Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kjo është dita juaj»

«Kjo është dita juaj»

Diplomimi i klasës së 129-të të Galaadit

«Kjo është dita juaj»

MË 11 SHTATOR 2010, afro 8.000 veta u mblodhën për një ngjarje të veçantë​—diplomimi i klasës së 129-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. «Kjo është dita juaj. Jemi këtu të gëzojmë bashkë me ju!»—këto fjalë u tha studentëve Samuel Hërdi, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.

‘Veshi që dëgjon’

Vëlla Hërdi e nisi programin duke folur për nevojën që të gjithë të krishterët ta përdorin mirë «veshin që dëgjon», duke i kushtuar vëmendje Fjalës së Perëndisë. (Proverbat 20:12) Vëlla Hërdi i tha klasës: «Muajt e fundit, ia keni vënë veshin Jehovait dhe do të vazhdoni kështu për gjithë përjetësinë.»

Si mund t’i përdorin me mençuri veshët misionarët e rinj? Vëlla Hërdi tha: «Duke u përqendruar te Fjala e Perëndisë.» Pastaj shtoi: «Gjatë programit të sotëm do të flitet goxha se si të përgatiteni për veprën tuaj si misionarë në vitet në vijim.»

«Besoni te Jehovai me gjithë zemër»

Gerrit Lëshi, anëtar i Trupit Udhëheqës, trajtoi me studentët këtë temë që të bën të mendosh. Ai përmendi raste të shumta se si populli i Perëndisë ka treguar besim te Jehovai: në lashtësi dhe sot.

Vëlla Lëshi nxori në pah se edhe «misionarët kanë nevojë të tregojnë besim në lidhje me caktimet e tyre». Ai tha: «Për shembull, ndoshta pyesni veten: ‘A do të jem në gjendje të mësoj një gjuhë tjetër? A do të përshtatem dot me një kulturë të re? A do arrij ta mposht mallin për shtëpinë?’» Përgjigjja? Vëlla Lëshi e nxiti klasën ‘të besonin te Jehovai’.

Gjithashtu, vëlla Lëshi lexoi Proverbat 14:26, që thotë: «Kush ka frikë nga Jehovai, ka një siguri të madhe.» Besimi ynë te Jehovai do të rritet nëse meditojmë për mënyrat e shumta si na ka bekuar.

Bibla thotë se ai që ka besim te Jehovai «do të bëhet si një pemë e mbjellë pranë ujërave, që i lëshon rrënjët pranë rrjedhës së ujit. Kur të vijë të nxehtët, nuk do ta ndiejë, përkundrazi do ta ketë gjethnajën të dendur».​—Jeremia 17:7, 8.

Mësimi është i qartë. «Pavarësisht se çfarë shtrihet para jush, duhet të keni besim te Jehovai»,—tha vëlla Lëshi.

«Imitoni engjëjt besnikë»

Kjo ishte tema e fjalimit që mbajti Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës. Engjëjt janë një shembull i shkëlqyer për ne. «Çdo gjë që Bibla zbulon për ta, ia vlen të imitohet»,—tha vëlla Leti. Pastaj identifikoi katër tipare të engjëjve besnikë, të cilat bëjmë mirë t’i imitojmë: qëndrueshmërinë, përulësinë, gatishmërinë për të ndihmuar dhe integritetin.

Bibla raporton se një engjëll i rezistoi ‘princit të Persisë’​—një demoni të fuqishëm​—për 21 ditë. (Danieli 10:13) Ky engjëll shfaqi qëndrueshmëri. Vëlla Leti nxori në pah se edhe të krishterët kanë «një përleshje . . . me forcat e liga frymore». (Efesianëve 6:12) «Luftoni fort që të vazhdoni ta përmbushni caktimin»,—u tha studentëve.

Kur Manoahu, babai i Samsonit, e pyeti një engjëll si quhej, ai nuk ia tregoi. Ky engjëll shfaqi përulësi. (Gjykatësit 13:17, 18) Vëlla Leti u tha studentëve: «Kur dikush përpiqet t’ju lëvdojë ose të flasë me admirim për aftësitë që keni, me përulësi largojeni vëmendjen nga vetja dhe drejtojeni te Jehovai e organizata e tij.»​—1 Korintasve 4:7.

Kur Jezui ishte në kopshtin e Getsemanisë pak para vdekjes, «iu shfaq një engjëll nga qielli dhe e forcoi». (Luka 22:43) Ky engjëll tregoi gatishmëri për të ndihmuar. «Përpiquni me lutje të përcaktoni nevojat reale në caktimin tuaj misionar dhe pastaj, me ndihmën e Jehovait, përpiquni t’i ndihmoni të tjerët me nevojat që kanë»,—tha vëlla Leti.

