Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’ia shtojmë gëzimin dhe dinjitetin ditës së dasmës?

Si t’ia shtojmë gëzimin dhe dinjitetin ditës së dasmës?

Si t’ia shtojmë gëzimin dhe dinjitetin ditës së dasmës?

«DITA e dasmës ishte një nga ditët më të rëndësishme e më të gëzueshme të jetës sime»,—tha Gordoni, që ka pothuajse 60 vjet martesë. Pse për të krishterët e vërtetë dita e dasmës është kaq e rëndësishme? Sepse ajo është dita kur i bëjnë një premtim atyre që duan shumë: bashkëshortit dhe Perëndisë Jehova. (Mateu 22:37; Efesianëve 5:22-29) Po, çiftet që planifikojnë të martohen, duan të gëzojnë në ditën e dasmës, por edhe të nderojnë Nismëtarin e martesës.—Zanafilla 2:18-24; Mateu 19:5, 6.

Si mund t’ia shtojë dhëndri dinjitetin këtij rasti të lumtur? Po nusja, ç’mund të bëjë për t’i treguar nderim burrit të saj dhe Jehovait? Si mund ta bëjnë më të gëzueshme ditën e dasmës të pranishmit e tjerë? Ja disa parime biblike që do të na ndihmojnë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve. Zbatimi i këtyre parimeve do të zvogëlojë problemet e mundshme që do t’ia hiqnin dinjitetin këtij rasti të veçantë.

Kush është përgjegjës?

Në shumë vende, ceremoninë e martesës mund ta kryejë një shërbëtor Dëshmitar i Jehovait që është autorizuar me ligj. Edhe në vendet ku hapin ligjor duhet ta kryejë një nëpunës i gjendjes civile, çifti mund të dëshirojë që të mbahet një fjalim i bazuar në Bibël. Gjatë këtij fjalimi, zakonisht dhëndrit i kërkohet të meditojë për rolin që i ka caktuar Perëndia si kreu i familjes. (1 Korintasve 11:3) Prandaj, dhëndri ka përgjegjësinë parësore për atë që ndodh gjatë dasmës. Sigurisht, përgatitjet për ceremoninë e martesës dhe për ndonjë festë që mund të bëhet me këtë rast, zakonisht bëhen shumë kohë përpara. Pse mund të sjellë vështirësi kjo?

Një arsye është se të afërmit, nga secila palë, mund të përpiqen kush e kush të ushtrojë ndikimin më të madh në planet e dasmës. Rodolfo, i cili ka kryer shumë ceremoni martese, thotë: «Nganjëherë dhëndrit i bëjnë jashtëzakonisht presion të afërmit, sidomos nëse po e ndihmojnë për të mbuluar shpenzimet e dasmës. Ata mund të kenë bindje të forta se çfarë duhet të bëhet gjatë ceremonisë e gjatë festës. Kjo mund të vërë në rrezik rolin që ka dhëndri sipas Shkrimeve, si ai që është përgjegjës për këtë rast.»

Maksi, i cili ka më shumë se 35 vjet që kryen ceremoni martese, komenton: «Kam vënë re një prirje të re: tani nusja po fillon të marrë drejtimin për të vendosur se çfarë do të ndodhë gjatë martesës dhe gjatë festës, kurse dhëndrit s’i mbetet shumë për të thënë.» Davidi, i cili po ashtu ka kryer shumë ceremoni martese, komenton: «Ndoshta dhëndri nuk është mësuar të marrë drejtimin dhe, në përgjithësi, nuk përfshihet aq sa duhet në përgatitjet e dasmës.» Si mund ta mbajë mbi supe siç duhet përgjegjësinë e tij dhëndri?

