Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të shprehim përzemërsi brenda rrethit familjar

Të shprehim përzemërsi brenda rrethit familjar

Të shprehim përzemërsi brenda rrethit familjar

«DIGJE po qe e zonja! Digje!»​—e sfidoi Tohru gruan e tij, Jokon. * «Do ta djeg që ç’ke me të!»,​—ia ktheu ajo dhe ndezi një fije shkrepëse që të digjte fotografinë ku kishin dalë të dy. Pastaj bërtiti: «Do të bëj shkrumb gjithë shtëpinë!» Tohru iu përgjigj gruas me një shuplakë, duke i dhënë fund grindjes me dhunë.

Tri vite më parë, Tohru dhe Joko filluan të jetonin bashkë si një çift i lumtur. Çfarë, atëherë, nuk shkoi mirë? Edhe pse Tohru dukej një burrë i këndshëm, gruaja e tij mendonte se ai nuk i shfaqte përzemërsi dhe se rrallë interesohej për ndjenjat e saj. Dukej se ai nuk ishte i aftë t’u përgjigjej shfaqjeve të saj të përzemërsisë. Duke mos arritur ta duronte këtë gjë, Joko lëndohej dhe zemërohej gjithnjë e më shumë. Ajo filloi të kishte probleme të tilla, si: pagjumësi, ankth, mungesë oreksi, gjendje acarimi, depresion, dhe madje kishte shpërthime të papritura paniku. Megjithatë, Tohru dukej se nuk shqetësohej shumë për atmosferën e nderë që mbizotëronte në shtëpi. Atij kjo i dukej thjesht diçka e zakonshme.

«Kohë kritike, të vështira për t’u përballuar»

Sot, probleme të tilla janë të zakonshme. Apostulli Pavël paratha se koha jonë do të karakterizohej nga njerëz që nuk kanë «përzemërsi të natyrshme». (2 Timoteut 3:1-5) Fjala origjinale greke që këtu është përkthyer «pa përzemërsi të natyrshme» lidhet ngushtë me fjalën që përshkruan përzemërsinë e natyrshme që ekziston midis pjesëtarëve të familjes. Sigurisht që në kohën tonë kemi parë të mungojë një përzemërsi e tillë. Edhe sikur të ekzistojë përzemërsia, pjesëtarët e familjes ndoshta rrallë e shprehin atë ndaj njëri-tjetrit.

Shumë prindër sot nuk dinë si të shprehin dashuri dhe përzemërsi ndaj fëmijëve të tyre. Disa janë rritur në një ambient familjar pa përzemërsi dhe ndoshta nuk e kuptojnë që jeta mund të ishte më e lumtur dhe më e këndshme nëse do të ndienin e do të shprehnin përzemërsi. Ky duket se ishte edhe rasti i Tohrut. Gjatë fëmijërisë së tij, babai ishte gjithnjë i zënë me punë dhe vinte në shtëpi natën vonë. Rrallë fliste me Tohrun dhe kur fliste thoshte fjalë sharëse. Edhe mamaja e Tohrut punonte gjithë ditën dhe nuk kalonte shumë kohë me të. Televizori ishte dadoja e tij. Në familje nuk kishte as lavdërim, as komunikim.

Një faktor tjetër mund të jetë edhe kultura. Në disa vende të Amerikës Latine, një burrë, për t’i shprehur përzemërsinë gruas së tij, duhet të shkojë kundër kulturës mbizotëruese. Në shumë vende të Lindjes dhe të Afrikës, është kundër traditës që dikush të shprehë përzemërsi me fjalë ose me vepra. Burrat mund ta kenë të vështirë t’u thonë «të dua» bashkëshorteve ose fëmijëve. Gjithsesi, mund të nxjerrim një mësim nga marrëdhënia në familjen e parë, marrëdhënie e cila i ka qëndruar sprovave të kohës.

