Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë është besimi?

Çfarë është besimi?

Çfarë është besimi?

SI DO ta përkufizonit besimin? Disa e barazojnë me bindjen e verbër. H. L. Menkeni, eseist dhe gazetar amerikan me influencë, njëherë e quajti besimin «bindje e palogjikshme se mund të ndodhë e pamundura».

Ndryshe nga kjo, Bibla nuk e quan besimin as të verbër, as të palogjikshëm. Fjala e Perëndisë thotë: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara.»—Hebrenjve 11:1.

Meqë ka mendime të ndryshme për besimin, le të shqyrtojmë përgjigjet e pyetjeve vijuese:

Si ndryshon përkufizimi që jep Bibla për besimin nga ajo që mendojnë shumë njerëz?

Pse është jetësore të zhvillojmë atë lloj besimi që përshkruan Bibla?

Si mund ta forconi besimin?

Akt pronësie dhe dëshmi të forta

Në kohën kur u shkrua libri biblik i Hebrenjve, fjala greke e përkthyer «pritja e sigurt» përdorej gjerësisht. Shpesh ajo përdorej në dokumentet tregtare dhe përçonte idenë e një garancie për zotërimin e diçkaje në të ardhmen. Prandaj, një vepër referimi sugjeron se Hebrenjve 11:1 mund të përkthehej: «Besimi është akti i pronësisë për gjërat e shpresuara.»

Nëse keni blerë ndonjëherë një artikull nga një firmë e besueshme dhe më pas keni pritur që t’jua dërgojë, atëherë keni treguar këtë lloj besimi. Fatura që kishit, ju jepte arsye për të pasur besim te firma ku e kishit blerë artikullin. Në njëfarë kuptimi, ajo faturë ishte akti juaj i pronësisë, garancia se do të merrnit atë që kishit blerë. Po ta kishit humbur faturën ose ta kishit hedhur, do të kishit humbur provën që tregonte se ishit pronari i artikullit. Në mënyrë të ngjashme, ata që kanë besim se Perëndia do t’i mbajë premtimet e tij, e kanë të garantuar se do ta marrin atë që shpresojnë. Nga ana tjetër, ata që nuk kanë besim ose e humbin atë, nuk kanë të drejtë të marrin gjërat që premton Perëndia.—Jakovi 1:5-8.

Shprehja e dytë te Hebrenjve 11:1, e përkthyer «dëshmia e dukshme», përçon idenë e paraqitjes së dëshmive për të kundërshtuar diçka që vetëm në dukje është e vërtetë. Për shembull, dielli duket sikur rrotullohet rreth tokës—ngrihet në lindje, lëviz nëpër qiell dhe ulet në perëndim. Megjithatë, dëshmitë nga astronomia dhe matematika tregojnë se toka nuk është qendra e sistemit diellor. Kur i njihni këto dëshmi dhe i pranoni si të vërteta, keni besim se është toka që rrotullohet rreth diellit, pavarësisht se çfarë shihni me sy. Besimi juaj nuk është i verbër. Përkundrazi, ai ju jep aftësinë që t’i shihni gjërat siç janë në të vërtetë, e jo thjesht siç duken.

Sa i rëndësishëm është besimi i fortë?

Ky është lloji i besimit që nxit Bibla: besim i fortë i bazuar në dëshmi të forta, edhe nëse kërkon që të ndreqim bindjet tona. Një besim i tillë është jetësor. Apostulli Pavël shkroi: «Pa besim askush nuk mund t’i pëlqejë Perëndisë. Kush i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është real dhe se i shpërblen ata që vërtet duan ta gjejnë.»—Hebrenjve 11:6, New Century Version.

Për të zhvilluar një besim të fortë, ka shumë sfida që duhen kapërcyer. Por, nëse ndërmerrni katër hapat që përshkruhen në faqet vijuese, mund t’ia dilni mbanë.