Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të besosh te Triniteti?

A duhet të besosh te Triniteti?

Mbi dy miliardë njerëz thonë se janë të krishterë. Shumica u përkasin kishave që mësojnë Trinitetin, doktrinë sipas së cilës Ati, Biri dhe fryma e shenjtë formojnë një Perëndi. Si u bë Triniteti doktrinë zyrtare? Ç’është më e rëndësishmja, a përputhet me Biblën ky mësim?

BIBLA përfundoi në shekullin e parë të e.s. Mësimet që ndikuan te krijimi i Trinitetit, zyrtarisht nisën të formuloheshin në vitin 325 të e.s.—më shumë se dy shekuj më vonë—në një këshill në qytetin e Nicesë të Azisë së Vogël, tani Iznik, Turqi. Sipas një enciklopedie (New Catholic Encyclopedia), kredoja e Këshillit të Nicesë formuloi për herë të parë mësimet zyrtare të Kishës, përfshirë përkufizimin për Zotin dhe Krishtin. Por, pse u pa e nevojshme të përkufizohej Zoti dhe Krishti shekuj pasi u përfundua Bibla? Mos është e paqartë Bibla për këto mësime të rëndësishme?

A ËSHTË JEZUI PERËNDIA?

Kur Kostandini u bë sundimtari i vetëm i Perandorisë Romake, të ashtuquajturit të krishterë u përçanë për sa i përket lidhjes mes Perëndisë dhe Krishtit. A ishte Jezui Perëndia? Apo u krijua nga Perëndia? Për të zgjidhur këtë çështje, Kostandini mblodhi udhëheqësit e Kishës në Nice, jo sepse kërkonte të vërtetën fetare, por sepse nuk donte që feja t’ia përçante perandorinë.

«Për ne ka një Perëndi të vetëm, Ati.»1 Korintasve 8:6, Diodati i Ri

Ai u kërkoi peshkopëve, që ishin me qindra, të binin në një mendje, por nuk pati rezultat. Atëherë propozoi që këshilli të adoptonte konceptin e mjegullt se Jezui përbëhej nga «e njëjta substancë» (homoousios) me Atin. Ky term filozofik grek e jobiblik hodhi themelin për mënyrën si do të paraqitej doktrina e Trinitetit më vonë në mësimet e Kishës. Në fakt, nga fundi i shekullit të katërt, në thelb Triniteti kishte marrë formën që ka sot, bashkë me të ashtuquajturën pjesë të tretë të Hyjnisë, frymën e shenjtë.

PSE DUHET TË TË INTERESOJË?

Jezui tha se «adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me . . . të vërtetë». (Gjoni 4:23) Kjo e vërtetë është dokumentuar në Bibël. (Gjoni 17:17) A mëson Bibla se Ati, Biri dhe fryma e shenjtë janë tre persona në një Perëndi?

 Pikësëpari, Bibla nuk e përmend fare fjalën Trinitet. Përveç kësaj, Jezui nuk tha kurrë se ishte i barabartë me Perëndinë. Përkundrazi, ai e adhuronte Perëndinë. (Luka 22:41-44) Një linjë e tretë dëshmie ka të bëjë me marrëdhënien e Jezuit me dishepujt. Edhe pasi u ngrit nga të vdekurit për të shkuar në qiell, Jezui i quajti dishepujt ‘vëllezërit e mi’. (Mateu 28:10) A ishin ata vëllezër të Perëndisë së Plotfuqishëm? Pa dyshim që jo. Por, përmes besimit te Krishti, Birit të parëlindur të Perëndisë, edhe ata bëheshin bij të të vetmit Atë. (Galatasve 3:26) Krahaso disa shkrime të tjera me pohimet e mëposhtme të kredos së Këshillit të Nicesë.

Çfarë thotë kredoja e Nicesë:

«Ne besojmë . . . në një Zotëri Jezu Krisht . . . që është e njëjta substancë me Atin, Perëndinë e Perëndive, Dritën e Dritave, thelbin e vetë Perëndisë.»

Çfarë thotë Bibla:

  • «Ati është më i madh se unë [Jezui].»Gjoni 14:28. *

  • «Unë [Jezui] po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.»Gjoni 20:17.

  • «Për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati.»1 Korintasve 8:6.

  • «Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht.»1 Pjetrit 1:3.

  • «Këtë thotë Ameni, [Jezui], . . . Fillimi i krijesës së Perëndisë.»Zbulesa 3:14. *

^ par. 13 Kursivi është yni. Të gjitha citimet në këtë pjesë, janë marrë nga Bibla Diodati i Ri.

^ par. 17 Botimi për studim biblik Çfarë mëson vërtet Bibla? përmban edhe këto dy mësime: «Cila është e vërteta rreth Perëndisë?» dhe «Kush është Jezu Krishti?» Mund ta merrni këtë libër nga Dëshmitarët e Jehovait ose ta lexoni online në www.ps8318.com/sq.