Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Teprica e tyre plotësoi një mungesë

Teprica e tyre plotësoi një mungesë

ISHTE viti 49 i e.s. Pjetri, Jakovi dhe Gjoni, «që ishin të pranuar si shtylla të kongregacionit», i dhanë një caktim Pavlit dhe bashkëpunëtorit të tij, Barnabës. Ata duhej të mbanin në mendje të krishterët e varfër ndërsa u predikonin kombeve. (Gal. 2:9, 10) Si e përmbushën këtë përgjegjësi?

Letrat e Pavlit tregojnë sa vëmendje i kushtoi ai kësaj çështjeje. Për shembull, të krishterëve në Korint u shkroi: «Sa për mbledhjen e parave për të shenjtët, bëni edhe ju ashtu siç urdhërova kongregacionet e Galatisë. Ditën e parë të çdo jave, secili nga ju të vërë diçka mënjanë në shtëpinë e vet, sipas mbarësisë që ka, që të mos i mblidhni paratë kur të vij unë. Por kur të vij, ata burra që ju do të miratoni me anë të letrave, unë do t’i nis që ta çojnë dhuratën tuaj dashamirëse në Jerusalem.»​—1 Kor. 16:1-3.

Në letrën e tij të dytë të frymëzuar drejtuar korintasve, Pavli pohoi përsëri qëllimin e mbledhjes së parave. «Që teprica juaj tani, të plotësojë mungesën e tyre.»​—2 Kor. 8:12-15.

Kur Pavli u shkroi të krishterëve në Romë rreth vitit 56 të e.s., mbledhja e parave pothuajse kishte përfunduar. Ai tha: «Po bëhem gati të marr udhën për në Jerusalem, që t’u shërbej të shenjtëve. Sepse atyre në Maqedoni dhe në Akai u pëlqeu të ndanin gjërat e veta dhe të jepnin një kontribut për të varfrit e të shenjtëve në Jerusalem.» (Rom. 15:25, 26) Pavli e përmbushi caktimin e tij pas pak kohe, sepse, kur u kthye në Jerusalem dhe e arrestuan, i tha guvernatorit romak, Feliksit: «Mbërrita për t’i sjellë lëmoshë kombit tim dhe për të bërë blatime.»​—Vep. 24:17.

Fryma që tregonin të krishterët e shekullit të parë duket qartë nga ajo që tha Pavli për maqedonasit. Ai pohoi se ata «nisën të na luteshin e të na përgjëroheshin me dëshirën e vet, që të kishin privilegjin të jepnin me dashamirësi». Apostulli i nxiti korintasit të ndiqnin këtë shembull. Ai tha: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» Çfarë i nxiti kongregacionet të ishin kaq bujare? S’ishte vetëm dëshira që ky kontribut ‘të plotësonte me bollëk nevojat e të shenjtëve, por edhe që të pasuronte me shumë shprehje falënderimi drejtuar Perëndisë’. (2 Kor. 8:4; 9:7, 12) Bujaria jonë mund të ketë synime të ngjashme. Perëndia Jehova do ta bekojë me siguri këtë frymë të shkëlqyer dhe altruiste, e bekimi i tij të bën vërtet të pasur.​—Prov. 10:22.

SI ZGJEDHIN DISA TË JAPIN KONTRIBUTE PËR VEPRËN MBARËBOTËRORE

Ashtu si në ditët e apostullit Pavël, shumë veta sot ‘vënë diçka mënjanë’ ose grumbullojnë një sasi parash, të cilën e hedhin në kutitë e kontributeve të kongregacioneve që mbajnë etiketën «Vepra mbarëbotërore». (1 Kor. 16:2) Çdo muaj, kongregacionet ia dërgojnë këto kontribute zyrës së Dëshmitarëve të Jehovait në vendin e tyre. Gjithashtu, ju mund t’ia dërgoni kontributet drejtpërdrejt një korporate ligjore që përdoret nga Dëshmitarët e Jehovait në vendin tuaj. Për të mësuar se cilën korporatë ligjore përdorin Dëshmitarët e Jehovait në vendin tuaj, ju lutemi kontaktoni zyrën e degës që shërben në vend. Adresën e zyrës së degës mund ta gjeni në sitin ueb www.ps8318.com. Mund të dërgoni drejtpërdrejt kontribute në këto forma:

DHURIME PA KUSHT

  • Dhurime në para, bizhuteri ose gjëra të tjera të çmuara që janë pronë personale.
  • Përfshi një letër ku të thuhet se këto janë dhurime pa kusht.

