Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | A KEMI NEVOJË PËR PERËNDINË?

Pse kemi nevojë për Perëndinë?

Pse kemi nevojë për Perëndinë?

Disa specialistë të shëndetit mendor thonë se njerëzit kanë nevojë të besojnë në Zot që të jenë vërtet të lumtur. Kjo duket në faktin se njerëzit duan t’i përkasin diçkaje ose t’i shërbejnë dikujt a një kauze më të lartë se vetja. Për të plotësuar këtë nevojë, disa ia kushtojnë kohën e lirë natyrës, artit, muzikës e kështu me radhë. Prapëseprapë, edhe kur rendin pas këtyre gjërave, shumica ndihen bosh përbrenda.

Perëndia do që njerëzit të jenë të lumtur tani e përgjithmonë

Fakti që njerëzit kanë një dëshirë të brendshme për të mësuar për Perëndinë, nuk i çudit lexuesit e Biblës. Kapitujt e parë të Zanafillës tregojnë se, pasi Perëndia krijoi çiftin e parë njerëzor, ai fliste rregullisht me ta dhe kjo u jepte mundësi të krijonin një marrëdhënie me të. (Zanafilla 3:8-10) Perëndia nuk i krijoi njerëzit që të jetonin të pavarur nga ai; ata kanë nevojë të komunikojnë me Bërësin e tyre. Bibla flet shpesh për këtë nevojë.

Për shembull, Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mateu 5:3) Nga këto fjalë, mund të nxjerrim përfundimin se elementi themelor i një jete të lumtur e të kënaqur është plotësimi i nevojës së brendshme për të mësuar për Perëndinë. Si mund ta bëjmë këtë? Jezui dha përgjigjen kur tha: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) Si na ndihmojnë fjalët e Perëndisë, domethënë mendimet dhe udhëzimet e tij në Bibël, të bëjmë jetë të lumtur dhe me kuptim? Le të shqyrtojmë tri mënyra thelbësore.

Kemi nevojë për drejtim të mirë

Sot ka ekspertë dhe specialistë të panumërt që janë gati të ofrojnë këshilla për marrëdhëniet, dashurinë, jetën familjare, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, lumturinë, madje edhe për vetë kuptimin e jetës. Sidoqoftë, kush tjetër përveç Krijuesit të njerëzimit, Perëndisë Jehova, është personi më i kualifikuar të japë drejtim të besueshëm e të ekuilibruar në tërë këto fusha?

Bibla është si një manual përdorimi që na udhëheq në jetë

Ta ilustrojmë: kur blen një pajisje të re, si për shembull një aparat fotografik ose kompjuter,  ti pret që të marrësh edhe manualin e përdorimit që shpjegon si ta përdorësh sa më mirë që të të sjellë kënaqësi. Bibla mund të krahasohet me një libër të tillë. Është një manual për jetën njerëzore që Perëndia, si të thuash prodhuesi, na e ka dhënë neve, përdoruesve. Ky «manual përdorimi» shpjegon se për çfarë është projektuar produkti dhe si duhet përdorur për të qenë sa më i efektshëm.

Ashtu si çdo manual i shkruar mirë, Bibla i paralajmëron lexuesit për praktikat që mund të vënë në rrezik sigurinë dhe funksionimin e duhur të «produktit», jetës sonë. Këshillat dhe zgjidhjet e kollajshme që ofrojnë të tjerët, mund të duken tërheqëse, e madje të volitshme, por a nuk është e logjikshme të mendojmë se do të kemi rezultatet më të mira dhe do të shmangim problemet nëse ndjekim drejtimin e Krijuesit?

«Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh. Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» —Isaia 48:17, 18

Në Bibël gjejmë ndihmën dhe drejtimin e nevojshëm

Megjithëse Perëndia Jehova jep drejtim dhe udhëzime, ai nuk na detyron t’i pranojmë. Përkundrazi, ashtu si një Mirëbërës i dashur, ai na nxit me ngrohtësi: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh. Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isaia 48:17, 18) Me pak fjalë, nëse ia vëmë veshin drejtimit të Perëndisë, do të jetojmë mirë. E thënë ndryshe, që të jetojmë mirë e të jemi të lumtur, kemi nevojë për Perëndinë.

Kemi nevojë të marrim përgjigje për pyetjet që na shqetësojnë

Disa mendojnë se s’kanë fare nevojë për Perëndinë, ngaqë në jetë hasin shumë situata pështjelluese që nuk përputhen me besimin se Perëndia është i dashur. Për shembull, mbase pyesin: «Pse duhet të vuajnë njerëzit e mirë?», «Pse lindin me deformime disa foshnja të pafajshme?», «Pse është kaq e padrejtë jeta?» Këto janë vërtet pyetje serioze dhe gjetja e përgjigjeve të kënaqshme mund të ketë ndikim të madh në jetën tonë. Por, në vend që t’ia hedhim fajin Perëndisë për këto probleme pa u menduar dy herë, le të shohim si hedh dritë mbi këtë temë Fjala e Perëndisë, Bibla.

kapitullin e tretë të Zanafillës, lexojmë tregimin për Satanain i cili, duke u hequr si gjarpër, u orvat ta shtynte çiftin e parë njerëzor të mos i bindeshin urdhrit të Perëndisë, por të hanin nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. Madje Perëndia kishte thënë se, po të hanin prej saj, do të vdisnin. Satanai i tha Evës: «Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.»—Zanafilla 2:16, 17; 3:4, 5.

