Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kujdes kur të rregulloni makinën!

Kujdes kur të rregulloni makinën!

Kujdes kur të rregulloni makinën!

Kevini ia kishte ndryshuar vetë edhe herë të tjera vajin makinës. Ai dinte si ta hiqte tapën e shkarkimit në sotokarter, të zbrazte karterin, ta vinte prapë tapën dhe ta shtrëngonte. Por një herë, kur Kevini po shtrëngonte fort me çelës një bulon, çelësi doli nga koka e bulonit. Dora iu përplas me një copë metali të mprehtë dhe pëllëmba iu ça keq. Për ta mbyllur plagën u deshën disa qepje.

ASHTU si Kevini, shumë njerëz zakonisht e rregullojnë vetë makinën. Disa e bëjnë këtë për të kursyer paratë. Por, po të marrësh njohuritë bazë për mirëmbajtjen dhe rregullimin e makinës, mund të kesh edhe dobi të tjera. «Një herë, kur po bëja një udhëtim të gjatë, makina pati defekt,​—thotë një grua me emrin Keti.​—Meqë kisha mësuar se si ta rregulloja makinën, munda ta ndreq vetë defektin dhe të vazhdoja rrugën.»

Mbase edhe ju do të dëshironit të dinit si ta mirëmbanit e ta rregullonit vetë makinën. Por, si ta bëni këtë gjë pa u dëmtuar?

Më parë, mendoni!

Në radhë të parë duhet të keni kujdes që të mos dëmtoheni. * Siç e tregoi edhe rasti i Kevinit, është e lehtë të vritesh kur punon në një vend të ngushtë ose kur ushtron forcë me një vegël. Si mund të mbroheni? Kur shtrëngoni ndonjë bulon, sigurohuni që çelësi ta mbërthejë mirë kokën e bulonit. Pyetni veten: ‘Po sikur çelësi të më rrëshqasë nga koka e bulonit, ku do të më përplaset dora?’ Në këtë rast mund të mbroheni disi po të vishni doreza ose po ta fashoni dorën. Nëse është e mundur, për ta pasur më të lehtë që të kontrolloni forcën kur shtrëngoni diçka, veglën tërhiqeni drejt vetes në vend që ta shtyni. Po kështu, kur doni të lironi një bulon të shtrënguar fort, përpiquni ta lëvizni duke i bërë vetëm një çerek rrotullimi çdo herë. Këto parime për të qenë të kujdesshëm e për t’i pasur gjërat nën kontroll janë gjithnjë me vend. Kurrë mos i shpërfillni vetëm për hir të shpejtësisë!

Shpesh aksidentet gjatë riparimit ndodhin kur dikush përpiqet të përdorë një vegël që nuk është bërë për atë punë. Për shembull, Tomi po mundohej të ndryshonte kandelat e makinës, por e kishte shumë të vështirë. Pse? Sepse çelësi tubor ishte tepër i shkurtër dhe meqë nuk e kapte siç duhet kandelën e parë, gjithmonë rrëshqiste. Si përfundim, Tomi vuri një zgjatim ndërmjet çelësit kriket dhe kokës së çelësit tubor. Pas kësaj, për aq kohë sa iu desh të ndryshonte vetëm kandelën e parë, ai ndryshoi pesë kandelat e tjera, madje, pa gërvishtjen më të vogël. Ç’mësojmë nga kjo? Që është e domosdoshme të përdorim veglat e duhura.

Kur punoni poshtë makinës ose kur kontrolloni poshtë kruskotës, në sy mund t’ju futen papastërti. Si ta parandaloni këtë gjë? «Vini ndonjë mbrojtje te sytë, si për shembull syze mbrojtëse»,​—thotë Shoni që ka më shumë se dhjetë vjet që punon si mekanik. Ai shton: «Në ofiçinën ku punoj, këto mjete mbrojtëse janë të detyrueshme.» Duhet t’i mbroni sytë edhe kur punoni afër lëngjeve të rrezikshme, si për shembull acidit të baterisë.

Kur punoni poshtë makinës, përdorni gjithnjë një krik të posaçëm, një mjet ngritës profesional ose një gropë riparimi të sigurt. Kurrë mos u futni poshtë një automjeti që mbahet vetëm nga një krik. Te disa makina, manuali për përdoruesin tregon se ku duhet të vihen krikët dhe mbështetëset që ta mbajnë siç duhet makinën. Sidoqoftë, kini kujdes, pasi një forcë e ushtruar në mënyrë të menjëhershme, si në rastin kur zhvidhoset një bulon i shtrënguar fort, mund të bëjë që makina të lëvizë dhe të shkasë nga mbështetëset.

Parandaloni të papriturat e rrezikshme

Disa pjesë të makinës mund të nxehen shumë dhe të djegin po t’i prekësh. Për shembull, uji në radiator mbetet i nxehtë edhe pasi ka kaluar njëfarë kohe nga fikja e motorit. Prandaj mos e hapni kapakun e radiatorit, por pritni derisa të ftohet aq sa mund ta prekni me dorë. Në disa makina, ventilatori i radiatorit punon me energji elektrike dhe ndizet automatikisht, madje edhe pasi është fikur motori. Që të mos dëmtoheni, para se të filloni punën, shkëputni përcjellësin e tokëzimit nga bateria.

