Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të lindësh përsëri​—A është kjo rruga drejt shpëtimit?

Të lindësh përsëri​—A është kjo rruga drejt shpëtimit?

Të lindësh përsëri​—A është kjo rruga drejt shpëtimit?

SI DO t’i përgjigjeshe pyetjes: «A ke lindur përsëri?» Miliona besimtarë përreth globit do të përgjigjeshin me një po të fortë. Ata besojnë se të gjithë të krishterët e vërtetë duhet të lindin përsëri dhe se kjo është rruga e vetme drejt shpëtimit. Kështu, janë dakord me pikëpamjen e udhëheqësve fetarë të tillë, si teologu Robert. Ç. Spraul, i cili shkroi: «Nëse një njeri nuk lind përsëri, . . . atëherë nuk është i krishterë.»

A beson edhe ti se po të lindësh përsëri ke hyrë në rrugën e shpëtimit? Nëse po, pa dyshim dëshiron t’i ndihmosh të afërmit dhe miqtë të gjejnë këtë rrugë dhe të fillojnë të ecin në të. Por, që të bëjnë kështu, kanë nevojë të kuptojnë ndryshimin mes një njeriu që ka lindur përsëri dhe atij që nuk ka lindur në mënyrë të tillë. Si do t’ua shpjegoje atyre se ç’do të thotë të lindësh përsëri?

Shumë besojnë se shprehja «të lindësh përsëri», bën fjalë për dikë që bën një premtim solemn për t’i shërbyer Perëndisë dhe Krishtit, e si rezultat, nga një njeri që nuk kishte një marrëdhënie me Perëndinë, bëhet një njeri që ka një marrëdhënie të tillë. Në fakt, një fjalor i sotëm e përkufizon kështu individin e lindur përsëri: «Zakonisht është një i krishterë që ka përsëritur ose ripohuar një zotim fetar, sidomos pas një përvoje fetare emocionuese.»—Merriam-Webster’s Collegiate Dictionary—Eleventh Edition.

A do të habiteshe po të mësoje se Bibla nuk është dakord me këtë përkufizim? A dëshiron të dish se çfarë do të thotë në të vërtetë sipas Fjalës së Perëndisë të lindësh përsëri? Me siguri do të nxjerrësh dobi po të shqyrtosh me kujdes këtë temë. Pse? Sepse po të kuptosh saktë se ç’do të thotë të lindësh përsëri, kjo do të ndikojë në jetën tënde dhe në shpresat e tua për të ardhmen.

Çfarë mëson Bibla?

I vetmi vend në tërë Biblën ku gjendet shprehja «lind përsëri» është te Gjoni 3:1-12, ku përshkruhet një bisedë interesante midis Jezuit dhe një udhëheqësi fetar në Jerusalem. Do ta gjesh këtë tregim biblik të cituar në mënyrë të plotë në kutinë shoqëruese. Të ftojmë ta lexosh me kujdes.

Në këtë tregim, Jezui thekson disa aspekte të ‘lindjes së re’. * Në fakt, fjalët e Jezuit na ndihmojnë t’u përgjigjemi këtyre pesë pyetjeve jetësore:

Sa e rëndësishme është lindja e re?

A mund të zgjedhim ne vetë të lindim përsëri?

Cili është qëllimi i kësaj lindjeje?

Si lind përsëri një individ?

Ç’ndryshim në marrëdhënien mes individit dhe Perëndisë sjell kjo lindje?

Le t’i shqyrtojmë një nga një këto pyetje.

[Shënimi]

^ par. 8 Shprehja «lindje e re» gjendet te 1 Pjetrit 1:3, 23. Ajo është një shprehje tjetër që përshkruan çfarë përjeton dikush kur «lind përsëri». Të dyja shprehjet vijnë nga folja greke gennáo.

[Kutia dhe figura në faqen 4]

«Duhet të lindni përsëri»

«Një farise, që ishte një nga krerët e judenjve dhe që e kishte emrin Nikodem, vajti tek Jezui natën dhe i tha: ‘Rabi, e dimë se ti si mësues ke ardhur nga Perëndia, sepse askush s’mund t’i kryejë këto shenja që kryen ti, po qe se Perëndia nuk është me të.’ Jezui iu përgjigj: ‘Me të vërtetë po të them se, në qoftë se dikush nuk lind përsëri, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.’ Nikodemi e pyeti: ‘Si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë dot për së dyti në barkun e nënës e të lindë?’ Jezui iu përgjigj: ‘Me të vërtetë po të them: nëse dikush nuk lind nga uji dhe nga fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ajo që lind nga mishi, është mish, kurse ajo që lind nga fryma, është frymë. Mos u çudit që të thashë se duhet të lindni përsëri. Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zhurmën, por se nga vjen e ku po shkon, ti nuk e di. Kështu është kushdo që lind nga fryma.’ Nikodemi e pyeti: ‘Si mund të ndodhin këto gjëra?’ Jezui iu përgjigj: ‘Je mësues i Izraelit dhe nuk i ditke këto?! Me të vërtetë po të them: ne themi atë që dimë dhe japim dëshmi për atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë që japim ne. Nëse ju kam thënë gjëra tokësore, e ju nuk besoni, si do të besoni po t’ju them gjëra qiellore?’»—Gjoni 3:1-12.