Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse prindërit s’kanë besim tek unë?

Pse prindërit s’kanë besim tek unë?

Të rinjtë pyesin

Pse prindërit s’kanë besim tek unë?

«Dua që prindërit të më japin më shumë liri kur dal. Nuk është puna se dua të bredh gjithë botën. Vetëm do të doja që, për shembull, kur të shkoja te halla, mami të mos merakosej se po ia mbath nga shtëpia.»​—Sara, 18 vjeçe. *

«Ngela duke i pyetur prindërit pse nuk kanë besim tek unë kur dua të dal me shoqëri. Shpesh më thonë: ‘Te ti kemi besim. Vetëm se s’kemi besim te shokët e tu.’ E kam vdekje kur më thonë kështu!»​—Kristina, 18 vjeçe.

BESIMI është si puna e parasë. E fiton me zor, e humb kollaj dhe sado të të japin, s’të del kurrë. Iliana 16-vjeçare thotë: «Sa herë dua të dal, prindërit më mbysin me pyetje se ku do të shkoj, me kë do të shkoj, çfarë do të bëj dhe kur do të kthehem. E di që janë prindërit e mi, por më ngrihen nervat kur më pyesin kështu!»

A mendon ndonjëherë se prindërit duhet të kenë më shumë besim te ti? Nëse po, ç’mund të bësh? Në fillim le të shohim pse besimi i prindërve te fëmijët ndez shpesh debate mes tyre.

Vështirësitë e rritjes

Bibla pohon se «burri do të lërë babanë dhe nënën». (Zanafilla 2:24) Sigurisht e njëjta gjë mund të thuhet edhe për gruan. Qofsh djalë, qofsh vajzë, një nga synimet kryesore gjatë adoleshencës është të përgatitesh për moshën e rritur​—koha kur do të jesh i aftë të jetosh larg shtëpisë e ndoshta të krijosh familjen tënde.

Gjithsesi, kalimi në moshën e rritur nuk është si një derë që mund ta kalosh kollaj kur arrin njëfarë moshe. Më shumë u ngjason shkallëve që i ngjit një nga një gjatë gjithë adoleshencës. Është e vërtetë se ti dhe prindërit e tu mund të keni mendime të ndryshme deri në ç’pikë je ngjitur. Maria, që mendon se prindërit nuk kanë besim tek ajo kur vjen puna për zgjedhjen e miqve, thotë: «U bëra 20 vjeçe dhe prapë i njëjti avaz. Prindërit mendojnë se nuk jam aq e fortë sa të dal nga një situatë e rrezikshme. Jam munduar t’u them se jam gjendur në situata të rrezikshme dhe kam dalë, por s’u mbushet mendja.»

Siç kuptohet nga fjalët e Marisë, çështja e besimit të prindërve te fëmijët mund të kthehet në mollë sherri mes tyre. A ndodh kështu në shtëpinë tënde? Nëse po, si ta fitosh më shumë besimin e prindërve? Po sikur ta kesh humbur besimin e tyre nga disa veprime të pamatura, ç’të bësh që ta ndreqësh situatën?

Jep prova se je i besueshëm

Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në shekullin e parë: «Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.» (2 Korintasve 13:5) Vërtet që ai nuk po u drejtohej kryesisht adoleshentëve. Sidoqoftë parimi ka vlerë. Se sa besim do të kenë të tjerët te ti, shpesh kjo varet nga sa prova ke dhënë se je i denjë për besim. Nuk do të thotë se do të jesh i përsosur. Në fund të fundit, s’ka njeri që nuk gabon. (Eklisiastiu 7:20) Por sjellja jote në përgjithësi, a ju jep shkas prindërve të mos kenë besim te ti?

Për shembull, Pavli shkroi: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Pyet veten: ‘A jam treguar i ndershëm me prindërit kur u kam thënë se ku po shkoj dhe çfarë do të bëj?’ Vër re komentet e disa të rinjve që u është dashur ta shohin veten me sy kritik në këtë pikë.

Lori: «Shkëmbeja mesazhe fshehurazi me një djalë që më pëlqente. Prindërit e morën vesh dhe më thanë të mos e bëja më. U dhashë fjalën, por nuk e mbajta. Kjo punë vazhdoi një vit. Unë i shkruaja, prindërit e zbulonin, unë kërkoja falje dhe premtoja se nuk do ta bëja më, por vazhdoja. Arriti deri aty sa prindërit nuk më zinin besë për asgjë.»

Si mendon, përse prindërit nuk kishin më besim te Lori dhe si mund të ishte treguar më e përgjegjshme ajo pasi i folën herën e parë? Shkruaj përgjigjen poshtë.

․․․․․

Benilda: «Prindërit nuk kishin besim tek unë kur vinte puna te djemtë, por tani e kuptoj pse. Flirtoja me dy djem që ishin dy vjet më të mëdhenj se unë. Kaloja orë të tëra në telefon me ta dhe, kur mblidheshim, flisja pothuajse vetëm me ta. Prindërit ma morën telefonin për një muaj dhe nuk më linin të shkoja në vendet ku do të ishin edhe ata djem.»

