Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Në ç’kuptim Ezekieli u bë «memec» gjatë kohës së rrethimit e të shkatërrimit të Jerusalemit?

Kryesisht në kuptimin që nuk kishte asgjë për t’i shtuar mesazhit profetik të Jehovait që tashmë kishte shpallur.

Profeti Ezekiel e filloi shërbimin si rojë besnike për të mërguarit izraelitë në Babiloni, në ‘vitin e pestë të robërisë së mbretit Jehojakin’, domethënë në vitin 613 p.e.s. (Ezekieli 1:2, 3) Ditën e dhjetë të muajit të dhjetë hënor të vitit 609 p.e.s., ai u njoftua nën frymëzimin hyjnor se do të fillonte rrethimi i Jerusalemit nga babilonasit. (Ezekieli 24:1, 2) Si do të përfundonte rrethimi? A do të shpëtonin Jerusalemi dhe banorët e tij pa besim? Duke qenë rojë, Ezekieli tashmë e kishte shpallur mesazhin e qartë të gjykimit që i kishte thënë Jehovai. Prandaj nuk ishte e nevojshme që Ezekieli t’i shtonte diçka tjetër për ta bërë edhe më bindës. Ezekieli u bë memec në lidhje me çdo gjë tjetër që kishte të bënte me rrethimin e Jerusalemit.—Ezekieli 24:25-27.

Rreth gjashtë muaj pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., Ezekieli, i cili ndodhej në Babiloni, mori nga një njeri që kishte shpëtuar, lajmin e shkretimit të qytetit të shenjtë. Mbrëmjen përpara se të mbërrinte ky njeri, Jehovai ‘i hapi gojën Ezekielit dhe ai nuk ishte më memec’. (Ezekieli 33:22) Kështu periudha kur Ezekieli ishte memec, përfundoi.

A ishte Ezekieli memec në kuptimin e mirëfilltë? Sigurisht që jo, sepse edhe pasi u bë «memec» ai shpalli profeci që drejtoheshin kryesisht kundër vendeve përreth, të cilat u gëzuan për rënien e Jerusalemit. (Ezekieli, kapitujt 25-32) Në fillim të shërbimit të tij si profet dhe si rojë, Jehovai i kishte thënë Ezekielit: «Unë do të bëj që gjuha jote të ngjitet në qiellzën tënde dhe do të mbetesh memec, kështu nuk do të jesh më për ta dikush që i qorton, sepse janë një shtëpi rebele. Por kur do të të flas, do të të hap gojën.» (Ezekieli 3:26, 27) Kur Jehovai nuk kishte më asnjë mesazh për Izraelin, Ezekieli qëndroi pa folur për atë komb. Ezekieli duhej të thoshte atë që donte Jehovai dhe në kohën kur dëshironte Ai. Fakti që Ezekieli qëndroi memec do të thoshte se qëndroi pa shpallur fjalë me domethënie profetike për izraelitët.

Klasa e sotme e rojës, pra të krishterët e mirosur, kanë kohë që lajmërojnë gjykimin e të ashtuquajturit krishterim, pra të Jerusalemit antitipik. Kur të godasë ‘shtrëngimi i madh’ e të shkretojë ‘Babiloninë e Madhe’, pra perandorinë botërore të fesë së rreme, klasës së mirosur të Ezekielit nuk do t’i duhet të thotë më asgjë për fundin e të ashtuquajturit krishterim, i cili përbën një pjesë të madhe të kësaj perandorie.—Mateu 24:21; Zbulesa 17:1, 2, 5.

Po, do të vijë dita kur mbetja e mirosur dhe shokët e tyre do të bëhen memecë, duke mos pasur më asgjë tjetër për t’i shpallur të ashtuquajturit krishterim. Kjo do të ndodhë në kohën kur «dhjetë brirët» dhe «bisha» do ta bëjnë të shkretuar e lakuriq Babiloninë e Madhe. (Zbulesa 17:16) Sigurisht, kjo nuk do të thotë se të krishterët do të jenë memecë në kuptimin e mirëfilltë. Ashtu siç bëjnë edhe sot, ata do ta lëvdojnë Jehovain e do ta përmendin emrin e tij çdo ditë dhe «në gjithë brezat që do të vijnë».—Psalmi 45:17; 145:2, BR.