Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

«Pashë, por nuk kuptova»

«Pashë, por nuk kuptova»

Në vitin 1975, kur isha dy vjeç, mamaja pikasi diçka të pazakontë tek unë. Ajo po më mbante në krahë dhe shoqes së saj i ra në dysheme një objekt i rëndë, që bëri një zhurmë të fortë. Mamaja vërejti që unë s’bëra as lëvizjen më të vogël. Në moshën trevjeçare, ende s’më kishte ardhur goja. Më pas, familja mori vesh lajmin tronditës: specialistët konfirmuan se nuk dëgjoja fare.

Prindërit u divorcuan kur isha ende shumë i vogël, dhe mamaja u detyrua të na rriste e vetme mua bashkë me dy vëllezërit dhe motrën, më të rritur se unë. Në Francën e asaj kohe, fëmijët që nuk dëgjonin, nuk arsimoheshin si sot dhe metodat që përdoreshin, ndonjëherë shkaktonin shumë vuajtje. Prapëseprapë, që nga fëmijëria kam pasur një avantazh që nuk e kanë shumë persona që s’dëgjojnë. Më lejoni t’jua shpjegoj.

Kur isha afro pesë vjeç

Për disa kohë, shumë edukatorë mendonin se fëmijët që s’dëgjojnë, duheshin mësuar të flisnin dhe të lexonin buzët. Në fakt, në Francë, vendi ku u rrita, komunikimi me shenja në shkollë ndalohej kategorikisht. Madje, disa fëmijëve që s’dëgjonin, ua lidhnin duart pas shpine gjatë mësimit.

Vitet e para të jetës, kaloja disa orë çdo javë me një terapiste të të folurit. Më mbante nga nofulla ose nga koka dhe më detyronte të riprodhoja vazhdimisht tinguj që nuk mund t’i dëgjoja. Nuk arrija të komunikoja me fëmijët e tjerë. Ishin vite plot vuajtje.

Më pas, në moshën gjashtëvjeçare, më çuan në një shkollë me konvikt për fëmijët që nuk dëgjojnë. Për herë të parë, takova fëmijë të tjerë që nuk dëgjonin. Edhe atje gjuha e shenjave ishte e ndaluar. Nëse komunikonim me shenja në klasë, rrezikonim të na goditnin gishtat ose të na shkulnin flokët. Gjithsesi, komunikonim me shenja fshehurazi, me kode që i kishim shpikur vetë. Më në fund, mund të komunikoja me fëmijët e tjerë. Kështu, nisën katër vite të lumtura.

Megjithatë, kur isha dhjetë vjeç, më çuan në një shkollë fillore me fëmijë që dëgjonin. Ndihesha i dërrmuar! Mendoja se gjithë fëmijët e tjerë që s’dëgjonin kishin vdekur dhe se kisha mbetur vetëm unë në botë. Sipas këshillës së mjekëve, të cilët kishin frikë se nuk do të nxirrja më dobi nga terapia e të folurit, familja nuk e kishte mësuar gjuhën e shenjave dhe nuk më lejonte të shoqërohesha me fëmijë që s’dëgjonin. Më kujtohet ende një vizitë te një specialist për dëgjimin. Ai kishte mbi tavolinë një libër për gjuhën e shenjave, dhe, kur pashë figurat në kapak, drejtova gishtin drejt tij dhe thashë: «E dua këtë!» Mjeku e fshehu menjëherë librin. *

FILLOJ TË MËSOJ TË VËRTETAT BIBLIKE

Mamaja u përpoq të na rriste sipas parimeve të krishtere. Na merrte në mbledhjet e kongregacionit të Merinjakut të Dëshmitarëve të Jehovait, afër Bordosë. Isha i vogël dhe kuptoja shumë pak nga mbledhjet. Gjithsesi, disa pjesëtarë të kongregacionit uleshin afër meje me radhë dhe më shkruanin shënime për atë që thuhej. U preka nga dashuria dhe meraku i tyre. Në shtëpi, mamaja studionte Biblën me mua, por kurrë nuk e kuptoja plotësisht çfarë më mësonte. Ndihesha pak si profeti Daniel, i cili, pasi mori një profeci nga një engjëll, tha: «Unë dëgjova, por nuk kuptova.» (Danieli 12:8) Kurse për mua ishte kështu: «Pashë, por nuk kuptova.»