Komunikimi shton gëzimin

Që ta mbajë me sukses përgjegjësinë e tij për përgatitjet e dasmës, dhëndri duhet të dijë të komunikojë mirë. Bibla thotë me vend: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim.» (Proverbat 15:22) Gjithsesi, shumë probleme mund të shmangen nëse së pari dhëndri i diskuton planet e dasmës me nusen e tij, me familjarët e me të tjerë që mund të japin këshilla të mira të bazuara në Bibël.

Po, është jetësore që, së pari, çifti i fejuar të diskutojë së bashku planet dhe mundësitë e ndryshme. Përse? Po ja, dëgjoni disa komente nga Ivani dhe gruaja e tij, Deluina, të cilët kanë shumë vite martesë të lumtur, por që vinin nga prejardhje të ndryshme kulturore. Duke rikujtuar planet e tyre të dasmës, Ivani thotë: «Kisha ide të qarta se çfarë doja në dasmën time, përfshirë edhe festën me gjithë miqtë e mi, tortën dhe nusen me fustan të bardhë. Kurse Deluina donte një dasmë të thjeshtë e të vogël, pa tortë. Madje po mendonte nëse mund të vishte diçka tjetër, jo fustan të bardhë.»

Si i zgjidhi ky çift këto mospërputhje? Me anë të komunikimit të dashur e të sinqertë. (Proverbat 12:18) Ivani shton: «Studiuam artikuj të bazuar në Bibël, që flitnin për dasmat, si ato të botuara në Kullën e Rojës, 15 prill 1984. * Ky material na ndihmoi ta shihnim këtë rast nga pikëpamja frymore. Meqë kishim prejardhje të ndryshme, duhej të bënim lëshime në disa zgjedhje personale. Gjetëm një rrugë të mesme.»

Areti dhe Peni ndoqën një rrugë të ngjashme. Për dasmën e tyre, Areti thotë: «Bashkë me Penin diskutuam dëshirat për dasmën, që i kishim të ndryshme, por arritëm të gjenim një marrëveshje që na pëlqeu të dyve. U lutëm që të kishim bekimin e Jehovait për atë ditë. Gjithashtu, kërkova këshilla nga prindërit tanë dhe nga disa çifte të tjera të pjekura në kongregacion. Sugjerimet e tyre na ndihmuan shumë. Rrjedhimisht, dasma jonë ishte vërtet e bukur.»

Mbani dinjitetin në veshje dhe rregullim

Është normale që nusja dhe dhëndri duan të jenë të veshur mirë ditën e dasmës së tyre. (Psalmi 45:8-15) Ndoshta harxhojnë kohë, përpjekje dhe para për të gjetur rrobat e përshtatshme. Cilat parime biblike mund t’i ndihmojnë që të zgjedhin diçka dinjitoze dhe njëkohësisht tërheqëse?

Për shembull, të shqyrtojmë se çfarë vesh nusja në këtë rast. Edhe pse shijet ndryshojnë nga një njeri te tjetri dhe nga një vend në tjetrin, këshilla e Biblës zbatohet kudo. Gratë duhet «të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë». Kjo zbatohet për gratë e krishtere në çdo kohë, e sigurisht edhe në ditën e dasmës. Në të vërtetë, për një dasmë të gëzueshme nuk është e domosdoshme të veshësh «rroba shumë të shtrenjta». (1 Timoteut 2:9; 1 Pjetrit 3:3, 4) Sa mirë është kur zbatohet kjo këshillë!

Davidi, i përmendur më sipër, komenton: «Shumica e çifteve përpiqen të ndjekin parimet biblike dhe meritojnë lavdërime për këtë. Por ka pasur raste kur fustanet e nuseve dhe të shoqërueseve të tyre ishin jomodeste, me një dekolte shumë të thellë ose të tejdukshme.» Kur takohet me nusen dhe dhëndrin më përpara, një plak i krishterë i pjekur i ndihmon të mbajnë një pikëpamje frymore. Si? Duke i pyetur nëse veshja që kanë ndër mend për ditën e dasmës do të ishte aq modeste sa për ta veshur në një mbledhje të krishterë. Kuptohet, stili i veshjes mund të ndryshojë nga rrobat që veshim në mbledhjet normale, dhe veshjet për ditën e dasmës mund të pasqyrojnë zakonet vendëse, por niveli i modestisë duhet të jetë në përputhje me normat dinjitoze të krishtere. Edhe sikur disave në botë t’u duket kufizues kodi moral i Biblës, të krishterët e vërtetë janë të kënaqur që t’u kundërvihen përpjekjeve të botës për t’i modeluar sipas kallëpit të saj.—Romakëve 12:2; 1 Pjetrit 4:4.

