Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ju mund të keni besim të vërtetë

Ju mund të keni besim të vërtetë

Ju mund të keni besim të vërtetë

Kur ishte 19 vjeçe, Sara Xhejni mori vesh se kishte kancer në vezore. Pas operacionit, ajo ndihej mirë dhe ishte optimiste për të ardhmen. Në të vërtetë, ishte aq optimiste, saqë në moshën 20-vjeçare, u fejua dhe filloi të bënte plane për ditën e dasmës. Po atë vit, kanceri iu përsërit dhe mori vesh se i mbeteshin vetëm disa javë jetë. Sara Xhejni vdiq në qershor të vitit 2000, pikërisht para se të mbushte 21 vjeç.

AJO që u bënte përshtypje atyre që e vizitonin Sara Xhejnin në spital, ishte qetësia dhe siguria e saj për të ardhmen, bashkë me besimin e thellë te Perëndia dhe te Fjala e tij, Bibla. Me gjithë tragjedinë e tmerrshme që po kalonte, ajo ishte e sigurt për shpresën e ringjalljes, pra, se do t’i shihte përsëri të gjithë miqtë e saj. (Gjoni 5:28, 29) «Do t’ju shoh të gjithëve në botën e re të Perëndisë»,—thoshte.

Disa nuk e pranojnë këtë lloj besimi, duke e quajtur iluzion. «E çfarë mund të jetë tjetër jeta e përtejme, veçse një bindje ndër njerëzit e pasigurt,—pyet Ludovik Kenedi,—një bindje se me trumbetën e fundit, do të ketë edhe për ta ëmbëlsira, birrë, havjar e tinguj trumbete; se në ndonjë Eden plot gjelbërim, do të jetojnë të lumtur me ata që kanë vdekur para tyre dhe me të tjerë që mund të vijnë më pas?» Kësaj pyetjeje, duhet t’i kundërpërgjigjemi me një pyetje tjetër. Çfarë është më e arsyeshme: të besojmë se «kjo jetë është gjithçka që kemi, pra, më mirë të nxjerrim sa më shumë prej saj», siç sugjeron Kenedi, apo të besojmë te Perëndia dhe te premtimi i tij për ringjalljen? Sara Xhejni zgjodhi të dytën. Si e zhvilloi ajo një besim të tillë?

‘Kërkojeni Perëndinë . . . dhe gjejeni vërtet’

Që të zhvilloni besim te dikush, më parë duhet ta njihni atë dhe të mësoni si mendon e si vepron. Ky proces përfshin edhe mendjen, edhe zemrën. Është tamam e njëjta gjë kur bëhet fjalë për të zhvilluar besim të vërtetë te Perëndia. Duhet ta njihni atë, të mësoni për cilësitë dhe për personalitetin e tij, të zbuloni se sa i besueshëm është treguar në gjithçka që ka thënë e që ka bërë.—Psalmi 9:10; 145:1-21.

Disa mendojnë se kjo është e pamundur. Ata thonë se Perëndia është tepër larg, tepër i mistershëm—nëse ekziston me të vërtetë. «Nëse Perëndia është vërtet aq real, sa u duket të krishterëve si Sara Xhejni,—pyet personi skeptik,—përse nuk na e bën veten të njohur edhe neve, pjesës tjetër?» Por, a është vërtet Perëndia tepër larg dhe i pahetueshëm? Në një fjalim që po u mbante filozofëve dhe intelektualëve në Athinë, apostulli Pavël tha se «Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të» ka siguruar, gjithashtu, gjithçka që nevojitet për ‘ta kërkuar [atë] . . . dhe për ta gjetur vërtet’. Në të vërtetë, Pavli tha: «Ai nuk është larg nga secili prej nesh.»—Veprat 17:24-27.

Atëherë, si mund ta ‘kërkoni Perëndinë . . . dhe ta gjeni vërtet’? Disa e kanë bërë këtë thjesht duke vëzhguar universin përreth tyre. Për shumë veta, kjo në vetvete jep dëshmi të mjaftueshme për t’i bindur se duhet të ketë një Krijues. * (Psalmi 19:1; Isaia 40:26; Veprat 14:16, 17) Ata mendojnë, siç mendonte edhe apostulli Pavël, se «cilësitë e padukshme [të Perëndisë] shihen qartë qysh prej krijimit të botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij».—Romakëve 1:20; Psalmi 104:24.