Sidoqoftë, të vërtetat themelore të Biblës dalëngadalë zunë rrënjë tek unë. I çmoja shumë gjërat që kuptoja qartë dhe përpiqesha t’i zbatoja. Mësova edhe duke vëzhguar sjelljen e të tjerëve. Për shembull, Bibla na thotë të tregojmë durim. (Jakovi 5:7, 8) Të them të drejtën, nuk e kuptoja çfarë ishte durimi. Gjithsesi, arrita ta kuptoja duke vëzhguar bashkëbesimtarët që e shfaqnin këtë cilësi. Vërtet, kongregacioni i krishterë më ka sjellë dobi të panumërta.

ZHGËNJIM I MADH DHE NJË SURPRIZË E MREKULLUESHME

Stefani më ndihmoi të kuptoja Biblën

Një ditë, gjatë adoleshencës, pashë në rrugë disa të rinj që nuk dëgjonin, që po komunikonin me shenja. Fillova të shoqërohesha me ta fshehurazi dhe nisa të mësoja Gjuhën Franceze të Shenjave. Vazhdova t’i ndiqja mbledhjet e krishtere. Atje, një i ri me emrin Stefan, u interesua shumë për mua. Ai u përpoq tej mase të komunikonte me mua dhe u bëmë miq të ngushtë. Megjithatë, përpara më priste një zhgënjim i madh. Stefanin e burgosën ngaqë nuk pranoi të shkonte ushtar. Ndihesha i dërrmuar! Me ikjen e Stefanit, u shkurajova shumë dhe pothuajse i lashë mbledhjet.

Njëmbëdhjetë muaj më vonë, Stefanin e liruan dhe u kthye në shtëpi. Imagjino sa u habita kur Stefani filloi të komunikonte me mua në gjuhën e shenjave! S’u besoja dot syve! Çfarë kishte ndodhur? Ai kishte mësuar në burg Gjuhën Franceze të Shenjave. Ndërsa vështroja lëvizjet e duarve dhe shprehjet e fytyrës së Stefanit, entuziazmohesha që tani ai mund të ma shpjegonte të vërtetën në një mënyrë të kuptueshme.

MË NË FUND KUPTOJ TË VËRTETËN E BIBLËS

Stefani filloi të studionte Biblën me mua. Që nga ai moment nisa t’i bashkoja të gjitha copat e së vërtetës biblike që kisha mësuar. Kur isha fëmijë, më pëlqenin tej mase figurat e bukura në botimet tona biblike; krahasoja personazhet dhe shqyrtoja çdo hollësi që t’i skalitja në mendje tregimet. Kisha njohuri për Abrahamin, ‘farën’ e tij dhe ‘shumicën e madhe’, por këto koncepte i kuptova vërtet vetëm kur m’u shpjeguan në gjuhën e shenjave. (Zanafilla 22:15-18; Zbulesa 7:9) Ishte e qartë se kisha gjetur gjuhën time të natyrshme, gjuhën e zemrës.

Tani që mund t’i kuptoja mbledhjet, zemra më prekej dhe etja për njohuri shtohej. Me ndihmën e Stefanit, nisa ta thelloja kuptueshmërinë për Biblën, dhe, në vitin 1992, ia kushtova jetën Perëndisë Jehova dhe u pagëzova. Gjithsesi, pavarësisht nga ky përparim, isha tepër i mbyllur në guaskën time, ngaqë në fëmijëri s’komunikoja dot.