«Në vend që t’u jepnim rëndësinë parësore rrobave që do të vishnim ose festës,—thotë Peni,—unë dhe Areti u përqendruam te ceremonia, te pjesa frymore e këtij rasti. Ajo ishte pjesa më e rëndësishme e ditës. Ajo që mbaj mend nga dasma nuk është çfarë vesha ose çfarë hëngra, por me kë e kalova ditën dhe lumturinë që ndjeva sepse po martohesha me njeriun që doja.» Një çift i krishterë bën mirë t’i mbajë në mend këto gjëra, ndërsa bën planet për dasmën.

Salla e Mbretërisë, një vend dinjitoz

Shumë çifte të krishtere dëshirojnë ta bëjnë ceremoninë e martesës në një Sallë Mbretërie, nëse ka një të tillë. Përse e pëlqejnë këtë? Një çift shpjegoi si arsyetuan ata: «E dinim se martesa është e shenjtë, e themeluar nga Jehovai. Martesa në Sallën e Mbretërisë, në vendin tonë të adhurimit, na ndihmoi të ngulitnim në mendje që në fillim se Jehovai duhet të jetë pjesë e martesës sonë. Një e mirë tjetër që erdhi ngaqë e bëmë ceremoninë në Sallën e Mbretërisë, e jo në ndonjë vend tjetër, ishte se u tregoi të afërmve jobesimtarë, që ishin të pranishëm, se sa i rëndësishëm është për ne adhurimi i Jehovait.»

Nëse pleqtë e kongregacionit që janë përgjegjës për Sallën e Mbretërisë japin lejen që të mbahet atje ceremonia e martesës, çifti duhet t’u tregojë që më përpara për përgatitjet që mendojnë të bëjnë. Një mënyrë se si nusja dhe dhëndri mund të tregojnë respektin e duhur për të ftuarit në dasmë, është duke qenë të vendosur të mbërrijnë në kohën e caktuar për ceremoninë. Gjithashtu duan të sigurohen që çdo gjë të bëhet në mënyrë dinjitoze. * (1 Korintasve 14:40) Prandaj do t’i shmangin shfaqjet e pahijshme që ndodhin në shumë dasma në botë.—1 Gjonit 2:15, 16.

Edhe ata që ndjekin dasmën mund të tregojnë që kanë pikëpamjen e Jehovait për martesën. Për shembull, nuk do të presin që ajo dasmë t’ua kalojë dasmave të tjera të krishtere që janë bërë, sikur të kishte ndonjë lloj gare se dasma e kujt ishte më e sofistikuar. Gjithashtu, të krishterët e pjekur e kuptojnë se, të jenë në Sallën e Mbretërisë për të dëgjuar fjalimin e bazuar në Bibël, është më e rëndësishme dhe më e dobishme sesa të jenë në festën që mund të pasojë. Nëse, për shkak të kohës ose rrethanave, një i krishterë mund të jetë i pranishëm vetëm në njërën nga të dyja, me siguri do të dojë të shkojë në Sallën e Mbretërisë. Një plak me emrin Uilliam thotë: «Nëse mysafirët mungojnë pa shkak në Sallën e Mbretërisë, por janë të pranishëm më vonë në festë, tregojnë mungesë çmueshmërie për shenjtërinë e rastit. Edhe sikur të mos jemi ftuar në festë, mund të tregojmë përkrahje për nusen dhe dhëndrin e t’u japim dëshmi të shkëlqyer të afërmve të tyre jobesimtarë, duke qenë të pranishëm në ceremoninë në Sallën e Mbretërisë.»

