Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është projektuar?

Guaska e kërmillit xixëllues

Guaska e kërmillit xixëllues

● Shumë krijesa të deteve janë bioluminishente, pra, të afta të prodhojnë dritë. Veçse, mënyra si e përdor këtë aftësi kërmilli xixëllues është e paparë. Kur e kërcënon ndonjë gaforre grabitqare, ai mbyllet në guaskë dhe «rrëzëllen», duke prodhuar një dritë vezulluese që e tremb dhe e spraps gaforren. Por, si e përshkon drita guaskën e kërmillit?

Shqyrtoni faktet: Guaska e kërmillit xixëllues jo vetëm që s’është barrierë për dritën, por e përhap atë. Dimitri Dehejni dhe Nerida Uillsoni, shkencëtarë në Institutin e Oqeanografisë «Skrips» në San-Diego, Kaliforni, SHBA, zbuluan se drita që prodhon kërmilli shpërndahet njëtrajtësisht në krejt guaskën dhe guaska e përhap dritën dhjetë herë më me efektshmëri se çdo difuzor a përhapës me të njëjtën trashësi (0,5 mm) i bërë nga njeriu. Në të njëjtën kohë, aftësia e guaskës që ta përçojë këtë dritë në ambientin përreth është tetë herë më e madhe se ajo e difuzorëve. Çuditërisht, guaskat e kërmijve detarë të ngjashëm me këtë kërmill, por që s’janë bioluminishentë, nuk e kanë këtë aftësi të pazakontë që të përhapin ose të përçojnë dritën. Është interesante që ngjyra e dritës së përhapur nga kërmilli xixëllues është ajo që shkon më larg në ujin e detit.

Siç thotë dr. Dehejni, njohja me kërmillin xixëllues «mund të jetë e rëndësishme për krijimin e materialeve me aftësi optike më të mira». Nga këto kërkime do të përfitojë edhe fusha e biofotonikës, e cila përdor dritën për analiza dhe trajtime mjekësore. Në këtë kohë kur përdoren gjerësisht diodat ndriçuese (LED), krijimi i difuzorëve që përforcojnë më me efektshmëri burimet e vogla të dritës, pa dyshim do të kursejë energji.

Si mendoni? A erdhi me evolucion guaska e kërmillit xixëllues? Apo është projektuar?

[Figura në faqen 18]

Pamje e zmadhuar e guaskës në dritë normale

[Figura në faqen 18]

Pamje e zmadhuar e guaskës që rrëzëllen nga drita e përhapur

[Burimet e figurave në faqen 18]

Majtas: www.robastra.com; në qendër dhe djathtas: me mirësjellje nga dr. D. Dehejni, Instituti i Oqeanografisë «Skrips», Universiteti i Kalifornisë, San-Diego