BETEJA ME NDROJTJEN

Me kalimin e kohës, grupi i vogël i personave që s’dëgjonin, me të cilin shoqërohesha, u bashkua me një kongregacion në Pesak, në periferi të Bordosë. Kjo ishte shumë dobiprurëse dhe vazhdova të përparoja në të vërtetën. Megjithëse ende stërmundohesha me aftësitë e kufizuara në komunikim, miqtë e mi që dëgjonin, me kujdes siguroheshin që unë të kuptoja gjithçka. Një çift, Zhili dhe Elodia, bënë përpjekje të veçanta që të komunikonin me mua. Shpesh më ftonin për një vakt ose për kafe pas mbledhjes. Kështu lindi një miqësi e mrekullueshme. Ç’gëzim të jesh mes njerëzve që ndjekin udhët e dashura të Perëndisë!

Gruaja ime, Vanesa, është mbështetje e madhe për mua

Në këtë kongregacion takova Vanesën, një motër shumë të këndshme. Më tërhoqi tek ajo ndjeshmëria dhe ndjenja e drejtësisë. Ajo kurrë nuk e shihte si pengesë faktin që s’mund të dëgjoja, por e konsideronte si diçka pozitive që mund ta pasuronte përvojën e saj. Ma fitoi zemrën dhe u martuam në vitin 2005. Ndonëse komunikimi nuk është pika ime e fortë, Vanesa më ka ndihmuar në betejën ndaj ndrojtjes, si edhe të shprehem më hapur. E çmoj vërtet mbështetjen e saj teksa kujdesem për përgjegjësitë e mia.

NJË DHURATË TJETËR NGA JEHOVAI

Vitin kur u martuam, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Luvje të Francës, më ftoi për një muaj të stërvitesha në përkthim. Vitet e fundit, dega kishte punuar shumë që të nxjerrë disa botime në DVD, në Gjuhën Franceze të Shenjave. Por, me punën e madhe që shtrihej përpara, skuadrës së përkthimit i nevojiteshin përforcime. Prandaj, më ftuan të punoja në përkthim.

Duke mbajtur një fjalim biblik në Gjuhën Franceze të Shenjave

Si Vanesa, edhe unë, mendonim se shërbimi në zyrën e degës ishte privilegj i pashoq dhe dhuratë nga Perëndia Jehova, por, të them të drejtën, ishim pak në merak. Çfarë do të ndodhte me grupin tonë të gjuhës së shenjave? Çfarë do të bënim me shtëpinë tonë? A do të gjente punë Vanesa në këtë zonë? Në mënyrë të mrekullueshme, Jehovai na dha zgjidhje për çdo problem. E ndjeva vërtet dashurinë që Jehovai tregon për ne dhe për njerëzit që s’dëgjojnë.

MBËSHTETJE NGA NJË POPULL I BASHKUAR

Ngaqë jam përfshirë vetë në përkthim, e kuptoj më mirë gjithë punën e bërë për të ndihmuar ata që s’dëgjojnë të njohin Perëndinë. Dhe sa kënaqësi e madhe është të shoh shumë bashkëpunëtorë që përpiqen të komunikojnë me mua. Prekem në zemër kur i shoh duke përdorur ato pak shenja që mësojnë. As që bëhet fjalë të ndihem i mënjanuar! Të gjitha këto shprehje të dashurisë janë shfaqje e unitetit të jashtëzakonshëm që ekziston në popullin e Jehovait.—Psalmi 133:1.

Duke punuar në Repartin e Përkthimit, në zyrën e degës

I jam mirënjohës Jehovait që, nëpërmjet kongregacionit të krishterë, më ka siguruar gjithmonë dikë që të më ndihmojë. Vlerësoj edhe rolin e vogël që kam pasur për të ndihmuar personat e tjerë që s’dëgjojnë, të njohin Krijuesin tonë të dashur dhe të afrohen me të. Mezi e pres ditën kur tërë pengesat e komunikimit të zhduken dhe të gjithë të flasin ‘gjuhën e kulluar’—të vërtetën për Perëndinë Jehova dhe për qëllimet e tij—si pjesë e një familjeje njerëzore të bashkuar.—Sofonia 3:9.

^ par. 9 Qeveria franceze e autorizoi zyrtarisht në vitin 1991 përdorimin e gjuhës së shenjave për të arsimuar fëmijët që nuk dëgjojnë.