Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PORTRETE NGA E KALUARA

Spanja dëbon moriskot

Spanja dëbon moriskot

Thuhet se çdo lëvizje që bënin spanjollët në këtë histori të trishtë, ndikohej nga kisha. Është një histori që ia vlen ta lexosh.

MONARKIA spanjolle donte që të ekzistonte një shtet i krishterë me një kod të vetëm ligjor. Moriskot konsideroheshin të pafe, prandaj, prania e tyre përbënte një shkelje të rëndë në sytë e Perëndisë; kështu arsyetonin ata. Shumë vite më vonë, u mor një vendim: duheshin dëbuar! *

KTHIM I DETYRUAR NË BESIM

Për qindra vjet, arabo-berberët e Spanjës—një minoritet mysliman i quajtur mudehar—jetonin në njëfarë paqeje në zonat nën kontrollin katolik. Për njëfarë kohe, në disa zona ata gëzonin një status ligjor që i lejonte t’u përmbaheshin ligjeve dhe zakoneve të tyre dhe të praktikonin fenë e tyre.

Por në vitin 1492, monarkët katolikë Ferdinandi II dhe Izabela pushtuan Granadën, pjesën e fundit të Iberisë që ishte ende nën kontrollin mysliman. Sipas kushteve të dorëzimit, popullata arabo-berbere atje gëzonte të drejta të ngjashme me mudeharët. Gjithsesi, s’kaloi shumë dhe udhëheqësit katolikë e intensifikuan përndjekjen dhe presionin ndaj minoritetit mysliman brenda territorit të tyre që të ndërronin besim. Arabo-berberët protestuan ndaj shkeljes së marrëveshjes së mëparshme,  dhe në vitin 1499 shpërthyen në revoltë. Trupat qeveritare e shtypën këtë kryengritje. Kështu më pas, nga njëra zonë në tjetrën, myslimanët u detyruan ose të ndërronin besim, ose të emigronin. Spanjollët i quajtën morisko ata që ndërruan besim dhe që qëndruan në Spanjë.

«AS TË KRISHTERË TË MIRË, AS NËNSHTETAS BESNIKË»

Në vitin 1526, islamizmi u ndalua në gjithë Spanjën. Prapëseprapë, shumë morisko vazhduan ta praktikonin në fshehtësi besimin e tyre. Në përgjithësi, si popull ata e ruajtën kulturën e tyre.

Si fillim u tolerua shërbimi i tyre sa për sy e faqe ndaj katolicizmit. Në fund të fundit, ata luanin një rol shumë të rëndësishëm, pasi ishin artizanë, zejtarë, punëtorë dhe taksapagues. Prapëseprapë, fakti që moriskot në përgjithësi nuk pranuan të integroheshin, nuk u pa me pëlqim dhe ata u diskriminuan si nga qeveria, edhe nga populli. Paragjykime të tilla mund të jenë ushqyer ngaqë kisha dyshonte gjithnjë e më shumë nëse ata e kishin ndërruar me gjithë zemër fenë e tyre.

Por s’kaloi shumë dhe këtij tolerimi ia zuri vendin përdorimi i forcës. Në vitin 1567 u bë i ditur vendimi i mbretit Filipi II për të ndaluar gjuhën, veshjen, zakonet dhe traditat e tyre. Ky vendim provokoi sërish rebelim dhe gjakderdhje.

Është llogaritur se rreth 300.000 morisko u detyruan ta linin Spanjën mes shumë vuajtjesh

Sipas historianëve, sundimtarët e Spanjës u bindën se «moriskot nuk ishin as të krishterë të mirë, as nënshtetas besnikë». Për këtë arsye, ata u akuzuan se favorizuan një pushtim të vendit duke komplotuar me armiqtë e Spanjës—piratët berberë, protestantët francezë dhe turqit. Si paragjykimet, edhe frika se mos moriskot do të bëheshin tradhtarë me kalimin e kohës, e nxitën Filipin III në vitin 1609 të merrte vendimin për t’i dëbuar. * Në vitet pasuese, ata që dyshoheshin se ishin morisko, përndiqeshin. Me anë të këtyre veprimeve të ulëta, Spanja u bë krejtësisht katolike.

^ par. 4 Në spanjisht, fjala moriskot ka kuptimin «arabo-berberët e vegjël». Historianët përdorin këtë term në një mënyrë jo fyese për t’iu referuar njerëzve me prejardhje myslimane që u kthyen në katolicizëm dhe qëndruan në Gadishullin Iberik pas rënies së mbretërisë së fundit myslimane atje në vitin 1492.

^ par. 12 Gjithashtu, historianët spekulojnë se të paktën një nga sundimtarët e Spanjës përfitoi jashtë mase nga konfiskimi i pasurive të moriskove.