Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 A ËSHTË PROJEKTUAR?

Skeleti «me sy» i yllit të brishtë

Skeleti «me sy» i yllit të brishtë

YLLI i brishtë i brigjeve koralore ka një koracë mbresëlënëse në shtresën e sipërme. Kjo pjesë e skeletit të tij është e mbuluar me thjerra mikroskopike që e kthejnë koracën në një sy të përbërë.

Gungat e kristalta të skeletit shërbejnë si mikrothjerra të cilësisë së lartë

Shqyrto faktet: Siç thuhet në revistën Natural History, kur shkencëtarët studiuan pllakëzat e skeletit të yllit të brishtë, vunë re «një strukturë të pazakontë me gunga të kristalta, ngjeshur njëra pas tjetrës, secila më e hollë se një fije floku». Këto gunga të kristalta, prej karbonat kalciumi (kalciti), janë mikrothjerra të cilësisë së lartë. Nëpërmjet tyre drita fokusohet me sa duket tek nervat fotosensibël që ndodhen poshtë pllakëzave. Gjithashtu, thjerrat kanë formën e duhur që të prodhojnë pamjen e dëshiruar.

Sipas kimistes Joana Izenberg, koraca e yllit të brishtë që shërben për dy qëllime «tregon një parim të rëndësishëm: në biologji, materialet shpesh janë të përshtatura për shumë funksione.»

Duke mësuar nga biologjia e yllit të brishtë, studiuesit kanë krijuar një metodë të thjeshtë e me kosto të ulët për të prodhuar radhë mikrothjerrash prej karbonat kalciumi. Përdorimet e shumta të këtyre radhëve i ndesh në telekomunikacion, ku përdoren për të përcjellë sinjalet e dritës me anë të fibrave optike.

Si mendon? A erdhi me evolucion skeleti «me sy» i yllit të brishtë? Apo është projektuar?