Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mrekullitë e Jezuit: Çfarë mund të mësosh prej tyre?

Mrekullitë e Jezuit: Çfarë mund të mësosh prej tyre?

Mrekullitë e Jezuit: Çfarë mund të mësosh prej tyre?

MUND të çuditesh po të mësosh se në tregimet biblike për jetën e Jezuit në tokë nuk përdoret kurrë termi origjinal grek për fjalën «mrekulli». Termi grek (dynamis) që disa herë është përkthyer «mrekulli», fjalë për fjalë do të thotë «fuqi». (Luka 8:46) Ai mund të përkthehet edhe ‘aftësi’ ose ‘vepra të fuqishme’. (Mateu 11:20; 25:15) Sipas një studiuesi, ky term grek «thekson veprën e fuqishme që është bërë dhe në veçanti fuqinë me anë të së cilës u bë. Kjo vepër përshkruhet si shprehje e fuqisë së Perëndisë në veprim».

Një term tjetër grek (teras) zakonisht përkthehet ‘çudi’. (Gjoni 4:48; Veprat 2:19) Kjo fjalë thekson ndikimin që ka vepra te vëzhguesit. Shpesh turmat e njerëzve dhe dishepujt mahniteshin e befasoheshin nga veprat e fuqishme të Jezuit.​—Marku 2:12; 4:41; 6:51; Luka 9:43.

Termi i tretë grek (semeion) që përdoret në lidhje me mrekullitë e Jezuit ka kuptimin «shenjë». Studiuesi Robert Definbau thotë se ky term «përqendrohet në kuptimin më të thellë të mrekullisë». Ai thotë më tej: «Një shenjë është një mrekulli që përcjell një të vërtetë rreth Zotërisë tonë Jezu.»

Me iluzione apo me fuqi nga Perëndia?

Bibla nuk i përshkruan mrekullitë e Jezuit si mashtrime ose si truke të sajuara për të zbavitur njerëzit. Ato ishin shfaqje të ‘fuqisë madhështore të Perëndisë’, siç ishte në rastin kur Jezui dëboi një demon nga një djalë. (Luka 9:37-43) A do të ishin të pamundura këto vepra të fuqishme për Perëndinë e Plotfuqishëm, për Atë që përshkruhet se ka ‘fuqi madhështore’? (Isaia 40:26) Patjetër që jo!

Në tregimet e Ungjijve përmenden rreth 35 mrekulli të Jezuit, por nuk tregohet numri i përgjithshëm i mrekullive të tij. Për shembull, te Mateu 14:14 thuhet: «Ai [Jezui] pa një turmë të madhe; dhe ndjeu keqardhje për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre.» Nuk thuhet se sa të sëmurë shëroi Jezui në atë rast.

Këto vepra të fuqishme ishin thelbësore për të mbështetur pohimin e Jezuit se ishte Biri i Perëndisë, Mesia i premtuar. Shkrimet e vërtetojnë se Jezui i kreu mrekullitë falë fuqisë që i kishte dhënë Perëndia. Apostulli Pjetër e përshkroi kështu Jezuin: «Një njeri që Perëndia jua tregoi publikisht nëpërmjet veprash të fuqishme, çudirash dhe shenjash që Perëndia bëri në mes jush me anë të tij, ashtu si vetë e dini.» (Veprat 2:22) Në një rast tjetër Pjetri theksoi se «Perëndia e mirosi [Jezuin] me frymë të shenjtë e fuqi dhe ai kaloi nëpër vend, duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë të shtypurit nga Djalli, sepse Perëndia ishte me të».​—Veprat 10:37, 38.