Marrëdhënie familjare shembullore

Modeli më i mirë për familjen gjendet në marrëdhënien e ngushtë midis Perëndisë Jehova dhe Birit të tij të vetëmlindur. Ata shprehin dashuri ndaj njëri-tjetrit në një mënyrë të përsosur. Gjatë mijëvjeçarëve të panumërt, krijesa frymore, e cila më vonë u bë Jezu Krishti, gëzonte një marrëdhënie të lumtur me Atin. Ai e përshkroi këtë lidhje në këtë mënyrë: «Isha ai, të cilin ai e kishte veçanërisht për zemër ditë për ditë, duke u gëzuar para tij gjithë kohës.» (Fjalët e urta 8:30, BR) Biri ishte kaq i sigurt për dashurinë e Atit sa mundi t’u thoshte të tjerëve se Jehovai e kishte veçanërisht për zemër ditë për ditë. Ai ndihej i lumtur para Atit gjithë kohës.

Edhe kur ishte në tokë si njeri, Jezuit, Birit të Perëndisë iu dha siguria për dashurinë e thellë që kishte Ati për të. Pasi u pagëzua, Jezui dëgjoi zërin e Atit t’i thoshte: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar.» (Mateu 3:17) Çfarë shprehjeje inkurajuese dashurie në fillim të misionit të Jezuit në tokë! Zemra e tij duhet të jetë prekur tek dëgjonte miratimin e Atit ndërsa rifitonte kujtesën e plotë për jetën në qiell.

Kështu, Jehovai lë shembullin më të shkëlqyer të shprehjes së dashurisë në masën më të plotë për familjen e tij universale. Nëse e pranojmë Jezu Krishtin, edhe ne mund të gëzojmë përzemërsinë e Jehovait. (Gjoni 16:27) Ndonëse nuk mund të dëgjojmë fjalë nga qielli, mund ta shohim dashurinë e Jehovait të shprehur në natyrën përreth nesh, në masën e flijimit shpërblyes të Jezuit, si dhe në mënyra të tjera. (1 Gjonit 4:9, 10) Jehovai madje u vë veshin lutjeve tona dhe u përgjigjet atyre në një mënyrë që na sjell sa më shumë dobi. (Psalmi 145:18; Isaia 48:17) Ndërsa kultivojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, thellojmë çmueshmërinë për kujdesin e tij të dashur.

Jezui mësoi nga Ati se si të shfaqte empati, konsideratë, dashamirësi dhe shqetësim të thellë për të tjerët. Ai shpjegon: «Gjithçka që bën [Ati], këto bën po ashtu edhe Biri. Sepse Ati e ka për zemër Birin dhe i tregon atij gjithçka që ai vetë bën.» (Gjoni 5:19, 20) Nga ana tjetër, mund të mësojmë aftësinë se si të shprehim përzemërsi duke studiuar shembullin që la Jezui kur ishte në tokë.​—Filipianëve 1:8.

Përzemërsi brenda familjes, në ç’mënyrë?

Duke qenë se «Perëndia është dashuri» dhe ne u krijuam ‘sipas shëmbëlltyrës së tij’, kemi aftësinë për të ndier dhe për të shprehur dashuri. (1 Gjonit 4:8; Zanafilla 1:26, 27) Por, kjo aftësi nuk sjell fryte automatikisht. Që të shprehim përzemërsi, së pari duhet të ndiejmë përzemërsi ndaj bashkëshortit dhe fëmijëve. Jini të vëmendshëm dhe vëreni cilësitë e pëlqyera të tyre, sado të parëndësishme mund të duken në fillim dhe përqendrohuni në mendime të tilla. ‘Nuk ka asgjë tërheqëse te burri im [gruaja ose fëmijët e mi]’,​—mund të thoni. Ata që janë martuar me mblesëri mund të kenë pak përzemërsi për bashkëshortin. Disa mund të mos kenë dashur fëmijë. Megjithatë, le të shqyrtojmë se çfarë ndiente Jehovai për gruan e tij figurative, kombin e Izraelit, në shekullin e dhjetë p.e.s. Kur profeti i tij Elija arriti në përfundimin se nuk kishte adhurues të tjerë të Jehovait midis kombit prej dhjetë fisesh të Izraelit, Jehovai i këqyri me kujdes dhe gjeti një numër të konsiderueshëm njerëzish, gjithsej 7.000 veta, të cilët kishin cilësi tërheqëse në sytë e tij. A mund ta imitoni Jehovain duke kërkuar cilësitë e mira te pjesëtarët e familjes suaj?​—1 Mbretërve 19:14-18.

