Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mëso nga Fjala e Perëndisë

Pse pagëzohen të krishterët?

Pse pagëzohen të krishterët?

Ky artikull shqyrton pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.

1. Ç’domethënie ka pagëzimi i krishterë?

Pagëzimi është kërkesë për një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Prandaj një i krishterë duhet të pagëzohet jo kur është foshnjë, por kur është aq i rritur sa të mësojë për Perëndinë e të bëhet dishepull i Jezuit. (Veprat 8:12; 1 Pjetrit 3:21) Bëhemi dishepuj të Jezuit kur mësojmë dhe zbatojmë urdhërimet e tij.​—Lexo Mateun 28:19, 20.

Në ditët e apostujve të Jezuit, shumë njerëz vepruan pa vonesë kur bëhej fjalë që të mësonin për Perëndinë dhe për Jezuin. Për shembull, kur një burrë mësoi se vdekja e Jezuit hapi udhën për shpëtim, u bë menjëherë dishepull. Edhe sot mjaft njerëz të sinqertë kanë zgjedhur të bëhen dishepuj të Jezuit.​—Lexo Veprat 8:26-31, 35-38.

2. Pse u pagëzua Jezui?

Jezui ishte rreth 30 vjeç kur Gjon Pagëzori e zhyti në lumin Jordan. Pagëzimi i Jezuit përfaqësonte vendimin e tij për të bërë vullnetin që Perëndia kishte për të. (Hebrenjve 10:7) Kjo do të përfshinte edhe flijimin e jetës për mëkatet e njerëzimit. Madje, që para se të vinte nga qielli në tokë, Jezui gjithmonë e kishte dashur e i ishte bindur Atit të tij, Jehovait.​—Lexo Markun 1:9-11; Gjonin 8:29; 17:5.

3. Pse duhet të pagëzohen të krishterët?

Gjendja jonë ndryshon nga ajo e Jezuit, sepse ne lindim mëkatarë. Megjithatë, vdekja flijuese e Jezuit bën të mundur që të kemi marrëdhënie të mirë me Perëndinë. (Romakëve 5:10, 12; 12:1, 2) Pra është e mundur t’i përkasim si pjesëtarë të familjes së tij. (2 Korintasve 6:18) Si e marrim këtë privilegj? Në një lutje personale ia kushtojmë jetën Jehovait duke u betuar të bëjmë vullnetin e tij për gjithë jetën. Pasi kushtohemi, vendimin e bëjmë të njohur publikisht duke u pagëzuar.​—Lexo Mateun 16:24; 1 Pjetrit 4:2.

4. Si të përgatitesh për pagëzim?

Dëshmitarët e Jehovait studiojnë Biblën me këdo që dëshiron t’i afrohet Perëndisë. Kur studion Biblën dhe shkon në mbledhjet e krishtere, do të të forcohet dashuria për Perëndinë dhe besimi tek ai. Gjithashtu do të të ndihmojnë të zhvillosh qëndrime e zakone të mira. Teksa zhvillon dashurinë, besimin dhe cilësi të tjera që i pëlqejnë Perëndisë, do ta kesh më të lehtë të jetosh në lartësinë e betimit për t’i shërbyer Jehovait përgjithmonë.​—Lexo Gjonin 17:3; Hebrenjve 10:24, 25.

Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 18, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.