Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PORTRETE NGA E KALUARA

Robert Bojli

Robert Bojli

Të apasionuarit e historisë mbase e kujtojnë Robert Bojlin si shkencëtari nga i cili mori emrin ligji i Bojlit​—një ligj natyror që shpjegon lidhjen mes trysnisë dhe vëllimit të gazeve. Zbulimi i tij historik hodhi themelet për arritjet e panumërta shkencore që pasuan. Gjithsesi, Robert Bojli nuk ishte thjesht shkencëtar i zoti, por vlerësohet edhe si njeri me besim të madh te Perëndia dhe te Fjala e Tij e frymëzuar, Bibla.

BOJLI lindi në një familje të pasur në Kështjellën e Lizmorit në Irlandë, më 1627. Po agonte ajo që historianët e quajnë epoka e arsyes​—periudhë kur mendimtarët u orvatën ta çlironin njerëzimin nga fanatizmi që e kish mbajtur në skllavëri për shekuj të tërë. Ky u bë edhe synimi i Bojlit. Në një autobiografi për djalërinë e tij, ai i vuri vetes emrin Filaret, që do të thotë «të duash të virtytin».

Dëshira e Bojlit që të mësonte të vërtetën shoqërohej nga një dëshirë po aq e zjarrtë që t’ua tregonte të tjerëve gjithë sa mësonte. Ai u bë shkrimtar frytdhënës dhe shkrimet e tij patën ndikim të thellë te shumë bashkëkohës, ndër të cilët shkencëtari i famshëm Isak Njuton. Më 1660, Bojli ishte mes themeluesve të Shoqërisë Mbretërore, një institucion shkencor që ekziston edhe sot e kësaj dite në Londër, Angli.

NJERI I SHKENCËS

Bojlin e kanë quajtur babai i kimisë. Ai ndoqi një rrugë që ndryshonte fund e krye nga ajo e alkimistëve të kohës së tij. Ata i mbanin sekret zbulimet e tyre ose i shkruanin me terma të vagët që pak veta jashtë qarqeve akademike mund t’i kuptonin. Krejt ndryshe, Bojli i botoi pa doreza gjithë hollësitë e punës së tij. Veç kësaj, në vend që thjesht të pranonte hipotezat e rrënjosura prej kohësh, përkrahte përdorimin e eksperimenteve shkencore për vërtetimin e fakteve.

Eksperimentet e tij mbështetën idenë se materia përbëhej nga ato që Bojli i quajti thërrmija, pra grimca të ndonjë lloji, që kombinohen në mënyra të ndryshme për të formuar substanca të ndryshme.

Metoda që ndiqte Bojli për kërkimet shkencore përmblidhet bukur në veprën e tij të mirënjohur The Sceptical Chymist. Atje ai rekomandon që shkencëtarët të kenë kujdes të mos jenë arrogantë a dogmatikë dhe të jenë të gatshëm t’i pranojnë gabimet. Bojli theksonte se njerëzit me opinione të forta duhet të bëjnë dallimin mes gjërave që e dinë mirë se janë të vërteta dhe gjërave që mendojnë se janë të vërteta.

Bojli theksonte se njerëzit me opinione të forta duhet të bëjnë dallimin mes gjërave që e dinë mirë se janë të vërteta dhe gjërave që mendojnë se janë të vërteta

NJERI I BESIMIT

Bojli ndoqi të njëjtën metodë kur bëhej fjalë për çështjet e besimit te Perëndia. Ato çka zbuloi për universin dhe për ndërtimin e mrekullueshëm të krijesave të gjalla e bindën se duhet të ketë një Projektues dhe Krijues. Prandaj e hodhi poshtë frymën ateiste që sa vinte e përhapej mes intelektualëve. Bojli nxori përfundimin se kushdo që e përdor drejt aftësinë për të arsyetuar, s’ka si të mos besojë te Perëndia.

Gjithsesi, Bojli mendonte se për të gjetur të vërtetën rreth Perëndisë, nuk mjaftonte arsyetimi njerëzor. E kuptoi se nevojitej ndonjë zbulesë nga Perëndia. Ajo zbulesë, siç u shpreh ai, ishte Fjala e Tij, Bibla.

Bojli trazohej kur shihte se shumë njerëz nuk i njihnin mësimet e Biblës dhe se bindjet e tyre fetare nuk kishin themel të fortë. A është e drejtë, pyeste ai, që bindjet fetare të dikujt të bazohen vetëm tek ajo që besonin prindërit e tij ose te vendi ku rastisi të lindte?! Bojli kishte dëshirë të zjarrtë t’i ndihmonte njerëzit të thellonin njohurinë për Biblën.

Për këtë, Bojli dha pará që të mbështeste botimin e Biblës në shumë gjuhë. Ndër to ishin disa gjuhë të banorëve vendës të Amerikës së Veriut, si edhe gjuha arabe, irlandeze, malaje dhe turke. Pra, Robert Bojli tregoi se ishte njeri i talentuar, por i përulur, me një dëshirë të pashuar që të gjente të vërtetën në gjithçka dhe t’i ndihmonte të tjerët të bënin të njëjtën gjë.