Meqë vetëm një pakicë engjëjsh iu bashkua Satanait në rebelimin e tij, mund të themi se shumica e këtyre krijesave qiellore janë shembuj të shkëlqyer të integritetit.​Zbulesa 12:4.

«Ashtu si ata engjëj besnikë, rezistojini Djallit!—i nxiti studentët vëlla Leti.—Kundërvijuni atij dhe ai do të ikë.»​—Jakovi 4:7.

Tri pika të tjera kryesore nga programi

«Bëjeni Jehovain shkëmbin e zemrës suaj.» Duke folur për këtë temë mjaft tërheqëse, të bazuar te Psalmi 73:26, Geri Broja, anëtar i Komitetit të Degës të Shteteve të Bashkuara, i ndihmoi studentët të vlerësojnë nevojën që të mbështeten te Jehovai. Në ç’kuptim është Jehovai si një shkëmb? «Një shkëmb mund ta mbajë poshtë një copë letre gjatë një stuhie,—tha vëlla Broja.—Në mënyrë të ngjashme, Jehovai mund të jetë një ndikim stabilizues që mund t’i ruajë zemrat tuaja.» Sigurisht, zemra mund të na mashtrojë kur hasim sprova qëndrueshmërie. (Jeremia 17:9) Klima e re, ushqimet e reja, shokët e rinj në shtëpinë misionare​—secila mund ta nxitë ndonjërin të mendojë të heqë dorë nga ky lloj shërbimi. «Do të hasni situata kur do t’ju duhet të shqyrtoni mundësi dhe të merrni vendime. A do të zgjidhni një drejtim që do t’i sjellë kënaqësi Jehovait? Nëse po, Jehovai do të bëhet ‘shkëmbi i zemrës suaj’. Do t’ju drejtojë hapat»,—tha vëlla Broja.

«A keni mjaft besim sa t’i futni këmbët në ujë?» Instruktori i Shkollës së Galaadit, Sam Robersoni, zhvilloi këtë temë, duke e bazuar te kapitulli 3 i Josiut. Si arritën miliona izraelitë të kapërcenin lumin Jordan në kohën kur ai dilte nga shtrati? Jehovai i tha Josiut të urdhëronte priftërinjtë ‘të ndaleshin buzë ujërave të Jordanit’. Perëndia premtoi: «Sapo priftërinjtë . . . të vënë këmbë në ujërat e Jordanit, ujërat . . . do të priten e do të ndalen si digë.» (Josiu 3:8, 13) Vëlla Robersoni u tha studentëve: «Në jetë do të keni ‘Jordanë’ që do t’ju pengojnë nga bekimet, nëse ju i lejoni.» Për shembull, mund ta keni të vështirë të shkoni mirë me misionarët e tjerë. Zgjidhja? «Shih punën, mos shih punëtorët.» Vëlla Robersoni e nxiti klasën: «Nëse tregoni aq besim sa t’i futni këmbët në ujë, Jehovai do t’ju ndihmojë t’i kapërceni ‘Jordanët’ e jetës suaj misionare.»

«Bëjini të sigurta planet tuaja.» Kjo ishte tema që zhvilloi Uilliam Samuelsoni, instruktor i Shkollës së Galaadit. Fjalimi i tij bazohej te Proverbat 16:3, që thotë: «Lërja në dorë Jehovait punët e tua, dhe planet e tua do të jenë të sigurta.» Vëlla Samuelsoni pyeti studentët: «A do të thotë vargu se për t’i bërë të sigurta planet s’duhet të bëni asgjë tjetër veçse ‘t’ia lini në dorë punët tuaja’ Jehovait?» Jo, tha ai, pasi Proverbat 16:1 thotë: «Njeriut i takon të vërë në radhë mendimet e zemrës.» Vëlla Samuelsoni tha: «Jehovai nuk jua vë në radhë mendimet e zemrës me anë të ndonjë mrekullie. Në vend të kësaj, keni nevojë të siguroheni se jeni të nxitur në drejtimin e duhur. Ndërsa studioni, luteni dhe lidheni ngushtë me zyrën e degës vendëse, do të vazhdoni të keni një zemër që do t’ju shërbejë mirë dhe vetë Jehovai do t’jua bëjë të sigurta planet.»

Përvoja dhe intervista

Si pjesë të stërvitjes, studentët e Galaadit shoqërohen me kongregacionet vendëse të Dëshmitarëve të Jehovait në veprën e predikimit publik. Mark Numari, një tjetër instruktor i Shkollës së Galaadit, intervistoi disa studentë për përvojat e tyre. Ajo që u theksua më tepër në këto përvoja ishte roli i lutjes për të gjetur në territor njerëzit me zemër të ndershme.

