Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Më pak se çerekut të gjermanëve nën moshën 40-vjeçare u duket gjë e mirë të luten përditë me fëmijët dhe, ndër anëtarët e kishave, vetëm 4 në 10 veta e quajnë të rëndësishme këtë gjë.​—APOTHEKEN UMSCHAU, GJERMANI.

Një dhurues sperme me një mutacion gjenetik të padiktuar që lidhej me një sëmundje zemre, ia kaloi këtë sëmundje 9 prej 24 fëmijëve që dihet se janë pasardhës të tij. Njërit nga ata i pushoi zemra kur ishte dy vjeç.​—JAMA, SHBA.

«Mbi 50% e rusëve besojnë se korrupsioni është i pashmangshëm dhe pjesë e pandarë e jetës.»​—RIA NOVOSTI, RUSI.

Pak miq të vërtetë

«Një britanik ka mesatarisht vetëm tre miq të vërtetë te të cilët mund të mbështetet»,—thuhet në gazetën Daily Telegraph të Londrës. Sipas një studimi, ja disa nga arsyet pse zakonisht i humbin lidhjet «mesatarisht me 36 miq në rrjedhën e viteve»: bëjnë «jetë të ngjeshur», ‘thjesht ftohen’ me njëri-tjetrin dhe, në rastin e 43 për qind të të anketuarve, «janë grindur . . . e kanë vendosur të mos flasin kurrë më». Afro një e pesta hapen me kolegët ngaqë «s’kanë ku të përplasen tjetër». Një zëdhënës i anketuesve tha: «Duhet të kesh diçka të veçantë që të tjerët të të besojnë dhe të mbështeten te ti.»

Gjysmënëndetëse me drogë

Metodat që përdorin trafikantët kolumbianë të drogës për të futur kontrabandë kokainë në Amerikën Qendrore, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara bëhen gjithnjë e më të sofistikuara. Që nga viti 1993, autoritetet kolumbiane kanë diktuar dhe konfiskuar të paktën 42 gjysmënëndetëse që transportonin drogë. Janë zbuluar edhe një sërë punishtesh ku montoheshin. Këto anije punojnë me naftë dhe, ndonëse nuk zhyten plotësisht në ujë, është tepër e vështirë që t’i pikasin radarët. Disa përshkojnë 3.200 km, mbajnë 6-10 tonë kokainë dhe ndërtimi i tyre mund të kushtojë deri në 1 milion dollarë.

Të mirat e vakteve familjare

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit me finlandezë 14-16 vjeçarë, më pak se gjysma hanin bashkë me familjen. Studimi nxori në pah se në shumë familje nuk shërbehet as edhe një vakt. Mirëpo të rinjve u qan zemra për këto vakte çlodhëse e të rregullta me familjen. Siç tregon gazeta Helsingin Sanomat, kur i pyetën çfarë dëshironin nga prindërit, mesazhi ishte i qartë: «Ushqime të ngrohta, vakte bashkë familje dhe dikë që na dëgjon e ka kohë për ne.» Vaktet familjare ndikojnë shumë te shëndeti mendor i të rinjve. Sipas artikullit, «të rinjtë që hanë me familjen, zakonisht shkojnë mirë me mësime, rrallëherë pinë duhan, pije alkoolike ose drogë dhe bien më rrallë në dëshpërim».