Sidoqoftë, që pjesëtarët e familjes suaj të ndiejnë përzemërsinë tuaj, duhet të bëni një përpjekje të vetëdijshme për t’ua përcjellë atë. Sa herë që të vini re diçka për t’u lavdëruar, shpreheni çmueshmërinë me fjalë. Kur bën përshkrimin e një gruaje të aftë, Fjala e Perëndisë thekson një karakteristikë interesante të familjes së saj: «Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon.» (Fjalët e urta 31:28) Vini re sa lirisht e shprehnin çmueshmërinë për njëri-tjetrin pjesëtarët e familjes. Duke e lavdëruar me fjalë gruan, një baba lë një shembull të shkëlqyer për të birin, duke e inkurajuar që kur të martohet të jetë bujar në lavdërimin e bashkëshortes.

Po ashtu, prindërit duhet të lavdërojnë fëmijët. Kjo mund të ndihmojë të rritë në zemrën e fëmijëve respektin për veten. Në fakt, si mund ‘ta dojë’ një person ‘të afërmin e tij si vetveten’ nëse nuk ka respekt për veten e tij? (Mateu 22:39) Nga ana tjetër, nëse prindërit i kritikojnë gjithnjë fëmijët, duke mos i lavdëruar fare, fëmijët mund të humbin lehtë respektin për veten dhe mund ta kenë të vështirë të shfaqin përzemërsi për të tjerët.​—Efesianëve 4:31, 32.

Mund të gjeni ndihmë

Ç’të themi nëse nuk jeni rritur në një shtëpi me dashuri? Prapëseprapë, mund të mësoni si të shprehni përzemërsi. Hapi i parë është të kuptoni problemin dhe të pranoni se keni nevojë për t’u përmirësuar. Fjala e Perëndisë, Bibla, është një ndihmë e madhe në këtë drejtim. Ajo mund të krahasohet me një pasqyrë. Kur e shqyrtojmë veten me anë të mësimeve biblike që janë si një pasqyrë, na zbulohen defektet ose të metat në mënyrën tonë të të menduarit. (Jakovit 1:23) Mund të ndreqim çdo prirje të papërshtatshme, në harmoni me mësimet biblike. (Efesianëve 4:20-24; Filipianëve 4:8, 9) Duhet ta bëjmë këtë rregullisht, ‘duke mos u dorëzuar kurrë duke bërë atë që është e shkëlqyer’.​—Galatasve 6:9.

Disa mund ta kenë të vështirë të shfaqin përzemërsi për shkak të mënyrës si janë rritur ose të kulturës. Sidoqoftë, studimet e kohëve të fundit tregojnë se këto pengesa mund të kapërcehen. Dr. Daniel Golman, specialist në fushën e shëndetit mendor, shpjegon se ‘edhe zakonet më thellësisht të rrënjosura të zemrës, të mësuara në fëmijëri, mund të ndryshohen’. Më tepër se 19 shekuj më parë, Bibla tregonte se me ndihmën e frymës së Perëndisë, edhe prirjet më të ngulitura të zemrës mund të transformohen. Ajo na këshillon: «Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe vishuni me personalitetin e ri.»​—Kolosianëve 3:9, 10.

Pasi problemi është identifikuar, familja mund ta studiojë Biblën duke pasur në mendje nevojat e saj. Për shembull, përse të mos hulumtoni se çfarë thotë Bibla për ‘përzemërsinë’? Mund të gjeni shkrime të tilla, si ky: «Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë përfundimin që i dha Jehovai, se Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm.» (Jakovit 5:11) Pastaj shqyrtoni tregimin biblik të Jobit, duke u përqendruar në atë se në ç’mënyrë Jehovai ishte i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm ndaj Jobit. Pa dyshim, do të doni të imitoni Jehovain për të qenë të butë në përzemërsi dhe të mëshirshëm ndaj familjes suaj.

Megjithatë, duke qenë të papërsosur, «të gjithë ne pengohemi shumë herë» në përdorimin e gjuhës. (Jakovit 3:2) Brenda rrethit familjar, mund të mos arrijmë të përdorim gjuhën në mënyrë inkurajuese. Në këtë rast është e nevojshme të lutemi dhe të mbështetemi te Jehovai. Të mos dorëzohemi. ‘Të lutemi pa pushim.’ (1 Selanikasve 5:17) Jehovai do të ndihmojë ata që përpiqen të jenë të përzemërt në familje, si edhe ata që duan ta shfaqin përzemërsinë, por janë të frenuar për të vepruar në këtë mënyrë.

