Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lajmet tronditëse dhe fëmijët

Lajmet tronditëse dhe fëmijët

«Vajzës sime 11-vjeçare nuk i pëlqen të shohë lajme. Shpesh shikon ëndrra të këqija nga ato që ka parë. Njëherë dëgjoi në lajme që dikush i kishte prerë kokën një familjareje. Atë natë pa në ëndërr sikur edhe asaj po i pritnin kokën.»​—Kuini.

«Mbesa ime gjashtëvjeçare pa në televizor se disa zona të vendit ishin goditur nga tornadot. Për javë të tëra, ishte e tmerruar. Më merrte në telefon e bindur se një tornado po vinte drejt saj dhe se do të vdiste.»​—Pejxhi.

A TREMBET fëmija yt nga lajmet? Sipas një sondazhi, afro 40 për qind e prindërve thanë se fëmijët tronditeshin nga ndonjë lajm që shihnin dhe si pasojë kishin frikë se diçka e ngjashme do t’u ndodhte edhe atyre ose të afërmve.

Përse? Së pari, sepse fëmijët shpesh i konceptojnë lajmet ndryshe nga të rriturit. Për shembull, fëmijët e vegjël mund të mendojnë se një tragjedi që transmetohet disa herë në lajme, në të vërtetë ndodh disa herë.

Së dyti, lajmet tronditëse që shohin çdo ditë, mund t’ua shtrembërojnë pikëpamjen për botën. Është e vërtetë se jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Por, nëse shikojnë lajme tronditëse vazhdimisht, mund të zhvillojnë një frikë që i paralizon. «Fëmijët që shohin shumë lajme kanë prirjen të mendojnë se krimi është më i përhapur dhe se bota është më e rrezikshme se ç’është në të vërtetë»,—vëren Fondacioni Kaiser Family.

 Ç’të bëni nëse lajmet tronditëse ndikojnë te fëmijët tuaj? Ja disa sugjerime:

Mbrojini.

Duke marrë parasysh moshën, pjekurinë dhe formimin emocional të fëmijëve, përcaktoni sa lajme mund të shohin. Sigurisht, jetojmë në epokën e informacionit dhe fëmijët nuk janë në padije të asaj që ndodh përreth. Edhe të vegjlit shohin e dëgjojnë më shumë nga ç’mendoni. Kështu jini të vëmendshëm ndaj ndonjë shenje frike ose ankthi që shfaqin.

Edukojini.

Ndërsa rriten, shqyrtoni mundësinë për t’i parë lajmet bashkë me ta. Këto raste mund t’i shfrytëzoni për t’i mësuar. Ndaluni te ndonjë aspekt pozitiv i lajmit, për shembull, te ndihma që u jepet viktimave të katastrofave.

Sigurojini.

Kur jepet një lajm tronditës, bëjuni pyetje fëmijëve që të kuptoni si ndihen për atë ngjarje. «Unë dhe gruaja ulemi dhe i shpjegojmë djalit tonë, Natanielit, lajmet që ka parë, si edhe masat parandaluese që kemi marrë që të mos na ndodhë e njëjta tragjedi,—thotë një baba me emrin Majkëll.—Njëherë, kur pa në lajme një shtëpi që bëhej shkrumb e hi, kishte frikë mos i ndodhte e njëjta gjë edhe shtëpisë sonë. Për ta qetësuar, i treguam gjithë alarmet kundra zjarrit në shtëpi. Ai e di ku janë dhe pse janë në atë vend. Kjo e bëri të ndihej më i sigurt.»

Mbani një pikëpamje të ekuilibruar.

Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit kanë prirjen të mendojnë se një ngjarje ka shumë gjasa të ndodhë nëse u  shkon shpesh mendja aty. Për shembull, nëse kohët e fundit ke dëgjuar se kanë rrëmbyer një fëmijë, mund të mendosh se kërcënimi që i kanoset fëmijës tënd është më i madh se ç’është në të vërtetë. Sigurisht, është mirë të jesh në dijeni të rreziqeve të mundshme. Megjithatë, specialistët thonë se lajmet në media na futin frikën për ngjarje që ka mundësi të mos na ndodhin kurrë.​—Proverbat 22:3, 13.

Nëse prindërit nuk mbajnë një pikëpamje të ekuilibruar për lajmet, ata do të kenë frikë ekstreme. Po kështu edhe fëmijët. Për shembull, në vitin 2005 një 11-vjeçar humbi në malet e Jutës në Shtetet e Bashkuara. Kishte kaq frikë nga pengmarrësit, sa u fsheh nga skuadrat e shpëtimit për katër ditë. Kur më në fund e gjetën, ishte i këputur dhe i çhidratuar. Edhe pse mundësia që të rrëmbehej ishte 1 me 350.000, nga frika djali nuk pranoi ndihmë dhe rrezikoi të vdiste urie.

«Fëmijët 3-7 vjeç frikësohen më shumë kur dëgjojnë për katastrofa natyrore dhe aksidente, kurse ata të moshave 8-12 frikësohen më shumë kur dëgjojnë për krime e dhunë.»​—Fondacioni Kaiser Family.

Çfarë mësimi nxjerrim? Sigurohuni që ju e fëmijët të mbani një pikëpamje të ekuilibruar për lajmet. Në fakt, shumë fatkeqësi bëjnë bujë ngaqë janë disi të rralla, jo ngaqë janë të zakonshme.

Krimi, dhuna dhe katastrofat natyrore janë realitete tragjike të kohëve në të cilat jetojmë. Megjithatë, siç e kemi parë, përpjekjet tuaja për t’i mbrojtur, edukuar, siguruar dhe për t’i ndihmuar të kenë një pikëpamje të ekuilibruar, do t’ua bëjnë fëmijëve më të lehtë të përballojnë lajmet tronditëse.