Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | VEGIME QË NA ZBULOJNË QIELLIN

Kush është në qiell?

Kush është në qiell?

A ke menduar ndonjëherë çfarë ka në qiell dhe kush banon atje? Nëse po, nuk je i vetmi. Për mijëra vjet, njerëzit kanë hamendësuar goxha për këtë. Disa besojnë se atje janë paraardhësit e vdekur, të cilët duhen nderuar. Të tjerë e imagjinojnë si një vend paqeje e lumturie që e quajnë parajsë, ku jetojnë engjëjt dhe njerëzit e mirë pas vdekjes. Kurse disa e mendojnë si vendbanimin e qindra milionë perëndive.

Shumë njerëz arsyetojnë se nuk mund ta dimë çfarë ka në qiell, përderisa askush nuk ka zbritur prej andej që të na tregojë. Mirëpo, ky lloj arsyetimi nuk është i saktë. Jezu Krishti ishte në qiell para se të zbriste në tokë. Ai u tha mjaft hapur udhëheqësve fetarë në shekullin e parë: «Nuk zbrita nga qielli për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.» Pra, Jezui po tregonte gjëra që kishte parë me sytë e tij kur u tha apostujve: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa.»​—Gjoni 6:38; 14:2.

Sigurisht, Ati i Jezuit është Perëndia, që e ka emrin Jehova, dhe ‘shtëpia’ e Jehovait është në qiell. (Psalmi 83:18) Domethënë, askush nuk mund të na e përshkruante botën e padukshme më mirë se Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti. Me anë të vegimeve spektakolare, ata u zbuluan shumë gjëra për botën e padukshme shërbëtorëve besnikë.

Artikulli vijues shqyrton pjesë nga Bibla që përshkruajnë çfarë panë këta burra në shumë vegime. Ndërsa lexon këto vegime, ki parasysh se nuk bëhet fjalë për qiellin fizik, për gjëra që shihen e preken. Perëndia nuk na e përshkroi drejtpërdrejt qiellin me terma që do t’i kuptonin vetëm krijesat qiellore, po vendosi t’u jepte njerëzve vegime që t’i përshkruanin me terma të kuptueshëm për ne. Këto vegime do të të ndihmojnë të kuptosh se kush banon në ‘banesat e shumta’ në qiell.