Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Ç’jetë bënin skllevërit në botën romake?

Qafore e një skllavi romak

Në Perandorinë Romake, një mori njerëzish bëheshin skllevër nga pushtimet ushtarake ose rrëmbimet. Robërit shiteshin dhe në përgjithësi nuk ktheheshin më kurrë në shtëpi ose te familjet e tyre.

Shumë skllevër vdisnin nga puna në miniera, kurse ata që punonin në bujqësi ose shërbëtorët në shtëpi e kishin më të lehtë. Një skllav mund të detyrohej të mbante një qafore hekuri me një mbishkrim ose me një pllakëz të varur, ku premtohej një shpërblim nëse e kthenin te pronari pas arratisjes. Ata që orvateshin t’ia mbathnin herë pas here, mund të damkoseshin në ballë, shpesh me shkronjën F për fugitivus (i arratisur).

Në librin biblik të Filemonit flitet për apostullin Pavël që e dërgon skllavin e arratisur Onesim te pronari i vet, Filemoni. Megjithëse Filemoni kishte të drejtë ligjore për ta ndëshkuar rëndë Onesimin, Pavli i kërkoi Filemonit ‘ta priste me dashamirësi’, në bazë të dashurisë së krishterë dhe miqësisë që gëzonte me të.Filemonit 10, 11, 15-18.

Pse ishte e famshme Fenikia e lashtë për ngjyrën e purpurt?

Fenikia, e cila përkon përafërsisht me Libanin e sotëm, njihej për ngjyrën e purpurt tirase, që e kishte marrë emrin nga qyteti i Tirit. Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë e furnizoi tempullin e tij me ‘lesh të purpurt’ që e kishte prodhuar një artizan nga Tiri.2 Kronikave 2:13, 14.

E purpurta tirase ishte ngjyra më e çmuar në atë kohë, përgjithësisht për shkak të punës së madhe që bëhej për ta prodhuar. Në fillim, peshkatarët nxirrnin nga deti kërmij mureks * në sasi të mëdha. Vetëm për të ngjyrosur një rrobë, nevojiteshin rreth 12.000 copë. Më tej, këta kërmij të detit i nxirrnin nga guaska që t’u merrnin gjëndrat e ngjyrës. Përpunuesit e bojës i përzienin me kripë dhe këtë përzierje e linin jashtë në diell për tri ditë. Pastaj, e vinin në një enë me kapak dhe e zienin me ujë deti për disa ditë në temperaturë të ulët.

Për qindra vjet, me anë të tregtisë dhe kolonizimit, tregun e ngjyrës së purpurt tirase dhe mjeshtërinë e prodhimit e kishin fenikasit. Reliktet e tyre të prodhimit të kësaj boje janë gjetur përreth Detit Mesdhe e deri në perëndim, në Kadiks të Spanjës.

^ par. 8 Guaskat e tyre janë rreth 5-8 cm të gjata.