Keni nevojë për Biblën

Megjithatë, për të ndërtuar një besim real te Krijuesi, keni nevojë për diçka tjetër që ka siguruar ai. Çfarë është kjo? Bibla, Fjala e frymëzuar e Perëndisë, në të cilën ai zbulon vullnetin dhe qëllimin e vet. (2 Timoteut 3:16, 17) «Por, prit pak,—do të thonë disa,—si mund t’i besojmë, vallë, atyre që thotë Bibla, kur shikojmë gjërat e tmerrshme që bëjnë njerëzit të cilët pohojnë se ndjekin Biblën?» Është e vërtetë se i ashtuquajturi krishterim ka një histori tronditëse plot hipokrizi, mizori dhe imoralitet. Por, çdo person i arsyeshëm mund ta shohë se i ashtuquajturi krishterim vetëm pretendon se ndjek parimet biblike.—Mateu 15:8.

Vetë Bibla kishte paralajmëruar se shumë njerëz do të pohonin që adhuronin Perëndinë, por, në të vërtetë, do të ‘mohonin madje edhe pronarin që i bleu’. «Për shkak të këtyre,—tha apostulli Pjetër,—do të shahet udha e së vërtetës.» (2 Pjetrit 2:1, 2) Jezu Krishti tha se këta ishin ‘ata që bëjnë paligjshmëri’, të cilët do të identifikoheshin me qartësi nga veprat e tyre të liga. (Mateu 7:15-23) Ta hedhësh poshtë Fjalën e Perëndisë duke u bazuar në historinë e të ashtuquajturit krishterim është si të flakësh tej një letër që ta dërgon miku yt i besuar, vetëm sepse personi që ta dha këtë letër nuk ka një nam të mirë.

Pa Fjalën e Perëndisë është e pamundur të ndërtojmë besim të vërtetë. Vetëm nëpërmjet faqeve të Biblës Jehovai paraqet, si të thuash, mënyrën se si i mendon ai gjërat. Ai hedh dritë mbi pyetje të tilla të vazhdueshme, si: përse ka lejuar vuajtjet e dhembjet dhe çfarë do të bëjë për këtë gjendje? (Psalmi 119:105; Romakëve 15:4) Sara Xhejni besonte se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. (1 Selanikasve 2:13; 2 Pjetrit 1:19-21) Si e arriti këtë? Jo thjesht ngaqë ia thanë prindërit, por sepse mori kohë për të peshuar me ndershmëri të gjitha dëshmitë që tregojnë se Bibla është një zbulim i pashoq nga Perëndia. (Romakëve 12:2) Për shembull, ajo vërejti ndikimin e fuqishëm të Biblës në jetën e atyre që u përmbahen parimeve të saj. Me ndihmën e botimeve, si Bibla—Fjalë e Perëndisë apo e njeriut?, * shqyrtoi, gjithashtu, me kujdes sasinë e jashtëzakonshme të dëshmive të vetë Biblës, qetë cilat provojnë frymëzimin nga Perëndia.

‘Besimi vjen pas asaj që është dëgjuar’

Mirëpo, nuk mjafton vetëm të kemi një Bibël ose edhe vetëm të besojmë se ajo është e frymëzuar. Apostulli Pavël shkruan se ‘besimi vjen sipas asaj që është dëgjuar’. (Romakëve 10:17) Besimi na ndërtohet duke e dëgjuar Biblën, jo vetëm duke pasur një Bibël. Atë që thotë Perëndia e ‘dëgjojmë’ duke lexuar dhe duke studiuar Fjalën e tij. Edhe të vegjlit mund ta bëjnë këtë. Pavli thotë se «që nga foshnjëria», Timoteut iu mësuan «shkrimet e shenjta» nga nëna e nga gjyshja e tij. A tregon kjo se ndoshta përfshihej ndonjë lloj shpëlarje truri? Jo! Timoteun nuk e manipuluan e as nuk e mashtruan në ndonjë mënyrë. Ai ‘u bind për të besuar’ ato gjëra që dëgjoi e që lexoi.—2 Timoteut 1:5; 3:14, 15.