Kur rregulloni makinën, hiqini të gjitha unazat dhe bizhuteritë, sidomos kur motori është në punë. Bizhuteritë metalike, jo vetëm që ngecin në pjesët e dala, por mund të krijojnë qark të shkurtër dhe të nxehen tej mase. Mëngët e gjera, si edhe kravatat, shallet e madje flokët e gjata mund t’ua kapin pjesët e lëvizshme.

Edhe kur mendoni se keni mbaruar punë, mbetet ende një rregull i fundit. «Gjithnjë kontrolloje punën për së dyti»,​—thotë Dirku, një ndërmjetës që mban lidhjet me klientët në një ofiçinë ku ka shumë punë. «Një herë,​—thotë ai,​—një mekanik harroi ta bënte këtë pasi kishte rregulluar frenat. Frenat nuk funksionuan dhe makina u përplas me tryezën time të punës.»

Manovroni në raste urgjence

Një ditë Tomi vuri re se makina e tij po nxehej më tepër se normalisht. Një tub gome kishte plasur dhe uji i radiatorit ishte derdhur. Duke përdorur një rrotull me shirit ngjitës që e mbante në makinë, Tomi mundi ta ndreqte përkohësisht problemin. Ai e ngjiti tubin e gomës me shirit ngjitës dhe hodhi në radiator një përzierje me ujë dhe lëng kundërngrirës. Pastaj, shkoi me makinë deri në një dyqan ku shiteshin pjesë këmbimi për makina dhe bleu një tub të ri. Rasti i Tomit ilustron më së miri se është e nevojshme të jeni të përgatitur e të mbani mjete riparimi në makinën tuaj.

Kur i jepni makinës, jini të vëmendshëm ndaj çdo zhurme ose ere të çuditshme. Ivona ndjeu se nga motori i makinës vinte një erë e çuditshme. I shoqi hapi kapakun e motorit dhe pa se nga një vrimë fare e vockël në pjesën e sipërme të tubit të radiatorit rridhte një curril me lëng kundërngrirës. Meqë problemi u kap para se makina të nxehej shumë, Ivona dhe i shoqi mundën ta ngitnin makinën deri në një ofiçinë.

Çfarë duhet të bëni nëse makina pëson difekt kur jeni në autostradë? Së pari, përpiquni ta çoni makinën sa më anash rrugës, larg trafikut. Pasagjerët, sidomos fëmijët, duhet të rrinë brenda në makinë dhe të vënë rripat e sigurimit. Nëse jeni të detyruar të rrini jashtë makinës, qëndroni sa më larg të jetë e mundur nga trafiku. Ndizni dritat për sinjalizimin e avarisë. Lëreni hapur kapakun e makinës si shenjë që keni një avari. Me kujdes vini në rrugë ndonjë sinjal me dritë ose shenja sinjalizuese.

Në rast se bateria e makinës ka mbaruar, ndoshta doni ta ndizni makinën duke e lidhur me baterinë e ndonjë automjeti tjetër. Por bëni kujdes, pasi bateritë e makinave prodhojnë një gaz që merr flakë fare lehtë. Një shkëndijë mund ta ndezë gazin e të shkaktojë një shpërthim, si pasojë e të cilit mund të bëni një dush me acid gërryes. Prandaj, nëse ju ose personi që po ju ndihmon nuk jeni të sigurt se si ta ndizni makinën me këtë mënyrë, pritni që t’ju ndihmojë dikush tjetër.

Siç e pamë, mirëmbajtja e makinës është një punë që duhet marrë seriozisht. Qoftë kur e rregulloni makinën që ka pësuar ndonjë defekt në rrugë, qoftë kur bëni riparimet e zakonshme për ta mirëmbajtur, mos harroni kurrë: është e domosdoshme të tregoni kujdes!

[Shënimi]

^ par. 6 Nëse po e bëni një punë për herë të parë, përpiquni të gjeni një manual për rregullimin e makinën suaj ose kërkojini ndihmë një shoku që ka përvojë. Në qoftë se makina ka pajisje të kompjuterizuara ose pajisje të teknologjisë së lartë, ndoshta është më mirë që ta çoni te një mekanik i cili ka veglat e duhura dhe përvojë në rregullimin e automjeteve.

[Diçitura në faqen 21]

Shpesh aksidentet ndodhin kur dikush përpiqet të përdorë një vegël që nuk është bërë për atë punë

[Kutia dhe figurat në faqen 19]

Pajisje për t’i mbajtur në makinë

Gomë rezervë dhe krik

Përcjellës ushqimi

Drita sinjalizimi ose reflektorë

Vegla dhe syze

Elektrik dore

Shishe rezervë me lëngje (vaj, ujë, kundërngrirës, lëng për frenat)

Shirit ngjitës

Siguresa të shkrishme rezervë

Kavo rimorkimi (Shënim: Në disa vende, sipas ligjit, makinën mund ta rimorkiojë vetëm një makinë e ndihmës teknike, e licensuar për këtë punë)

Arkë për t’i mbajtur në rregull veglat dhe për t’i vënë drejt enët me lëngje

Mbase doni të mbani edhe pajisje të tjera riparimi. Megjithatë, disa shoqëri, të cilat sigurojnë shërbime në rast defekti gjatë rrugës nuk janë të gatshme ta rregullojnë makinën nëse i zoti i makinës tashmë i ka bërë vetë disa riparime. Në këtë rast, interesohuni se cilat lloj riparimesh lejohet t’i kryeni ju.