Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjykimet hyjnore—A ishin mizore?

Gjykimet hyjnore—A ishin mizore?

QË T’I përgjigjemi kësaj pyetjeje, le të përqendrohemi shkurtimisht në dy shembuj të gjykimeve hyjnore që përmend Bibla—Përmbytja e ditëve të Noesë dhe shfarosja e kananitëve.

PËRMBYTJA E DITËVE TË NOESË

DISA THONË: «Perëndia u tregua mizor kur solli përmbytjen që shkatërroi gjithë njerëzimin, përveç Noesë dhe familjes së tij.»

BIBLA THOTË: «Unë nuk kënaqem me vdekjen e të ligut, por që i ligu të kthejë rrugë e të jetojë akoma»,—pohoi Perëndia. (Ezekieli 33:11) Prandaj, shkatërrimi i të ligjve në ditët e Noesë nuk i solli aspak kënaqësi Perëndisë. Atëherë, pse e bëri?

Bibla përgjigjet duke thënë se, kur Perëndia solli gjykime të tilla kundër njerëzve të paperëndishëm në kohët e kaluara, ‘u la njerëzve të paperëndishëm një model të gjërave që do të vijnë’. (2 Pjetrit 2:5, 6) Çfarë modeli la Perëndia?

Së pari, Perëndia e ka treguar qartë se, megjithëse i dhemb në shpirt të shkatërrojë njerëzit, ai i vëren njerëzit mizorë që shkaktojnë vuajtje dhe i quan përgjegjës për veprimet e tyre. Me kalimin e kohës, ai do t’i japë fund çdo padrejtësie dhe vuajtjeje.

Së dyti, modeli i veprimeve të Perëndisë në të kaluarën, tregon qartë se ai me dashuri i paralajmëron njerëzit para se ta ekzekutojë gjykimin. Noeja i paralajmëroi njerëzit, por shumica nuk ia vunë veshin. Bibla thotë se ata «nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë».—Mateu 24:39.

A i është përmbajtur Perëndia këtij modeli? Po. Për shembull, ai e paralajmëroi popullin e tij, Izraelin, se po të bëheshin të ligj si kombet përreth, do t’i lejonte armiqtë t’ua pushtonin vendin, t’ua shkatërronin kryeqytetin, Jerusalemin, dhe t’i çonin në mërgim. Prapëseprapë, izraelitët u bënë të ligj, madje flijuan edhe fëmijë. A ndërhyri Jehovai? Sigurisht, por vetëm pasi dërgoi herë pas here profetë që ta paralajmëronin popullin e tij, të ndryshonin udhë para se të ishte tepër vonë. Madje, ai tha: «Zotëria Sovran Jehova nuk do të bëjë asgjë, pa ua treguar më parë çështjen e tij konfidenciale shërbëtorëve të tij, profetëve.»—Amosi 3:7.

 PSE DUHET TË TË INTERESOJË: Modeli që shohim në gjykimet që ka dhënë Jehovai në të kaluarën, na jep shpresë. Mund ta presim të sigurt gjykimin e Perëndisë ndaj atyre që mizorisht u shkaktojnë vuajtje të tjerëve. Bibla thotë: «Keqbërësit do të shfarosen . . . Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» (Psalmi 37:9-11) Si të duket një gjykim që e çliron njerëzimin nga vuajtjet? Mizor apo i mëshirshëm?

SHFAROSJA E KANANITËVE

DISA THONË: «Shkatërrimi i kananitëve ishte një krim lufte mizor i ngjashëm me gjenocidet e ditëve të sotme.»

BIBLA THOTË: «Të gjitha udhët [e Perëndisë] janë drejtësi. [Ai është] Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi.» (Ligji i përtërirë 32:4) Një akt i gjykimit hyjnor nuk krahasohet me një luftë njerëzore. Pse? Sepse ndryshe nga njerëzit, Perëndia është në gjendje të lexojë zemrat, domethënë si janë njerëzit përbrenda.

Për shembull, kur Perëndia gjykoi qytetet e Sodomës e të Gomorrës dhe vendosi t’i rrënonte, Abrahami besnik donte të sigurohej që vendimi i Perëndisë ishte i drejtë. Ai nuk mund ta imagjinonte se Perëndia i tij i drejtë ‘do ta shkatërronte të drejtin bashkë me të ligun’. Me durim, Perëndia e siguroi se, edhe sikur të kishte dhjetë të drejtë në Sodomë, Ai nuk do ta rrënonte qytetin për hir të tyre. (Zanafilla 18:20-33) Qartë, Perëndia ua hetoi zemrat njerëzve dhe pa sa e madhe ishte ligësia e tyre.—1 Kronikave 28:9.

Në mënyrë të ngjashme, Perëndia i gjykoi kananitët dhe me të drejtë urdhëroi të shkatërroheshin. Kananitët ishin famëkëqij për mizorinë e tyre, e cila përfshinte flijimin e fëmijëve duke i djegur të gjallë në zjarr. * (2 Mbretërve 16:3) E dinin se Jehovai e kishte urdhëruar Izraelin ta shtinte në dorë gjithë vendin. Prandaj, ata që zgjodhën të qëndronin e të luftonin, po i kundërviheshin jo vetëm izraelitëve, por edhe Jehovait, i cili kishte dhënë dëshmi të fuqishme se ishte me popullin e tij.

Për më tepër, Perëndia u tregoi mëshirë kananitëve që hoqën dorë nga ligësia dhe i pranuan normat e larta morale të Jehovait. Për shembull, prostituta kananite Rahabë u shpëtua bashkë me familjen e saj. Gjithashtu, kur banorët e qytetit të Gibeonit në Kanaan kërkuan mëshirë, ata dhe gjithë fëmijët e tyre i lanë gjallë.—Josiu 6:25; 9:3, 24-26.

PSE DUHET TË TË INTERESOJË: Nga gjykimi i kananitëve mund të nxjerrim një mësim jetësor. Po i afrohemi me të shpejtë ‘ditës së parathënë të gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm’. (2 Pjetrit 3:7) Nëse e duam Jehovain dhe i bindemi, do të nxjerrim dobi kur t’i eliminojë vuajtjet e njerëzve duke e pastruar tokën nga ata që e hedhin poshtë sundimin e tij të drejtë.

Kananitët ishin famëkëqij për mizorinë e tyre dhe iu kundërvunë qëllimisht Perëndisë dhe popullit të tij

Me dashuri, Jehovai na kujton se zgjedhjet e prindërve ndikojnë te fëmijët e tyre. Fjala e Perëndisë thotë: «Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj, duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të.» (Ligji i përtërirë 30:19, 20) A janë këto fjalët e një Perëndie mizor apo të një Perëndie që i do njerëzit dhe që dëshiron të bëjnë zgjedhjen e duhur?

^ par. 15 Arkeologët kanë zbuluar dëshmi se adhurimi i kananitëve përfshinte edhe flijimin e foshnjave.