Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besimtar i sinqertë dhe qytetar i përgjegjshëm​—Si arrihen të dyja?

Besimtar i sinqertë dhe qytetar i përgjegjshëm​—Si arrihen të dyja?

Besimtar i sinqertë dhe qytetar i përgjegjshëm​—Si arrihen të dyja?

CILAT ishin dy veçori të shërbimit të Jezuit? Së pari, Jezui u përpoq të ndryshonte zemrat e njerëzve, dhe jo institucionet politike. Për shembull, në Predikimin në Mal, pak para se Jezui t’u thoshte dëgjuesve të ishin si kripa dhe drita, ai theksoi se lumturia e vërtetë u përket atyre që «janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë». Ai shtoi: «Lum ata që janë me natyrë të butë, . . . ata me zemër të kulluar, . . . [dhe] paqebërësit.» (Mateu 5:1-11) Jezui i ndihmoi dishepujt të kuptonin rëndësinë që të ndryshonin mënyrën e të menduarit dhe pikëpamjen për normat e Perëndisë për atë që është e mirë dhe e keqe, si dhe rëndësinë që t’i shërbenin me gjithë zemër Perëndisë.

Së dyti, kur Jezui shihte vuajtjet e njerëzve, dhembshuria për të tjerët e shtynte t’ua lehtësonte gjendjen e mjeruar. Gjithsesi, synimi i tij nuk ishte të zhdukte të gjitha vuajtjet. (Mateu 20:30-34) Shëroi të sëmurë, por sëmundjet mbetën ende pjesë e jetës. (Luka 6:17-19) Jezui i lehtësoi të shtypurit, por padrejtësitë vazhduan të shkaktonin vuajtje. Ai siguroi ushqim për të uriturit, por zia e bukës vazhdoi të pllakoste njerëzimin.​—Marku 6:41-44.

Ndryshojnë zemrat dhe lehtësojnë vuajtjet

Pse Jezui u përqendrua të ndryshonte zemrat dhe të lehtësonte vuajtjet, por jo të ndryshonte institucionet ose të zhdukte vuajtjet? Jezui e dinte se Perëndia kishte si qëllim që me anë të Mbretërisë së tij t’u jepte fund tërë qeverive njerëzore dhe të zhdukte shkaqet e të gjitha vuajtjeve në të ardhmen. (Luka 4:43; 8:1) Prandaj, kur dishepujt e nxitën njëherë Jezuin të kalonte më tepër kohë duke shëruar të sëmurët, Jezui u tha: «Le të shkojmë diku gjetkë, në qytezat këtej afër, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë qëllim kam ardhur.» (Marku 1:32-38) Jezui ua lehtësoi vuajtjet fizike shumë vetave, por i dha përparësi predikimit dhe mësimit të Fjalës së Perëndisë.

Sot Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort ta imitojnë Jezuin në veprën e predikimit. Ata nxiten t’ua lehtësojnë vuajtjet nevojtarëve duke u dhënë ndihmë konkrete. Por Dëshmitarët nuk përpiqen të zhdukin padrejtësitë në shkallë botërore. Ata besojnë se Mbretëria e Perëndisë do të eliminojë shkaqet e të gjitha vuajtjeve. (Mateu 6:10) Ashtu si Jezui, ata përpiqen të ndryshojnë zemrat, jo institucionet politike. Kjo është realiste, sepse problemet më të mëdha të njerëzve nuk janë politike, por morale.

Qytetarë të përgjegjshëm

Në të njëjtën kohë, Dëshmitarët e Jehovait mendojnë se, të jenë qytetarë të mirë, është përgjegjësi e krishterë. Prandaj, ata i nderojnë dhe i respektojnë autoritetet qeveritare. Me anë të botimeve dhe veprës së predikimit, i nxitin fqinjët t’i binden ligjit. Megjithatë, kur një qeveri u kërkon diçka që bie ndesh drejtpërdrejt me urdhërimet e Perëndisë, Dëshmitarët nuk bëjnë kompromis. Ata ‘i binden Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’.​—Veprat 5:29; Romakëve 13:1-7.

Dëshmitarët e Jehovait i vizitojnë të gjithë në zonën ku jetojnë që t’u ofrojnë arsimim biblik pa pagesë. Si rezultat i këtij arsimimi, janë ndryshuar miliona zemra. Çdo vit, qindra mijë njerëz janë ndihmuar të mposhtin praktika të dëmshme, si: pirja e duhanit, dehja, keqpërdorimi i drogave, bixhozi dhe shthurja seksuale. Janë bërë qytetarë të moralshëm dhe të përgjegjshëm, sepse kanë mësuar të zbatojnë parimet biblike në jetë.​—Shih artikullin «Bibla të ndryshon jetën», në faqen 18 të kësaj reviste.

Përveç kësaj, arsimimi biblik i ndihmon anëtarët e familjes ta thellojnë respektin për njëri-tjetrin dhe ta përmirësojnë komunikimin mes bashkëshortëve, mes prindërve e fëmijëve, si dhe mes vetë fëmijëve. Këta janë faktorë që i forcojnë lidhjet familjare dhe, si rrjedhojë, familjet e forta formojnë komunitete më të forta.

Pasi rishikuam pikat e shqyrtuara në këta artikuj, si mendon: a i miraton Bibla ata që e përkrahin përzierjen e fesë me politikën? Përgjigjja është e qartë: jo. Por, a duhet të jenë të krishterët e vërtetë qytetarë të përgjegjshëm? Po, duhet. Si ta bëjnë këtë? Duke ndjekur urdhrin e Jezuit për të qenë si kripa dhe drita për botën.

Ata që përpiqen fort t’i zbatojnë udhëzimet praktike të Krishtit i sjellin dobi vetes dhe familjes​—si dhe komunitetit ku jetojnë. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të të japin me kënaqësi më tepër informacion rreth arsimimit biblik që po zhvillohet në vendin ku jeton. *

[Shënimi]

^ par. 12 Nëse dëshiron, mund të kontaktosh Dëshmitarët e Jehovait në www.watchtower.org

[Diçitura në faqen 10]

Jezui u përpoq të ndryshonte zemrat, jo institucionet politike

[Diçitura në faqen 11]

Dëshmitarët e Jehovait mendojnë se është përgjegjësi e tyre të jenë qytetarë të mirë