PARA TË LËNA ME KUSHT

  • Dhurime në para me kusht që mund t’i kthehen dhuruesit nëse i nevojiten.
  • Përfshi një letër ku të thuhet se ky është dhurim me kusht.

DHËNIE E PLANIFIKUAR

Përveç dhurimeve në para dhe gjërave të tjera të çmuara që janë pronë personale, ka edhe metoda të tjera dhënieje për ta çuar përpara shërbimin e Mbretërisë në të gjithë botën. Këto janë renditur më poshtë. Pavarësisht nga metoda ose metodat që dëshironi të përdorni, ju lutemi të kontaktoni më parë me zyrën e degës në vendin tuaj, për të parë se cilat metoda janë të vlefshme në vend. Përderisa kërkesat ligjore dhe ligjet e taksave ndryshojnë nga vendi në vend, është e rëndësishme të merrni mendimin e një këshilluesi ligjor dhe fiskal të kualifikuar para se të zgjidhni mënyrën më të mirë të dhurimit.

Sigurimet: Dhurim i bërë duke përcaktuar një korporatë të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait si përfituese të një police sigurimi për jetën ose të një plan pensioni.

Llogaritë bankare: Llogari bankare, certifikata depozitash ose llogari individuale të pensioneve që lihen në mirëbesim ose që i bëhen të pagueshme pas vdekjes një korporate të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait sipas kërkesave bankare vendëse.

Aksionet dhe obligacionet: Aksione dhe obligacione që i dhurohen një korporate të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait si një dhuratë pa kusht.

Pronat e paluajtshme: Prona të paluajtshme që mund të shiten, të cilat i dhurohen një korporate të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait duke bërë një dhuratë pa kusht ose, në rastin e një prone banimi, duke i rezervuar një ambient banimi dhuruesit, i cili mund të vazhdojë të jetojë në të sa të jetë gjallë.

Dhurimi i të ardhurave duke pasur një pagesë vjetore: Para ose sigurime që i dhurohen një korporate të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait, sipas një rregullimi ku dhuruesi ose dikush i caktuar nga ai, merr një pagesë vjetore të përcaktuar çdo vit të jetës. Për vitin kur bëhet dhurimi i të ardhurave, dhuruesi ka lehtësime në tatimin mbi të ardhurat.

Testamentet dhe lënia në mirëbesim: Prona ose para mund t’i lihen në trashëgimi një korporate të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait me anë të një testamenti të bërë ligjërisht ose duke vendosur korporatën si përfituese të një marrëveshjeje mirëbesimi. Ky rregullim mund të sjellë disa lehtësime nga taksat.

Siç nënkuptohet nga termi «dhënie e planifikuar», këto lloj dhurimesh kërkojnë në mënyrë të veçantë disa planifikime nga ana e dhuruesit. Për t’i ndihmuar individët që dëshirojnë të përkrahin veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait me anë të ndonjë forme të dhënies, është përgatitur në gjuhën angleze dhe spanjolle një broshurë e titulluar Dhënie e planifikuar në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Broshura u shkrua për të dhënë informacione për disa mënyra dhurimesh, që mund të bëhen tani ose më vonë, si testament pas vdekjes. Informacioni në këtë broshurë mund të mos zbatohet plotësisht në rastin tuaj për shkak të taksave dhe ligjeve në vendin tuaj. Prandaj, pas leximit të broshurës bëni mirë të merrni mendimin e këshilluesit tuaj ligjor a fiskal. Me anë të këtyre metodave të dhënies, shumë veta kanë mundur të mbështetin veprimtaritë tona fetare e humanitare në të gjithë botën e ndërkohë të kenë më tepër lehtësime nga taksat.

Nëse është në dispozicion në vendin tuaj, kjo broshurë mund të merret duke i kërkuar një kopje sekretarit të kongregacionit.

Për më tepër informacione mund të kontaktoni Zyrën e Dhënies së Planifikuar, qoftë me shkrim, qoftë me telefon, në adresën e treguar më poshtë, ose mund të kontaktoni zyrën e degës në vendin tuaj.