Me këto fjalë, Satanai nënkuptoi jo vetëm se Perëndia është gënjeshtar, por edhe se qeveris në mënyrë të padrejtë. Djalli deklaroi se njerëzve do t’u vente mbarë po të bënin çfarë u thoshte ai. Si mund të zgjidheshin këto çështje? Jehovai vendosi që gjërat të rridhnin vetë që të gjithë të  shihnin nëse akuzat e hedhura kundër tij do të dilnin të vërteta apo të rreme. Me fjalë të tjera, Perëndia po lejonte Satanain dhe ata që kanë marrë anën e tij, të tregonin nëse njerëzit mund të jetojnë më mirë pa Perëndinë.

Sipas teje, cila është përgjigjja për akuzat e Satanait? A mund të jetojnë dhe të vetëqeverisen më mirë njerëzit pa Perëndinë? Vuajtjet, padrejtësitë, sëmundjet, vdekja, krimi, rënia morale, luftërat, gjenocidet dhe mizoritë e tjera që kanë pllakosur njerëzimin përgjatë shekujve, janë prova të pakundërshtueshme se përpjekjet e njeriut për t’u vetëqeverisur i pavarur nga Perëndia, kanë qenë një dështim i plotë. Bibla nuk nxjerr Perëndinë fajtor për vuajtjet e njerëzimit, por tregon një nga shkaqet kryesore: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»—Eklisiastiu 8:9.

Atëherë, a nuk është e qartë se kemi nevojë për Perëndinë jo vetëm për të marrë përgjigje për pyetjet që na shqetësojnë, por edhe për të gjetur zgjidhje për problemet? Çfarë do të bëjë Perëndia?

Kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë

Prej shekujsh njerëzit kanë kërkuar me dëshpërim të çlirohen nga sëmundjet, plakja dhe vdekja. Kanë harxhuar shumë kohë, energji dhe para, por më kot. Disa kanë shpresuar të çlirohen prej tyre nëpërmjet legjendave të tilla, si eliksiri i jetës, burimi i rinisë së përhershme dhe së fundmi nëpërmjet shkencës. Të gjitha këto ëndrra kanë qenë veçse një zhgënjim total.

Perëndia do që njerëzit të jetojnë mirë dhe të lumtur. Ky ishte qëllimi i tij fillestar kur krijoi njerëzit, dhe sot e kësaj dite mbetet po i njëjti. (Zanafilla 1:27, 28; Isaia 45:18) Perëndia Jehova na siguron se do ta çojë deri në fund çdo gjë që ka ndër mend të bëjë. (Isaia 55:10, 11) Sipas Biblës, Perëndia premton se do të rivendosë kushtet parajsore që humbi çifti i parë njerëzor. Në librin e saj të fundit, lexojmë: «Ai [Perëndia Jehova] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 21:4) Si do t’i sjellë Perëndia këto kushte të mrekullueshme dhe si mund të nxjerrim dobi nga ky premtim?

Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, u mësoi dishepujve të luteshin që të bëhej vullneti i Perëndisë. Mjaft njerëz e njohin mirë ose e përsëritin shpesh këtë lutje, që disa e quajnë Lutja e Zotërisë. Ajo thotë: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:9, 10) Po, me anë të Mbretërisë së tij, Perëndia Jehova do të zhbëjë pasojat e mjerueshme të sundimit njerëzor dhe do të sjellë një botë të re e të drejtë, siç ka premtuar. * (Danieli 2:44; 2 Pjetrit 3:13) Çfarë duhet të bëjmë që të përfitojmë nga ky premtim?

 Jezu Krishti na e drejton vëmendjen te një hap i thjeshtë që duhet të bëjmë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Po, me ndihmën e Perëndisë, jeta e përhershme në botën e re nuk është e paarritshme. Kjo shpresë mund të të bindë më shumë përse duhet t’i përgjigjesh po pyetjes: a kemi nevojë për Perëndinë?

Është koha të mendojmë për Perëndinë

Dy mijë vjet më parë, në Areopag ose ndryshe në kodrën e Marsit, në Athinë, apostulli Pavël u tha për Perëndinë mendimtarëve të lirë athinas: «Ai vetë u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka. Sepse falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë, siç kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: ‘Sepse edhe ne jemi pasardhës të tij.’»—Veprat 17:25, 28.

Kjo është ende e vërtetë. Krijuesi ynë na jep ajrin, ushqimin dhe ujin. Nuk do të mund të mbijetonim kurrsesi pa gjërat e mira që ka siguruar Jehovai për të mbështetur jetën. Por, pse vazhdon Perëndia t’ua japë këto gjëra të gjithë njerëzve, edhe atyre që mendojnë, edhe atyre që nuk mendojnë për të? Pavli tha «që të kërkojnë Perëndinë, madje me ngulm dhe ta gjejnë vërtet, ndonëse, ai nuk është larg nga secili prej nesh».—Veprat 17:27.

A do të doje ta njihje më mirë Perëndinë, domethënë të mësoje më tepër se ç’qëllime ka dhe si na këshillon të jetojmë mirë tani e përgjithmonë? Nëse po, të inkurajojmë të flasësh me ata që ta dhanë këtë revistë ose të kontaktosh me botuesit e saj. Ata do të të ndihmojnë me kënaqësi.

^ par. 20 Për më shumë informacion se si kjo Mbretëri do të përmbushë vullnetin e Perëndisë në tokë, shih kapitullin 8 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, që mund ta gjeni online e ta shkarkoni në adresën www.ps8318.com/sq.