Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia më ndihmoi të qëndroja në sprova

Perëndia më ndihmoi të qëndroja në sprova

Perëndia më ndihmoi të qëndroja në sprova

Treguar nga Vazir Azanovi

Kërceva nga krevati, lidha Biblën në brez dhe u vesha shpejt. Para se të dilja nga dritarja, bëra shuk ca rroba, i futa në krevat dhe u hodha sipër një batanije që të dukej sikur po flija. Pastaj vrapova për në Sallën e Mbretërisë duke iu lutur Perëndisë për ndihmë. Kjo ndodhi në vitin 1991 kur isha 14 vjeç.

LINDA në një familje kurde në një qytet në jug të Kazakistanit të sotëm, që atëherë ishte një prej 15 republikave të Bashkimit Sovjetik. Prindërit dhe farefisi më brumosën me mendimin se mund të bëhesha udhëheqës dhe çlirimtar i popullit tim. Ushqeva një urrejtje kaq të fortë për armiqtë e popullit kurd, saqë isha gati të vrisja për të çliruar popullin tim nga shtypja.

Nga fundi i viteve 80, bashkë me nënën dhe vëllanë tim të vogël filluam të studionim Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Por, babai na ndaloi të shoqëroheshim me të krishterët. Prapëseprapë unë vazhdova studimin. Në familjet kurde as që bëhet fjalë të mos i bindesh kreut të familjes. E doja babanë, ama doja edhe të vërtetat biblike që po mësoja.

Kundërshtime në shtëpi dhe në shkollë

Një herë, një mësues pa në çantën time revistën Kulla e Rojës dhe u tregoi prindërve. I xhindosur, babai më goditi aq fort sa më shpërtheu gjak nga hundët. «Akoma merresh me atë fe?»—ulëriti.

Pas kësaj, babai tha se më kishte bërë hasha si djalin e vet. Sa më lënduan ato fjalë! Ndërkohë shumë nga shokët e klasës filluan të më shmangnin dhe disa më shanin në sy të të gjithëve. Mësuesit m’i hanin notat dhe shpesh talleshin me bindjet e mia në orën e mësimit, duke u përpjekur të më kthenin te pikëpamjet e tyre ateiste.

Pavarësisht nga kundërshtimet, mundohesha të ndiqja mbledhjet e krishtere dhe t’u flitja të tjerëve për besimin tim. S’kaloi shumë dhe im atë e mori vesh se po shoqërohesha prapë me Dëshmitarët dhe lexoja Biblën. Një të diel, po kërkoja ndonjë sebep për të dalë nga shtëpia që të shkoja në mbledhje. Menjëherë babai më urdhëroi të shkoja në shtrat. Ai tha prerë: «Çdo të diel në këtë orë duhet të jesh në shtrat, more vesh!» Më kërcënoi se, po të mos i bindesha, do ta kisha keq punën dhe e dija mirë se e kishte me tërë mend.

Me lot në sy, iu përgjërova Jehovait, Perëndisë së vërtetë, që t’ia zbuste zemrën babait, por ai s’luante nga e vetja. Sillja ndër mend si shtypeshin izraelitët në Egjipt. Sjellja e babait më kujtonte faraonin që nuk i linte izraelitët të shkonin për të adhuruar Jehovain.—Dalja 5:1, 2.

Marr vendime

Një të diel vendosa të shkoja në mbledhje. Teksa rrija në krevat dhe i lutesha në heshtje Jehovait, zemra sa s’po më dilte vendit nga ankthi. Kur prindërit hynë në dhomën time, bëra sikur flija. Babai tha me krenari: «Pa shih çfarë djali të bindur kam.» Ai më puthi dhe dolën pa zhurmë. Vazhdova të lutesha me zjarr.

Sapo prindërit dolën nga dhoma, siç tregova në fillim, brofa në këmbë, nxora këpucët nga poshtë krevatit dhe kërceva nga dritarja. Dy orët e mbledhjes fluturuan dhe vrisja mendjen ç’më priste kur të kthehesha në shtëpi. Nëna e kishte parë se në krevat ishin rrobat e mia e jo unë, por shyqyr që s’i kishte thënë gjë babait. Sidoqoftë, më paralajmëroi se nuk do t’ia fshihte më babait ato që bëja.