Veç kësaj, Jehovai me dashamirësi ka siguruar ndihmë në kongregacionin e krishterë. Jakovi shkroi: «A ka mes jush ndonjë të sëmurë [nga ana frymore]? Le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten mbi të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait.» (Jakovit 5:14) Po, pleqtë në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait mund të jenë një ndihmë e madhe për familjet, pjesëtarët e të cilave kanë probleme të shfaqin përzemërsi ndaj njëri-tjetrit. Megjithëse nuk janë psikologë, pleqtë mund t’i ndihmojnë bashkëbesimtarët me durim, duke mos u thënë atyre se çfarë duhet të bëjnë, por duke u kujtuar pikëpamjen e Jehovait dhe duke u lutur me ta e për ta.​—Psalmi 119:105; Galatasve 6:1.

Në rastin e Tohrut dhe të Jokos, pleqtë e krishterë i dëgjonin gjithmonë problemet e tyre dhe i ngushëllonin ata. (1 Pjetrit 5:2, 3) Në disa raste, një plak dhe gruaja e tij i vizitonin në mënyrë që Joko të mund të nxirrte dobi nga shoqëria e një gruaje të krishterë me përvojë, e cila mund t’i kujtonte Jokos ‘të sillej në vete që ta donte burrin e saj’. (Titit 2:3, 4) Duke treguar kuptueshmëri dhe empati për vuajtjet dhe brengat e të bashkëkrishterëve, pleqtë bëhen «një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit».​—Isaia 32:1, 2.

Me ndihmën e pleqve dashamirës, Tohru arriti të kuptonte se ai kishte një problem në shprehjen e emocioneve dhe se në «ditët e fundit», Satanai e sulmon familjen. (2 Timoteut 3:1) Tohru vendosi ta përballonte problemin e tij. Ai filloi të shihte se dështimet për të mos shprehur dashuri vinin ngaqë nuk kishte provuar dashuri kur rritej. Nëpërmjet një studimi serioz të Biblës dhe me anë të lutjes, Tohru gradualisht u bë më i ndjeshëm ndaj nevojave emocionale të Jokos.

Ndonëse kishte qenë e zemëruar me Tohrun, kur Joko e kuptoi prejardhjen e tij familjare dhe kur pa të metat e saj, ajo bëri përpjekje serioze për të parë cilësitë e mira te burri. (Mateu 7:1-3; Romakëve 5:12; Kolosianëve 3:12-14) Ajo iu lut me ngulm Jehovait që t’i jepte forcë të vazhdonte ta donte burrin. (Filipianëve 4:6, 7) Me kalimin e kohës, për kënaqësinë e gruas, Tohru filloi të shprehte përzemërsi.

Po, edhe sikur ta keni të vështirë të ndieni dhe të shprehni përzemërsi brenda familjes, patjetër mund ta kapërceni këtë problem. Fjala e Perëndisë na jep drejtim të shëndetshëm. (Psalmi 19:7) Nëse e kuptoni sa serioze është kjo çështje, nëse përpiqeni të shihni cilësitë e mira te pjesëtarët e familjes, nëse studioni dhe zbatoni Fjalën e Perëndisë, nëse mbështeteni te Jehovai nëpërmjet lutjes së zjarrtë e duke kërkuar ndihmën e pleqve të krishterë të pjekur, mund ta kapërceni atë që mund t’ju duket një pengesë e pakapërcyeshme midis jush dhe familjes suaj. (1 Pjetrit 5:7) Edhe ju mund të provoni gëzim, siç provoi një burrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u nxit që të shprehte përzemërsi ndaj gruas. Kur më në fund mori guximin të thoshte «të dua», ai u habit nga reagimi i saj. Me lot gëzimi në sy, ajo tha: «Edhe unë të dua, por është hera e parë në këto 25 vjet që ma the në këtë mënyrë.» Mos prisni kaq shumë për ta shprehur përzemërsinë ndaj bashkëshortit dhe fëmijëve tuaj!

[Shënimi]

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.

[Figura në faqen 28]

Jehovai siguron ndihmë në Fjalën e tij, Biblën