Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po i vjen fundi planetit Tokë?

A po i vjen fundi planetit Tokë?

A po i vjen fundi planetit Tokë?

Cilën nga përgjigjet do të zgjidhnit për pyetjen e mëposhtme?

Si do të jenë kushtet në tokë në të ardhmen e afërt?

(a) Më të mira

(b) Njësoj

(c) Më të këqija

A PËRPIQENI të ruani optimizmin për të ardhmen? Kjo ka shumë të mira. Studimet kanë treguar se njerëzit optimistë arrijnë më shumë mendërisht dhe janë më mirë fizikisht. Madje nga një studim afatgjatë u zbulua se njerëzit optimistë ka shumë më pak të ngjarë të vuajnë nga sëmundjet koronare të zemrës, në krahasim me ata që e shohin me pesimizëm të ardhmen. Ky përfundim është në përputhje me atë që tha Bibla shekuj përpara: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç, por një frymë e dërrmuar i than kockat.»—Proverbat 17:22.

Megjithatë, duke pasur parasysh çfarë parashikojnë shkencëtarët për të ardhmen e planetit Tokë, shumë veta e kanë të vështirë të ruajnë gëzimin dhe optimizmin. Le të shohim vetëm disa nga parashikimet e kobshme që jepen në lajme.

Planeti në rrezik

Në vitin 2002, Instituti i Mjedisit në Stokholm, një institucion i shquar, paralajmëroi se qëndrimi indiferent ndaj mjedisit për hir të zhvillimit ekonomik, mund të shkaktojë «dukuri që mund ta transformojnë rrënjësisht klimën dhe ekosistemet e planetit». Më tej në raport thuhej se varfëria në shkallë botërore, pabarazia e vazhdueshme dhe shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore, mund të çojnë «nga një krizë e mjedisit, e shoqërisë dhe e sigurisë te kriza tjetër».

Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara botuan raportin përmbledhës «Vlerësim rreth ekosistemeve të mijëvjeçarit». Ky ishte rezultat i një studimi katërvjeçar mbarëbotëror për mjedisin, ku u përfshinë më shumë se 1.360 specialistë nga 95 vende. Raporti jepte një paralajmërim të zymtë: «Aktiviteti i njeriut po i mbingarkon kaq shumë funksionet natyrore të Tokës, saqë aftësia e ekosistemeve të planetit për të mikpritur brezat e ardhshëm nuk mund të merret më si diçka e sigurt.» Në studim thuhej se për të parandaluar katastrofën do të duheshin «ndryshime domethënëse në strategji, institucione dhe praktika, ndryshime që ende s’kanë filluar».

Ana Tibajuka, drejtoreshë e Programit të Kombeve të Bashkuara për Strehimin, shpreh se çfarë po besojnë gjithnjë e më shumë studiues. Ajo thotë: «Po të vazhdojmë siç e kemi nisur, na pret një e ardhme e tmerrshme.»

Arsye për optimizëm

Edhe Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e kësaj reviste, besojnë se jemi në prag të ndryshimeve rrënjësore në mbarë tokën. Gjithsesi, ata janë të bindur se këto ngjarje nuk do të sjellin një të ardhme të tmerrshme, por do t’u hapin udhë kushteve më të mrekullueshme që ka provuar bota. Nga vjen ky optimizëm? Vjen nga besimi te premtimet e bëra në Fjalën e Perëndisë, Biblën. Vëreni një nga këto premtime: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—Psalmi 37:10, 11.

A është kjo shpresë vetëm një iluzion? Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, mendoni me kujdes për këtë fakt: mijëra vjet më parë, Bibla paratha me saktësi shumë nga problemet madhore që kanë pllakosur sot tokën dhe njerëzimin. Ju lutemi të lexoni shkrimet në artikullin vijues dhe t’i krahasoni me atë që po ndodh sot në botë. Ndërsa bëni këtë, do t’ju rritet besimi se Bibla e parathotë me saktësi të ardhmen.