Në vitin 1992 u thashë prindërve se një shok do të shkonte në një festë të veçantë dhe më kishte ftuar edhe mua. Faktikisht rasti i veçantë ku kisha ndër mend të shkoja ishte një asamble e Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Tarazit, rreth 100 kilometra nga shtëpia jonë në Karatau. Atje do të pagëzohesha në simbol të kushtimit që i kisha bërë Jehovait. E pyeta nënën nëse mund të merrja një kovë fara luledielli nga hambari. I poqa farat dhe i shita në treg, e kështu fitova paratë që më duheshin për të ndjekur kongresin.

Kur u ktheva, babai më pyeti nëse isha kënaqur me shokun. Iu përgjigja se po. Ndjeva mbështetjen e Jehovait, ngaqë babai nuk e zgjati shumë me pyetje. Më pëlqenin vërtet fjalët e Proverbave 3:5, 6: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»

Besimi im dobësohet

Kundërshtimi i babait nuk reshti edhe pas pagëzimit tim. Ndërsa vazhdoja të shoqërohesha me Dëshmitarët, babai më rrihte keq edhe kur isha vetëm, edhe kur kishte të tjerë rrotull. Gati çdo ditë duroja poshtërime dhe presione, e qaja shpesh. Në atë kohë Kazakistani po fitonte pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik dhe prindërit e të afërmit përpiqeshin të më mbushnin mendjen t’i hyja politikës e të bëja diçka me vlerë. Ata mendonin se po më ikte duarsh një rast i mirë.

Vëllai i madh kishte sukses në sport dhe babai ma mbante si shembull. Edhe unë nisa të merresha me sport nga fundi i vitit 1994. Meqë kisha talent, shpejt fitova çmime e lëvdata për zotësitë e mia në futboll dhe gjimnastikë. I hyra edhe studimit të ligjeve që të ndihmoja në mbrojtjen e interesave të kurdëve. Madje u përfshiva edhe në politikë dhe mendoja të themeloja një parti të të rinjve kurdë. Tani babai filloi të më lavdëronte.

«Fitove ti, baba»

Besimi im ishte dobësuar, nuk e lexoja më Biblën dhe as nuk shkoja në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. E ngushëlloja veten me mendimin se do t’i shërbeja prapë Jehovait kur të isha më i madh. Një herë babai më pyeti nëse shoqërohesha ende me Dëshmitarët e Jehovait. «Jo. Fitove ti, baba,—iu përgjigja.—A je i kënaqur tani?» Kur dëgjoi këtë, babai mbeti shumë i kënaqur. «Ja, tani je djali im!»—tha gjithë krenari.

Për dy vjet nuk i ndoqa mbledhjet, ndonëse hera-herës doja të shkoja. Por nuk më linte turpi. Mendoja se në kongregacion nuk do ta kuptonin situatën time.

Ndërkohë isha i bindur se s’kishte gjë më të mirë se t’i shërbeja Jehovait. «Në fund të fundit unë e dua Jehovain»,—thosha shpesh me vete. Pastaj babai këmbënguli të vazhdoja universitetin. U dorëzova dhe madje i premtova ta mbaroja shkollën shkëlqyeshëm. Megjithatë, thellë në zemër shpresoja të gjeja Dëshmitarët sapo të shkoja në universitetin e Alma-Atës, një qytet i madh modern në jug të Kazakistanit.

Rrethanat ndryshojnë për mirë

Pak pasi fillova universitetin, takova dy Dëshmitarë që po predikonin në rrugë në Alma-Atë. Më pyetën: «Si mendoni, kush e sundon botën?»

«Satana Djalli,—iu përgjigja,—armiku i Jehovait dhe i gjithë njerëzimit.» (2 Korintasve 4:3, 4) U thashë se isha Dëshmitar i pagëzuar, por isha bërë joaktiv.

