»

Ashpërsohet intoleranca fetare në Gjeorgji

Një artikull në The New York Times pohon: «Dëshmitarët e Jehovait sot po organizonin në një fushë, pranë grykës së një lumi, një mbledhje verore. Por natën më përpara atje shkoi një turmë. Njëzet e katër njerëz që mbanin kryqe të Kishës Ortodokse të Gjeorgjisë erdhën me autobusë dhe plaçkitën shtëpinë e mikpritësit Ushangi Banturit. Ata i grumbulluan në oborr Biblat, broshurat fetare dhe zotërimet e z. Banturi dhe i dogjën . . . E mbushën vaskën e pagëzimit me naftë. Erdhi edhe policia bashkë me shefin e policisë . . . Asnjeri nuk u arrestua. . . . Sulmet ndodhën sikur të ishin të planifikuara që më përpara.» Edhe pse ka pasur tensione fetare «në shumë nga ish-republikat e Bashkimit Sovjetik, përfshirë edhe Rusinë,​—thotë Times,​—Gjeorgjia është unike për sa i përket intensitetit të dhunës kundrejt minoriteteve fetare dhe faktit që ekzistojnë prova të bashkëpunimit të shtetit në këto sulme. Në Kushtetutën e themeluar pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik Gjeorgjia garantonte lirinë fetare. Por, me rritjen e dhunës, ka pasur shumë sulme të turmave, zjarrvënie dhe rrahje».

Të rinjtë mblidhen në «kishën argëtuese»

Poshtë titullit «Të rinjtë i thonë po ‘kishës argëtuese’ » gazeta gjermane Nassauische Neue Presse raportonte për festën e parë të Ditës së Rinisë Kishtare, të organizuar nga kisha protestante në Hese dhe Nasau. Në festë, e cila zgjati pesë ditë, kishte rreth 4.400 pjesëmarrës. Programi përfshinte mbledhje edukuese, diskutime në grup, shërbesa fetare të bëra natën nën dritën e qirinjve dhe ku këndoheshin këngë, shumë aktivitete sportive, mbrëmje argëtimi dhe koncerte. Gazeta vërejti: «Midis më shumë se 220 aktiviteteve mungonin plotësisht studimet e zakonshme të Biblës dhe shërbimet tradicionale kishtare.» Një i ri, i cili ishte pastor, u çudit shumë «kur disa të rinj kërkuan pikërisht që të bënin studime biblike, të cilat shihen si të mërzitshme». Një adoleshent tha: «Në fakt, programi ka pak lidhje me kishën, por atmosfera është e këndshme.»

Feja dhe lufta

«Sot, në emër të fesë . . . janë zhvilluar konfliktet më të rrezikshme dhe më të përgjakshme»,​—pohon gazeta USA Today. Ato janë edhe shumë të vështira për t’u zgjidhur. Gazeta shton: «Mjetet e zakonshme diplomatike, për shembull, gatishmëria për të bërë kompromis dhe për të falur padrejtësitë e vjetra, mund të jenë më të vështira të ndiqen kur palët luftuese pretendojnë se Perëndia është në anën e tyre. Kjo është e vërtetë madje edhe kur feja është më shumë një mjet për të mobilizuar njerëzit, sesa shkaku i konfliktit. Ky shkak mund të përqendrohet në luftime për territor ose pushtet, të cilët kanë më pak ngjyrim fetar.» Gjithashtu, dallimet fetare e bëjnë të vështirë të vendoset një armëpushim i përkohshëm. Një shembull i kësaj është lufta e kohëve të fundit në Kosovë. Gjatë Pashkës u mendua të bëhej një armëpushim, por nuk u arrit, sepse datat e Pashkës për katolikët dhe ortodoksët ishin të ndryshme. «Si përfundim, nuk u bë asnjë armëpushim»,​—thotë USA Today.