Mrekullitë e Jezuit ndërthureshin me mesazhin e tij. Te Marku 1:21-27 përshkruhet reagimi i njerëzve ndaj mësimit të Jezuit dhe ndaj një mrekullie që bëri. Te Marku 1:22 thuhet se turmat «mahniteshin me mënyrën se si mësonte», kurse te vargu 27 tregohet se njerëzit mbetën «të befasuar» kur ai dëboi një demon. Si veprat e fuqishme të Jezuit, ashtu edhe mesazhi i tij, dhanë prova se ishte Mesia i premtuar.

Jezui nuk u mjaftua vetëm duke pohuar me fjalë se ishte Mesia. Përveç fjalëve dhe veprave, edhe fuqia që i kishte dhënë Perëndia e me të cilën kreu mrekulli siguroi dëshmi se ishte vërtet Mesia. Kur i bënë pyetje për rolin dhe autoritetin e tij, Jezui u përgjigj me guxim: «Unë e kam dëshminë më të madhe se ajo e Gjonit [Pagëzorit], sepse vetë veprat që Ati im më caktoi për të kryer, pikërisht ato vepra që po bëj, japin dëshmi për mua se Ati më dërgoi.»​—Gjoni 5:36.

Dëshmi të vërtetësisë së mrekullive të Jezuit

Pse mund të jemi të sigurt se mrekullitë e Jezuit ndodhën vërtet? Shqyrto disa dëshmi për vërtetësinë e mrekullive të Jezuit.

Kur kryente veprat e fuqishme, Jezui kurrë nuk e drejtonte vëmendjen te vetja. Ai sigurohej që për çdo mrekulli merita dhe lavdia t’i shkonte Perëndisë. Për shembull, përpara se të shëronte një të verbër Jezui theksoi se ky shërim do të ndodhte «që të shfaqeshin veprat e Perëndisë në rastin e tij».​—Gjoni 9:1-3; 11:1-4.

Ndryshe nga iluzionistët, magjistarët dhe ata që thonë se shërojnë me anë të besimit, Jezui nuk përdori asnjëherë hipnozën, dredhitë, shfaqjet e bujshme, formulat magjike ose rituale që ngjallin emocione. Nuk shfrytëzoi besëtytnitë dhe as nuk përdori objekte fetare që shiheshin si të shenjta. Vër re se me sa përulësi i shëroi Jezui dy të verbër. Tregimi thotë: «I shtyrë nga keqardhja, Jezui u preku sytë dhe menjëherë ata fituan shikimin dhe e ndoqën.» (Mateu 20:29-34) Jezui nuk kreu ndonjë ritual, ceremoni ose shfaqje të bujshme. Ai i kryente mrekullitë haptazi, shpesh përpara syve të shumë njerëzve. Nuk përdorte ndriçim special, skena ose objekte skenike të veçanta. Krejt ndryshe nga kjo, të ashtuquajturat mrekulli të ditëve të sotme shpesh nuk mund të provohen.​—Marku 5:24-29; Luka 7:11-15.

Në disa raste Jezui e pranoi se ata që përfituan nga mrekullitë e tij kishin besim. Por, nëse dikush nuk kishte besim, kjo nuk e pengonte Jezuin të kryente mrekulli. Kur ishte në Kapernaum në Galile, «njerëzit i sollën shumë të pushtuar nga demonët; dhe ai i dëboi frymërat me një fjalë dhe i shëroi të gjithë sa hiqnin keq».​—Mateu 8:16.

Jezui i kreu mrekullitë për të plotësuar nevojat fizike që kishin njerëzit dhe jo për të shuar kureshtjen e ndokujt. (Marku 10:46-52; Luka 23:8) Po ashtu, ai nuk kreu kurrë mrekulli për të nxjerrë, në ndonjë mënyrë, përfitim për vete.​—Mateu 4:2-4; 10:8.

A janë të besueshme tregimet e ungjijve?

Faktet për mrekullitë e Jezuit na janë përcjellë nëpërmjet faqeve të katër ungjijve. A ka arsye për të besuar te këto tregime kur shqyrtojmë vërtetësinë e mrekullive që thuhet se bëri Jezui? Po, ka.