Si mendon, përse prindërit e Benildës nuk patën besim tek ajo për njëfarë kohe dhe ç’mund të bënte ajo për t’i ndrequr gjërat?

․․․․․

Aneta: «Kur isha në shkollë të mesme, bashkë me një shoqe morëm nga një birrë në një festë që ta pinim më vonë kot për qejf, edhe pse e dinim se prindërve s’u pëlqente. Shoqes sime ia zbuloi birrën e ëma. Pastaj u mor vesh që kisha edhe unë një birrë. Gjëja më e rëndë ishte kur pashë fytyrën e zhgënjyer të mamit.»

Sikur Aneta të ishte motra jote e vogël, ç’këshillë do t’i jepje që të fitonte sërish besimin e mamit?

․․․․․

Si ta fitosh sërish besimin?

Po sikur, ashtu si të rinjtë e përmendur më sipër, prindërit ta kenë humbur besimin te ti për shkak të veprimeve të tua? Edhe në këtë rast, të jesh i sigurt se mund t’ua fitosh besimin sërish. Si?

Ka shumë të ngjarë që prindërit të kenë më shumë besim te ti, po t’u tregosh me sjelljen tënde se je i përgjegjshëm. Të bëjmë një ilustrim: mendo për një burrë që ka marrë kredi në bankë. Po ta paguajë rregullisht detyrimin, ai do të fitojë besimin e bankës dhe banka mund t’i japë më shumë kredi në të ardhmen. Njësoj është edhe në familje. Në qoftë se jep prova se je i besueshëm edhe në gjëra të vogla, ka mjaft mundësi që prindërit të të besojnë më shumë në të ardhmen.

Aneta, më në fund, e kuptoi këtë. «Kur je fare i ri,​—thotë ajo,​—s’e kupton dot tamam rëndësinë që ka besimi i prindit. Tani ndihem më e përgjegjshme dhe ndiej detyrimin të sillem në atë mënyrë që prindërit të mos e humbasin besimin tek unë.» Ç’mësim nxjerr nga kjo? Në vend që të ankohesh se prindërit nuk kanë besim te ti, përqendrohu tek ajo që mund të bësh për t’u treguar i besueshëm.

Për shembull, a je i besueshëm në gjërat e renditura më poshtë? Shëno ku ke nevojë të punosh.

□ Respektimi i orarit të kthimit në shtëpi

□ Korrektësia në orar

□ Kryerja e punëve të shtëpisë

□ Mbajtja e dhomës pastër

□ Përdorimi i telefonit

□ Mbajtja e premtimeve

□ Përdorimi i parave me mençuri

□ Të zgjohesh pa pritur që prindërit të të thonë disa herë

□ Të thuash të vërtetën

□ Të pranosh gabimet dhe të kërkosh falje

□ Të tjera ․․․․․

Pse të mos marrësh një vendim që të japësh prova se je i besueshëm në gjërat që shënove ? Ndiq këshillat e Biblës: «Flakni tej personalitetin e vjetër, që ishte në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj.» (Efesianëve 4:22) «Po-ja juaj le të jetë Po.» (Jakovi 5:12) «Secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.» (Efesianëve 4:25) «Jini të bindur ndaj prindërve në çdo gjë.» (Kolosianëve 3:20) Me kalimin e kohës, përparimi yt patjetër do të duket qartë për të tjerët dhe për prindërit.​—1 Timoteut 4:15.

Po sikur të të duket se prindërit nuk të besojnë aq sa e meriton, pavarësisht se ti bën çmos? Pse të mos flasësh hapur me ta? Në vend që të ankohesh se ata duhet të kenë më shumë besim te ti, me respekt pyeti se çfarë duhet të bësh ti që të fitosh besimin e tyre. Shpjegoju qartë se çfarë synimesh ke.

Mos prit që prindërit të të japin më shumë liri menjëherë. S’diskutohet se më parë ata duan të sigurohen se ti do t’i mbash premtimet. Është një rast për të provuar se je i besueshëm. Me kalimin e kohës, ka mjaft të ngjarë që prindërit të të besojnë më shumë. Kështu ndodhi edhe me Benildën që përmendëm më sipër. «Është ku e ku më e vështirë ta fitosh besimin sesa ta humbësh»,​—thotë ajo. Më tej shton: «Tani po fitoj besimin e prindërve dhe ndihem mjaft mirë.»

[Shënimi]

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

PËR TË MENDUAR

▪ Pse prindërit mund të ngurrojnë të kenë më shumë besim te ti, edhe pse po bën çmos për t’u treguar i besueshëm?

▪ Pse komunikimi me prindërit është jetësor nëse do që ata të kenë më shumë besim te ti?

[Diçitura në faqen 29]

Përqendrohu tek ajo që mund të bësh për t’u treguar i besueshëm

[Diagrami dhe figura në faqen 28]

Të bëhesh i rritur i besueshëm është si të ngjitësh një nga një shkallët gjatë gjithë adoleshencës

[Diagrami]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

MOSHA E RRITUR

ADOLESHENCA

FËMIJËRIA