Epidemia e HIV-it ose SIDA-s del «jashtë kontrollit»

«Në mbarë botën, 40 milionë njerëz janë të infektuar me HIV, 20 milionë kanë vdekur nga SIDA dhe çdo vit 750.000 foshnja lindin të infektuara me HIV»,​—raporton revista mjekësore britanike The Lancet. Vetëm në vitin 2001, kishte pesë milionë të infektuar të tjerë dhe tre milionë vdekje për shkak të SIDA-s. Sipas Pitër Pjotit, drejtorit të përgjithshëm të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për HIV-in ose SIDA-n, epidemia «është jashtë kontrollit», edhe pse është ende «në fazat e para». Ai llogarit se në 20 vitet e ardhshme do të vdesin afro 70 milionë njerëz nga SIDA. Në disa qytete të zonës së Afrikës që ndodhet poshtë Saharasë, 30 deri 50 për qind e popullsisë është e infektuar me HIV. Meqë vdesin kaq shumë të rinj nga SIDA, ekziston shqetësimi se deri në vitin 2020, do të humbasë më shumë se 25 për qind e krahut të punës. The Lancet thotë: «Pasojat që ka te fëmijët shkaktojnë ndërlikime të rënda për ripërtëritjen e ekonomisë në të ardhmen.» Në Zimbabve, «një në pesë fëmijë, kur arrin moshën e adoleshencës, ka mundësi të humbasë të paktën një nga prindërit».

Dobitë e ushqimit me gji

Në revistën Time, neurokirurgu dr. Sanxhej Gupta shkruan se «nuk ka ushqim më të mirë për të sapolindurit», sesa qumështi i gjirit. «Foshnjat e ushqyera me gji kanë numër më të ulët të shtrimit në spital, të infeksioneve në vesh, të diarresë, të shpërthimeve të puçrrave, të alergjive dhe të problemeve të tjera mjekësore, sesa foshnjat e ushqyera me biberon.» Thuhet edhe se ushqimi me gji i mbron nga sëmundjet e organeve të frymëmarrjes. Një studim danez arriti në përfundimin se «ata të rritur, që në foshnjëri ishin ushqyer me gji për shtatë deri në nëntë muaj, kishin tregues inteligjence më të lartë sesa ata që ishin ushqyer me gji për dy ose më pak javë». Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që foshnja të mëndet për gjashtë muaj dhe, nëse është e mundur, për një vit ose më shumë. «Në të vërtetë, nuk janë vetëm foshnjat ato që përfitojnë nga ushqimi me gji»,​—thotë U.S.News & World Report. Një studim që u bë me 150.000 gra në 30 vende zbuloi se «çdo vit që një grua mënd, rreziku që të ketë kancer gjiri gjatë jetës së saj ulet me 4,3 për qind». Megjithatë, «vetëm gjysma e nënave amerikane mëndin dhe këtë e bëjnë mesatarisht dy deri në tre muaj».

Marrëdhëniet familjare mund të parandalojnë abuzimin me drogën

Një studim i bërë me adoleshentë në Britani, Gjermani, Irlandë, Itali dhe Holandë «tregon se cilësia e jetës familjare, ose më mirë mungesa e saj, është për shumë të rinj thelbi i problemit të drogës në shoqërinë perëndimore»,​—tha studiuesi dr. Pol Mekardëlli i Universitetit të Njukasëllit, Angli. Siç raportohet në The Daily Telegraph e Londrës, kur të rinjtë jetonin me të dy prindërit dhe gëzonin marrëdhënie shumë të mira familjare, veçanërisht me mamatë e tyre, vetëm 16,6 për qind zhvillonin vesin e drogës. Por 42,3 për qind e tyre përdornin drogë kur mungonin këta faktorë. Mekardëlli tha: «Ne ua sqarojmë në televizor fëmijëve rreziqet e abuzimit me drogën dhe bëjmë programe për ta parandaluar drogën nëpër shkolla, por, me sa duket, asnjeri nuk po merret me të vërtetë me çështjen e përgjegjësisë së prindërve. Besoj se parandalimi i efektshëm i përdorimit të drogës varet më shumë nga marrëdhëniet familjare, sesa nga çdo faktor tjetër.»