Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të dalloni çrregullimet e rënda të gjumit

Si të dalloni çrregullimet e rënda të gjumit

Si të dalloni çrregullimet e rënda të gjumit

NDONJËHERË shenjat që shfaq dikush mund të tregojnë një çrregullim të rëndë të gjumit. Pagjumësia kronike, që zgjat më shumë se një muaj, shpesh lidhet me probleme shëndetësore më të rënda, përfshirë edhe depresionin. Pagjumësia kronike mund të jetë edhe shenjë e një sëmundjeje fizike serioze.

Apnea e gjumit

Marios i flihej jashtë mase gjatë ditës. Kur udhëtonte me familjen, e shoqja duhej ta vëzhgonte me kujdes teksa ai ngiste makinën, sepse papritur mund ta humbte përkohësisht vetëdijen dhe rrallë ndodhte ta mbante mend këtë. Çdo natë gërhiste shumë e në mënyrë jo të rregullt dhe ndonjëherë zgjohej vrullshëm nga gjumi e nuk ngopej dot me frymë. *

Mario kishte simptomat karakteristike të apnesë së gjumit. Fjalë për fjalë apnea do të thotë «pa frymë». Një krizë e apnesë së gjumit mund të zgjatë nga dhjetë sekonda deri në dy ose tri minuta. Ai që vuan nga apnea shpesh përpëlitet pareshtur duke kërkuar të ngopet me frymë dhe pastaj e zë prapë gjumi. Dhe kjo gjë përsëritet qindra herë çdo natë. Ka tri lloje të apnesë.

Apnea qendrore ndodh kur ajo qendër e trurit që kontrollon frymëmarrjen nuk e jep rregullisht urdhrin për të marrë frymë. Gjatë apnesë me bllokim të frymëmarrjes në gjumë, pjesa e sipërme e rrugëve të frymëmarrjes në fund të fytit mbyllet duke bllokuar qarkullimin e ajrit. Apnea e përzier është kombinim i dy të parave dhe është më e përhapura. Gjendja e atij që vuan nga ndonjë formë e apnesë mund të jetë pothuajse e njëjtë me gjendjen e njeriut që ka ndenjur gjithë natën zgjuar për netë të tëra rresht.

Ata që vuajnë nga apnea e gjumit mund të jenë në rrezik, pasi mund ta humbin vetëdijen ndërsa janë në punë ose duke i dhënë makinës. Ata mund të vuajnë nga tensioni i lartë, nga zmadhimi i zemrës dhe ka më shumë rrezik të pësojnë ndonjë apopleksi ose pushim zemre. Dr. Uilliam Dement në Universitetin e Stenfordit thotë se afro 38.000 amerikanë vdesin çdo vit nga pasojat kardiovaskulare të apnesë së gjumit.

Ndonëse është më e përhapur te burrat e dhjamosur mbi moshën 40 vjeç, apnea e gjumit mund të prekë çdo moshë, madje edhe fëmijët. Ka disa metoda kurimi e që të gjitha duhet të bëhen nën mbikëqyrjen e një mjeku specialist në fushën e gjumit. Metoda më e efektshme pa ndërhyrje kirurgjike për bllokimin e frymëmarrjes gjatë gjumit është përdorimi i një pajisjeje që çon vazhdimisht ajër në vrimat e hundës dhe në gojë. Natën, pacienti vë një maskë në hundë dhe një rregullator i trysnisë së ajrit (që e përshtat mjeku) e furnizon me atë sasi ajri që duhet për të parandaluar apnenë. Nëse kjo pajisje nuk e zgjidh problemin, ka disa metoda kirurgjike, ku përfshihet edhe përdorimi i rrezeve lazer ose i radiovalëve për të hequr masën e tepërt nga fyti.

Narkolepsia

Një çrregullim tjetër i gjumit që kërkon kujdes mjekësor është narkolepsia​—një problem në sistemin nervor që shkakton përgjumje të tepërt gjatë ditës. Për shembull, Baku ishte vazhdimisht i përgjumur. Atë e zinte gjumi papritur, madje edhe gjatë ndonjë mbledhjeje të rëndësishme. Ai filloi të mbante çelësa në dorë, kështu që kur ta zinte gjumi, kërcitja e çelësave në dysheme ta zgjonte. Pastaj atij iu shfaq katapleksia, një problem shëndetësor që e bënte t’i priteshin gjunjët e të rrëzohej sa herë që provonte ndonjë emocion të fortë. Më pas u shfaqën simptomat e paralizës së gjumit dhe herë pas here, para se ta zinte gjumi, kishte halucinacione.