Siç e kemi parë tashmë, Jezui i kryente mrekullitë haptazi, përpara syve të shumë njerëzve. Ungjijtë më të hershëm u shkruan në një kohë kur shumica e atyre që i panë vetë mrekullitë ishin ende gjallë. Në lidhje me ndershmërinë e shkrimtarëve të ungjijve, libri Mrekullitë dhe ringjallja (anglisht) thotë: «Të akuzosh shkrimtarët e ungjijve se për të bërë propagandë fetare kanë mbuluar me dashje fakte historike nëpërmjet tregimeve të mrekullive imagjinare, do të ishte një padrejtësi e vërtetë. . . . Ata shkrimtarë kishin si qëllim që t’i dokumentonin gjërat me ndershmëri.»

Kundërshtarët judenj të krishterimit nuk i vunë kurrë në dyshim veprat e fuqishme që përshkruhen tek ungjijtë. Ata debatuan vetëm se me fuqinë e kujt kryheshin ato. (Marku 3:22-26) Madje as më vonë kritikët nuk arritën të mohonin mrekullitë e Jezuit. Përkundrazi, gjatë shekullit të parë e të dytë të e.s. ka pasur referime për mrekullitë e kryera nga Jezui. Qartë, pra, kemi çdo arsye për t’i parë si të vërteta tregimet e ungjijve në lidhje me mrekullitë e Jezuit.

Njeriu që kreu mrekullitë

Shqyrtimi i mrekullive të Jezuit nuk do të ishte i plotë po të trajtonim vetëm argumentet logjike që mbështetin vërtetësinë e tyre. Kur përshkruajnë veprat e fuqishme të Jezuit, ungjijtë zbulojnë se ai ishte një njeri me ndjenja të thella dhe jashtëzakonisht i dhembshur, i cili interesohej me gjithë zemër për mirëqenien e njerëzve.

Shqyrto rastin kur një i sëmurë me lebër iu afrua Jezuit duke iu përgjëruar: «Po të duash ti, mund të më bësh të pastër.» ‘I shtyrë nga keqardhja’ Jezui shtriu dorën dhe e preku të lebrosurin duke i thënë: «Dua. Bëhu i pastër.» Ai njeri u shërua në çast. (Marku 1:40-42) Në këtë mënyrë Jezui shfaqi dhembshurinë që e shtyu ta përdorte fuqinë e dhënë nga Perëndia për të kryer mrekulli.

Ç’ndodhi kur Jezui ndeshi një varg njerëzish që po dilnin nga qyteti i Nainit për të varrosur një të vdekur? I vdekuri, që ishte një i ri, ishte djali i vetëm i një vejushe. ‘I shtyrë nga keqardhja’ për gruan, Jezui iu afrua dhe i tha: «Mos qaj më!» Pastaj ia ringjalli të birin.​—Luka 7:11-15.

Një mësim ngushëllues që mund të nxjerrim nga mrekullitë e Jezuit është se ai ‘shtyhej nga keqardhja’ dhe i bënte gjërat për t’i ndihmuar njerëzit. Por këto mrekulli nuk janë vetëm histori. «Jezu Krishti është i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë»,​—thuhet te Hebrenjve 13:8. Tani ai sundon si Mbret qiellor e është gati dhe në gjendje që fuqitë mrekullibërëse që i ka dhënë Perëndia t’i përdorë në një masë shumë më të madhe se ç’i përdori kur ishte në tokë si njeri. Së shpejti Jezui do t’i përdorë këto fuqi për të shëruar njerëzit e bindur. Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi që të mësosh më shumë për këtë shpresë të shkëlqyer për të ardhmen.

[Figurat në faqet 4, 5]

Mrekullitë e Jezuit ishin një shfaqje e ‘fuqisë madhështore të Perëndisë’

[Figura në faqen 7]

Jezui ishte një njeri me ndjenja të thella