Për shembull, një çift ishin në një fast-food. Një punëtor vuri re se ata po luteshin në heshtje. Ai u afrua dhe i pyeti nëse ishin Dëshmitarë të Jehovait. Kur e mori vesh se po, punëtori u shpjegoi se ishte rritur si Dëshmitar, por ishte larguar nga besimi. Madje, kishte kryer një krim dhe kishte rënë në burg. Tani ky i ri donte ta kishte përsëri Jehovain në jetën e tij. Gjithashtu tha që, para se çifti të hynte, ai po i lutej Perëndisë, duke i shprehur dëshirën për ndihmë që ta ndreqte jetën. Lutja e tij mori përgjigje!

Duke përdorur temën «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai», Rudi Hartëlli nga Reparti i Korrespondencës së Shkrimit intervistoi Uejn Rixhuein nga Mozambiku, Xhejson Ridin nga Kili dhe Kenxhi Çeçin nga Nepali. Që të tre ishin misionarë të stërvitur në Galaad. Këta vëllezër folën hapur për disa vështirësi që hasën si misionarë të rinj​—mësimi i një gjuhe të huaj, përshtatja me një kulturë të re ose malli për shtëpinë. Vëlla Çeçi tha: «Unë dhe gruaja kishim si synim të zinim shpejt miq në kongregacionin e ri, dhe kjo na ndihmoi. Ndërsa lidheshim më tepër me kongregacionin, e kishim më të lehtë ta duronim mallin për shtëpinë.»

Pak pasi të 56 studentët morën diplomat, një i diplomuar nga klasa lexoi një letër mirënjohjeje prekëse. Një pjesë i drejtohej Trupit Udhëheqës: «Si klasë, e kemi vërejtur vetë si na keni dhënë nga vetja me dashuri dhe pa u kursyer, duke na siguruar këtë shkollë, duke na vizituar në klasë dhe duke na dhënë mësime frymore të shkëlqyera. Ngaqë na përcollët dashurinë tuaj, kur të arrijmë në caktimet tona, do të bëjmë më të mirën që të imitojmë shembullin tuaj të shkëlqyer të dashurisë, durimit, përulësisë dhe interesit personal.»

[Diçitura në faqen 28]

«Kur dikush përpiqet t’ju lëvdojë . . . , largojeni vëmendjen nga vetja»

[Diçitura në faqen 29]

«Në jetë do të keni ‘Jordanë’»

[Tabela dhe harta në faqen 31]

STATISTIKAT E KLASËS

9 vende të përfaqësuara

56 studentë

28 çifte

33,0 mosha mesatare

17,9 mesatarja e viteve që nga pagëzimi

13,3 mesatarja e viteve në shërbimin e plotkohor

[Harta]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Të diplomuarit u caktuan në 25 vendet që tregohen më poshtë

VENDET KU U CAKTUAN MISIONARËT

BOLIVI

BOTSVANË

BULLGARI

KONGO (KINSHASË)

BREGU I FILDISHTË

GAMBIE

GJERMANI

INDI

INDONEZI

KENIA

LIBERI

MAQEDONI

MADAGASKAR

MALAJZI

MOZAMBIK

PANAMA

PERU

POLONI

RUMANI

SERBI

SIERRA-LEONE

SUAZILEND

TANZANI

UGANDË

ZIMBABVE

[Figura në faqen 30]

Studentët e Galaadit demonstrojnë një përvojë nga predikimi

[Figura në faqen 31]

Diplomimi i klasës së 129-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Munaretto, R.; Olofsson, Y.; Budden, K.; Najdzion, L.; Moya, G.; Treviño, G.; Dion, A.; Fleegle, A.

(2) Smith, J.; Michael Raj, J.; Smith, S.; Paramo, A.; McDonald, J.; Deans, M.; Joyal, S.; Watson, L.

(3) Joyal, C.; Crawley, T.; Hacker, D.; Shynkarenko, J.; Knapp, T.; Ayling, J.; Highley, C.; Olofsson, B.

(4) Fitzpatrick, M.; Najdzion, B.; Skallerud, L.; Harris, A.; Harris, S.; Budden, R.; Paramo, Y.; Skallerud, K.

(5) Crawley, B.; Michael Raj, J.; Lodge, A.; Lodge, R.; Herms, N.; Fitzpatrick, J.; Moya, R.; Munaretto, P.

(6) Watson, S.; Deans, M.; Hacker, J.; McDonald, J.; Treviño, J.; Harris, S.; Herms, C.; Harris, P.

(7) Shynkarenko, V.; Highley, T.; Smith, A.; Dion, J.; Ayling, R.; Smith, B.; Knapp, T.; Fleegle, B.