Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë të mira të gjitha fetë?

A janë të mira të gjitha fetë?

JETOJMË në një botë ku shumëllojshmëria e feve të huton. Nga një sondazh i kohëve të fundit doli se, në botë, ka 19 fe kryesore dhe nja 10.000 sekte e fe më të vogla. Kjo larmi u servir njerëzve një mori zgjedhjesh, si kurrë më parë. Pra, a ka rëndësi se çfarë feje zgjedh?

Disa njerëz thonë se fetë e ndryshme janë si rrugë të ndryshme që ngjiten në një mal. Për ta nuk ka rëndësi cilën rrugë zgjedhin, pasi të gjitha rrugët të çojnë në të njëjtin vend. Sipas arsyetimit të tyre, meqë ekziston vetëm një Perëndi i Plotfuqishëm, të gjitha fetë me siguri të çojnë tek ai.

A të çojnë te Perëndia të gjitha rrugët?

Çfarë tha për këtë çështje Jezu Krishti, një nga mësuesit fetar më të respektuar në histori? «Hyni nëpër derë të ngushtë»,—u tha ai dishepujve. Pse? «Sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë [e ngushtë, Simon Filipaj] është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!»​—Mateu 7:13, 14, Diodati i Ri.

A po thoshte Jezui se disa fe të çojnë në shkatërrim? Apo po mësonte se vetëm jobesimtarët gjenden në rrugën e hapur ose të gjerë, kurse ata që besojnë te Perëndia janë në rrugën e ngushtë që të çon në jetë, pavarësisht nga feja e tyre?

Menjëherë pasi pohoi se ekzistojnë vetëm dy rrugë, Jezui tha: «Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.» (Mateu 7:15, Diodati i Ri) Më tej Jezui tha: «Jo secili që më thotë: ‘O Zot, O Zot!’ do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.» (Mateu 7:21, Simon Filipaj) Kur dikush quhet profet ose pohon se Jezui është «Zot», menjëherë të shkon në mendje se ai është fetar dhe jo një njeri që nuk beson. Pra, është e qartë se Jezui po paralajmëronte se jo të gjitha fetë janë të mira dhe se nuk duhet t’u zihet besë të gjithë mësuesve fetarë.

A është e mundur të identifikohet rruga e ngushtë?

Bibla është si një hartë e besueshme që të ndihmon të gjesh rrugën e drejtë fetare

Meqë jo të gjitha rrugët të çojnë te Perëndia, si ta gjesh mes mijëra mundësive rrugën e ngushtë që të çon në jetë? Mendo për këtë ilustrim: imagjino sikur ke humbur në një qytet të madh. Vendos të kërkosh ndihmë. Dikush të thotë me bindje që të shkosh majtas. Një tjetër të nxit të shkosh djathtas. Kurse një tjetër të sugjeron që të zgjedhësh drejtimin që të duket ty më mirë. Si përfundim, një udhëtar tjetër nxjerr një hartë të besueshme dhe të tregon rrugën e saktë. Pastaj ta jep hartën që të orientohesh gjatë rrugës. A nuk ndihesh më i sigurt se do të arrish për ku je nisur?

Edhe kur bëhet fjalë për të zgjedhur rrugën e drejtë fetare, kemi nevojë për një «hartë» të besueshme. A ekziston një hartë e tillë? Po. Është Bibla, e cila deklaron: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi.»​—2 Timoteut 3:16, Diodati i Ri.

Në shqip ka disa përkthime të Biblës që mund t’i përdorësh si hartë udhërrëfyese për të të çuar në adhurimin e vërtetë. Botuesit e kësaj reviste, Dëshmitarët e Jehovait, botojnë një përkthim të besueshëm të Biblës të njohur si Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re. Megjithatë, nëse nuk je Dëshmitar i Jehovait, mbase preferon të përdorësh përkthime të tjera kur shqyrton si të dallosh fenë e mirë dhe fenë e keqe. Prandaj, në këtë seri artikujsh shkrimet janë cituar nga disa përkthime të Biblës që respektohen gjerësisht nga fetë e tjera.

Teksa lexon artikujt vijues, krahaso atë që di me atë që thotë Bibla. Mbaj parasysh fjalët e Jezuit për të dalluar fenë e mirë nga feja e keqe. Ai tha: «Çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq. Një pemë e mirë nuk mund të japë fryt të keq, dhe as një pemë e kalbur nuk mund të prodhojë fryt të mirë.» (Mateu 7:17, 18) Mendo vetëm për tri nga frytet e mira për të cilat Bibla thotë se përcaktojnë ‘pemën e mirë’.