Sara Xhejni u bind në të njëjtën mënyrë. Ashtu si bereasit e shekullit të parë, ajo ‘e pranoi fjalën [nga prindërit e saj dhe nga mësues të tjerë] me etjen më të madhe të mendjes’. Kur ishte e vogël, pa dyshim, ajo i besonte instinktivisht gjithçkaje që i thoshin prindërit. Më vonë, ndërsa rritej, nuk e pranonte vetëm verbërisht ose në mënyrë pasive çdo gjë që i mësonin. ‘I shqyrtonte me kujdes Shkrimet çdo ditë, për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.’—Veprat 17:11.

Ju mund të ndërtoni besim të vërtetë

Edhe ju mund të ndërtoni besim të vërtetë, atë lloj besimi që apostulli Pavël e përshkroi në letrën e tij drejtuar të krishterëve hebrenj. Ai tha se ky besim është «pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve, edhe pse nuk shihen». (Hebrenjve 11:1) Duke pasur një besim të tillë, do të jeni krejtësisht të sigurt se të gjitha shpresat dhe pritjet tuaja, duke përfshirë premtimin e Perëndisë për ringjalljen, do të plotësohen. Do të bindeni se këto shpresa bazohen në garanci të sigurta, jo në gjëra të imagjinuara. Do ta dini se Jehovai nuk ka dështuar kurrë t’i mbajë premtimet e tij. (Jozueu 21:45; 23:14; Isaia 55:10, 11; Hebrenjve 6:18) Bota e re e premtuar e Perëndisë do të jetë për ju aq reale, sa do t’ju duket sikur tashmë jeni atje. (2 Pjetrit 3:13) Gjithashtu, do ta shihni qartë me sytë e besimit se Perëndia Jehova, Jezu Krishti dhe Mbretëria e Perëndisë janë që të gjitha realitete, jo iluzione.

Nuk ju mungon ndihma për të ndërtuar besim të vërtetë. Përveçse ka vënë në dispozicion me lehtësi Fjalën e tij, Jehovai ka siguruar edhe një kongregacion të krishterë mbarëbotëror, i cili është i përkushtuar për të ndihmuar njerëzit me zemër të drejtë që të ndërtojnë besimin te Perëndia. (Gjoni 17:20; Romakëve 10:14, 15) Pranojeni gjithë ndihmën që siguron Jehovai nëpërmjet kësaj organizate. (Veprat 8:30, 31) E meqë besimi është fryt i frymës së shenjtë të Perëndisë, lutuni vazhdimisht që ajo frymë t’ju ndihmojë të zhvilloni besim të vërtetë.—Galatasve 5:22.

Mos u shkurajoni nga skeptikët, të cilët tallin këdo që pohon se ka besim te Perëndia dhe te Fjala e tij! (1 Korintasve 1:18-21; 2 Pjetrit 3:3, 4) Në të vërtetë, besimi i vërtetë vlen jashtëzakonisht për t’jua forcuar vendosmërinë kundër këtyre sulmeve. (Efesianëve 6:16) Sara Xhejni e provoi se ishte tamam kështu dhe gjithnjë i nxiste të tjerët që e vizitonin në spital që të ndërtonin besimin e tyre. «Bëjeni tuajën të vërtetën,—thoshte ajo.—Studiojeni Fjalën e Perëndisë. Qëndroni afër organizatës së Perëndisë. Lutuni vazhdimisht. Mbahuni të zënë në shërbim të Jehovait.»—Jakovit 2:17, 26.

Duke vënë re besimin e saj te Perëndia dhe te ringjallja, një nga infermieret i tha: «Ti i beson vërtet këto gjëra, apo jo?» Kur e pyeti se çfarë i jepte një pikëpamje kaq optimiste me gjithë sprovat që kishte, ajo u përgjigj: «Besimi te Jehovai. Për mua ai është një mik i vërtetë dhe e dua shumë.»

[Shënimet]

^ par. 8 Shih librin A ka një Krijues që interesohet për ju?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 12 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

[Figura në faqen 6]

«Që nga foshnjëria» Timoteut iu mësuan «shkrimet e shenjta» nga mamaja dhe nga gjyshja

[Figura në faqen 6]

Bereasit u lavdëruan, sepse i shqyrtonin Shkrimet çdo ditë

[Burimi]

Nga «Foto-Drama e Krijimit», viti 1914

[Figurat në faqen 7]

Besimi ndërtohet duke e dëgjuar Biblën dhe duke ia vënë veshin asaj, jo thjesht duke pasur një të tillë

[Figura në faqen 7]

«Do t’ju shoh të gjithëve në botën e re të Perëndisë»