Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ata nuk i frikësohen më fundit

Ata nuk i frikësohen më fundit

Ata nuk i frikësohen më fundit

NË FUND të viteve 70 të shekullit të 20-të, Geri dhe Kareni u bindën se fundi i botës ishte afër. Prandaj u shpërngulën nga qyteti në fshat dhe vendosën të jetonin vetëm me gjërat që i siguronin vetë. Donin të mbijetonin.

Për të fituar aftësitë që do t’u duheshin, blenë libra, morën pjesë në klasa e seminare dhe pyetën sa më shumë njerëz që mundën. Ata mbollën një kopsht me perime dhe 50 pemë të vogla frutore. Grumbulluan fara e vegla pune, si dhe mësuan të kultivonin e të ruanin ushqimin. Një shoqe u mësoi si të thernin kafshë dhe të ruanin mishin. Kareni mësoi t’i njihte bimët dhe rrënjët në pyll, që të mund t’i hanin nëse u mbaronin ushqimet. Geri mësoi të prodhonte lëndë djegëse nga misri, bëri një sobë me dru dhe ndërtoi një shtëpi që s’kishte nevojë për furnizime nga jashtë.

Kareni thotë: «Për shkak të kushteve të tmerrshme botërore në atë kohë, mendoja se qytetërimit do t’i vinte fundi shpejt.» Geri shpjegon: «Ashtu si të rinjtë e tjerë, edhe unë përpiqesha aktivisht t’i jepja fund racizmit, Luftës së Vietnamit dhe korrupsionit. Por shumë shpejt u zhgënjeva. Më dukej se njerëzimi po shkonte drejt vetëshkatërrimit.

Një natë kisha ca kohë të lirë, prandaj mora një Bibël dhe lexova nga Mateu deri te Zbulesa. Katër netët e ardhshme lexova përsëri disa pjesë të shkurtra. Në mëngjes, pas këtyre netëve, i thashë Karenit: ‘Po jetojmë në ditët e fundit. Perëndia do të ndërhyjë së shpejti për të pastruar tokën. Duhet të gjejmë ata që do të mbijetojnë.’» Geri dhe Kareni filluan të shkonin nga njëra fe në tjetrën, duke kërkuar ata njerëz që donin të përgatiteshin për fundin.

Pak kohë më pas, një Dëshmitar i Jehovait trokiti në derën e tyre dhe u fillua një studim biblik. Kareni sjell ndër mend: «Isha e emocionuar sepse po m’i shpjegonin tamam Shkrimet. E vërteta rreth ditëve të fundit ishte ajo që kisha kërkuar, dhe më në fund e gjeta. Ekzistonte një shpresë e sigurt për të ardhmen. Por, mbi të gjitha, fillova të krijoja një miqësi me Atin tim qiellor, Krijuesin dhe Perëndinë e gjithë universit.»

Geri thotë: «Jeta ime mori kuptim të vërtetë. Sapo fillova të studioja Biblën, nuk kisha të ngopur. Lexova profeci biblike, shqyrtova prova se ato po përmbusheshin, dhe u binda që Perëndia do të ndërhyjë së shpejti. Mendoja: ‘Njerëzit duhet të përgatiten, jo për katastrofë, por për jetën që Perëndia dëshiron të kemi.’» Geri dhe Kareni fituan një pikëpamje pozitive për të ardhmen. Në vend që të merakoseshin për fundin e botës, ata u bindën se Perëndia do të zhdukë problemet që mundojnë njerëzimin dhe do ta rikthejë tokën në një parajsë.

Çfarë po bëjnë tani Geri dhe Kareni, më se 25 vjet më vonë? Kareni thotë: «Vazhdoj ta rris dashurinë për Perëndinë Jehova dhe besimin tek ai e përpiqem të ndihmoj të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Unë dhe Geri mbështetim njëri-tjetrin ndërsa e mbajmë familjen të fortë e të bashkuar në adhurimin e Perëndisë. Përpiqemi të jemi të organizuar e të bëjmë një jetë të thjeshtë, që të përqendrohemi te të tjerët dhe nevojat e tyre.»

Geri shton: «Lutem rregullisht që të vijë Mbretëria e Perëndisë dhe të sjellë shërim për miliona njerëz. Çdo herë që u flas të tjerëve për lajmin e mirë të Mbretërisë, lutem që të paktën një personi t’i jap sadopak shpresë nga Bibla. Për më shumë se 25 vjet, Jehovai i është përgjigjur me dashamirësi kësaj lutjeje. Unë dhe Kareni besojmë se Jehovai do të sjellë së shpejti ndryshime rrënjësore në tokë, por nuk i frikësohemi më fundit.»—Mateu 6:9, 10; 2 Pjetrit 3:11, 12.

[Figura në faqen 9]

Geri dhe Kareni tani gjejnë gëzim duke ndihmuar të tjerët të marrin shpresë nga mesazhi i Biblës