Gëzim që zgjat përtej ditës së dasmës

Bota e tregtisë i ka kthyer dasmat në një industri të stërmadhe. Sipas një raporti të kohëve të fundit, një dasmë mesatare në Shtetet e Bashkuara «kushton 22.000 dollarë ose gjysmën e të ardhurave [vjetore] mesatare të një familjeje amerikane». Të ndikuar nga propaganda tregtare, shumë të sapomartuar ose familjet e tyre, vetëm për atë ditë hyjnë në borxhe të mëdha që pastaj u duhen vite për t’i shlyer. A është kjo një mënyrë e matur për të nisur martesën? Ata që nuk i dinë parimet biblike ose nuk interesohen për to, mund të pëlqejnë më shumë këtë teprim, por sa ndryshe është situata mes të krishterëve të vërtetë!

Duke e kufizuar festën sipas asaj që është e arsyeshme dhe brenda mundësive e duke u përqendruar tek aspekti frymor i rastit, shumë çifte të krishtere kanë pasur mundësi t’i përdorin kohën dhe të ardhurat e tyre në përputhje me kushtimin që i kanë bërë Perëndisë. (Mateu 6:33) Të shohim rastin e Llojdit dhe të Aleksandrës, që kanë vazhduar në shërbim të plotkohor për 17 vjet pas martesës. Llojdi komenton: «Disave mund t’u jetë dukur shumë e thjeshtë dasma jonë, por mua dhe Aleksandrës na pëlqeu shumë. Ishim të mendimit se dita e dasmës sonë nuk duhej të ishte një barrë financiare për ta mbajtur, por një festim për martesën, të cilën Jehovai e themeloi për t’u sjellë lumturi të madhe dy njerëzve.»

Aleksandra shton: «Para se të martoheshim, unë shërbeja si pioniere dhe nuk doja të hiqja dorë nga ky privilegj vetëm për të pasur një dasmë ekstravagante. Dita e dasmës sonë ishte shumë e veçantë. Por gjithsesi ishte vetëm dita e parë e një jete të tërë që do të kalonim së bashku. Zbatuam këshillën që të mos përqendroheshim tepër te ceremonia e martesës, dhe kemi kërkuar udhëheqjen e Jehovait në jetën tonë si dy njerëz të martuar. Kjo na ka sjellë patjetër bekimin e Jehovait.» *

Po, dita e dasmës është e veçantë. Qëndrimet dhe veprimet që shfaqen atë ditë, mund të vendosin një model të jetës suaj si të martuar në vitet që do të vijnë. Prandaj, kërkojini udhëheqje Jehovait. (Proverbat 3:5, 6) Mbani si gjë kryesore në mendje domethënien frymore të asaj dite. Mbështetni njëri-tjetrin në rolet që ju ka caktuar Perëndia. Kështu mund të hidhni një themel të fortë për martesën tuaj dhe, me bekimin e Jehovait, do të keni gëzimin që zgjat shumë më tepër se dita e dasmës.—Proverbat 18:22.

[Shënimet]

^ par. 11 Një material i mëtejshëm ishte në Zgjohuni!, 8 shkurt 2002, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 20 Nëse çifti dëshiron që dikush të fotografojë ose të filmojë ceremoninë në Sallën e Mbretërisë, duhet të sigurohet që më përpara që të mos bëhet asgjë që do t’ia hiqte dinjitetin dasmës.

^ par. 25 Shih faqen 26 të librit Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 29]

Çifti duhet të komunikojë hapur, por me respekt, ndërsa planifikon dasmën

[Figura në faqen 31]

Mbani si gjë kryesore në mendje domethënien frymore të ditës së dasmës suaj