Aty nga fundi i vitit 1996, fillova të studioja prapë Biblën me Dëshmitarët. Pasi e bëra disa herë studimin, m’u ndez sërish dëshira për t’i shërbyer Jehovait dhe fillova të merrja pjesë në të gjitha veprimtaritë e Dëshmitarëve në Alma-Atë. Në shtator të vitit 1997 fillova të shërbeja si pionier, pra të kaloja shumë kohë në predikim.

Vitin tjetër babai erdhi të më takonte. Vrapova drejt tij dhe u përqafuam. Më kërkoi falje për sjelljen e tij gjatë gjithë atyre viteve. Ai tha se nuk më kishte kuptuar as mua dhe as bindjet e mia. I thashë: «Të dua shumë baba.»

Sa i lumtur u ndjeva kur babai pranoi literaturën biblike dhe më kërkoi një Bibël, duke më thënë se donte ta lexonte nga fillimi në fund. Pas një viti erdhi prapë të më takonte, kësaj here bashkë me nënën. Në Sallën e Mbretërisë, njerëz të kombësive të ndryshme u afroheshin, prezantoheshin dhe i përshëndetnin me ngrohtësi. Kjo i bëri shumë përshtypje babait dhe nisi t’i lexonte me mjaft interes botimet e Dëshmitarëve.

Bekime të shumta

Në shtator të vitit 2001 u martova me një vajzë të mrekullueshme ruse, që quhet Jelena. Ajo ishte pagëzuar si Dëshmitare në vitin 1997 dhe filloi shërbimin si pioniere në maj të vitit 2003. Ç’gëzim ishte për ne kur morëm vesh se prindërit kishin filluar të studionin Biblën me Dëshmitarët dhe po lidhnin miqësi me Jehovain. Ç’është e vërteta, nuk e besoja dot këtë derisa babai ma tha me gojën e vet. Kur folëm në telefon, më tha se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë.

Jam shumë i lumtur që këtu në Alma-Atë kam pasur mundësi të drejtoj studime biblike me njerëz nga mjaft vende, si: Irani, Kina, Pakistani, Siria dhe Turqia. Jo shumë kohë më parë një prift nga Irani më kërkoi të studioja Biblën me të në gjuhën e tij amtare, në persisht. Një ish-gjenerali nga Afganistani i bënë goxha përshtypje ato që mësoi për Jehovain. Ndjeva shumë kënaqësi edhe kur studiova me një burrë nga Siria në gjuhën time amtare kurde, si dhe me disa të tjerë në gjuhën kazake dhe ruse që i kisha mësuar në fëmijëri.

Sot bashkë me Jelenën shërbejmë në Alma-Atë ku ka më shumë se 35 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait. Kongregacioni ynë është një nga kongregacionet e gjuhës kazake. Vitin e kaluar patëm privilegjin të shërbenim përkohësisht në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait që ndodhet pranë Alma-Atës, e cila ka përfunduar nga pak kohë.

Dikur më mësuan të urreja, por Jehovai më mësoi të dua. Jam i bindur se gjithnjë duhet të bëjmë çmos t’i pëlqejmë Jehovait, edhe atëherë kur të afërmit dhe miqtë—të nisur nga e mira—na shtyjnë të bëjmë të kundërtën. (Galatasve 6:9) Sa i lumtur jam që sot unë dhe ime shoqe kemi «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë»!—1 Korintasve 15:58.

[Diçitura në faqen 13]

Nëna më paralajmëroi se nuk do t’ia fshihte më babait ato që bëja

[Figura në faqen 15]

Salla e Mbretërisë në Karatau, ku shkoja në fëmijëri

[Figura në faqen 15]

Prindërit e mi që tani e përkrahin veprën tonë

[Figura në faqen 15]

Me Jelenën ditën e dasmës

[Figura në faqen 15]

Unë dhe Jelena në ndërtesat e reja të degës, pranë Alma-Atës