Zakonisht, narkolepsia fillon nga mosha 10 deri në 30 vjeç. Ndonjëherë, ata që vuajnë nga narkolepsia zhvillojnë të ashtuquajturën sjellje të pavullnetshme, që do të thotë se ata duken sikur sillen normalisht, por nuk janë të vetëdijshëm për kohën që ka kaluar. E keqja e kësaj sëmundjeje është se shpesh ajo lihet pa u diagnostikuar për vite të tëra, ndërkohë që të sëmurin e shohin si dembel, të ngathët mendërisht ose të çuditshëm. Sot për sot konsiderohet e pashërueshme si sëmundje, por simptomat mund të kurohen me ilaçe e duke ndryshuar mënyrën e jetesës, dhe rezultati që arrihet ndryshon sipas rasteve. *

Çrregullime të tjera të gjumit

Dy çrregullime të tjera, që ndonjëherë duket se kombinohen me njëra-tjetrën, ndikojnë drejtpërdrejtë te gjymtyrët dhe sjellin si pasojë pagjumësinë kronike. Njëri është lëvizja periodike e gjymtyrëve, gjatë së cilës këmbët e ndonjëherë edhe krahët dridhen dhe lëvizin shpejt gjatë gjumit. Le të marrim rastin e Majkëllit. Analizat treguan se lëvizja periodike e këmbëve e zgjonte atë gati 350 herë çdo natë.

Një çrregullim tjetër është sindroma e këmbëve që s’gjejnë prehje. * Gjatë saj ndijimet që vijnë nga pjesa më e brendshme e muskujve të këmbëve dhe në gjunjë krijojnë një nxitje të fuqishme për të lëvizur dhe kështu nuk e lënë të sëmurin që ta zërë gjumi. Ndonjëherë kjo sëmundje lidhet me mungesën e ushtrimeve fizike ose me probleme të qarkullimit të gjakut, por në disa raste, me sa duket, ka lidhje me konsumimin e produkteve që përmbajnë kafeinë. Përvoja ka treguar se edhe alkooli e rëndon ndonjëherë problemin.

Bruksizmi është një çrregullim që karakterizohet nga kërcitja ose shtrëngimi i dhëmbëve gjatë gjumit. Nëse ndodh vazhdimisht, mund të shkaktojë konsumimin e tepërt të dhëmbëve dhe një dhembje të madhe në nofulla që çon në pagjumësi të rëndë. Në varësi të shkallës së çrregullimit, kurat ndryshojnë duke filluar që nga ndërhyrja kirurgjike në gojë e deri në vënien e një aparati mbrojtës te dhëmbët gjatë natës.

Ky vështrim i shkurtër rreth disa prej çrregullimeve të shumta të gjumit tregon se mund të jetë e rrezikshme t’i shpërfillësh ato. Kurimi mund të jetë i thjeshtë ose i ndërlikuar, por shpesh është jetësor. Nëse ju vetë ose një i afërmi juaj vuan nga pagjumësia kronike ose shfaq shenja të ndonjë çrregullimi të rëndë gjumi, mund të jetë e mençur që të kërkoni shpejt ndihmën e mjekut. Edhe nëse kura nuk e shëron krejtësisht çrregullimin, ajo mund t’i pakësojë mjaft rreziqet dhe ta bëjë më të lehtë për të gjithë përballimin e gjendjes. Pastaj, në të ardhmen, kur të plotësohen premtimet e Biblës, asnjë «nuk do thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» Të gjitha sëmundjet do të zhduken krejtësisht kur Perëndia të bëjë «çdo gjë të re».​—Isaia 33:24; Zbulesa 21:3-5

[Shënimet]

^ par. 4 Gërhitja e rëndë dhe e parregullt e shkaktuar nga apnea nuk duhet ngatërruar me gërhitjen e lehtë, ritmike e të herëpashershme që u ndodh shumë njerëzve kur flenë. E keqja më e madhe e kësaj të fundit është që nuk i lë të flenë të tjerët që janë në të njëjtën dhomë.

^ par. 11 Për më shumë informacion për narkolepsinë shihni Zgjohuni! e 8 prillit 1991, faqe 19-21, anglisht.

^ par. 14 Për më shumë informacion rreth këtij çrregullimi, shihni Zgjohuni! e 22 nëntorit 2000, anglisht.

[Figura në faqen 10]

Kurimi i çrregullimeve të gjumit duhet bërë nën mbikëqyrjen e mjekut

[Figura në faqen 10]

Gërhitja mund të jetë shenjë e apnesë së gjumit

[Figura në faqen 11]

Shpesh narkolepsia merret gabimisht si dembelizëm

[Figura në faqen 12]

Pajisjet që rregullojnë trysninë e ajrit në rrugët e frymëmarrjes mund ta lehtësojnë apnenë e gjumit