Kalo te përmbajtja

Albumi i dytë me foto nga Britania (shtator 2015-gusht 2016)

Albumi i dytë me foto nga Britania (shtator 2015-gusht 2016)

Dëshmitarët e Jehovait në Britani po e transferojnë zyrën e degës nga Mill Hilli, Londër, në një vend pranë qytetit të Çelmsfordit, Eseks, rreth 70 kilometra në lindje. Në këtë album me foto tregohet progresi i ndërtimit të zyrës së re të degës nga shtatori 2015 deri në gusht 2016.

29 tetor 2015​—Kantieri mbështetës

Punëtorë që betonojnë pjesën përballë një garazhi ku do të bëhet servisi i makinerive të ndërtimit.

9 dhjetor 2015​—Kantieri mbështetës

Kontraktues duke vënë panele për çatinë e një godine që, gjatë ndërtimit, do të përdoret për zyra dhe për sallë ngrënieje.

18 janar 2016​—Kantieri mbështetës

Në hyrjen kryesore, një vullnetar që punon me ekskavator që ka një pajisje për prerjen e pemëve. Në fillim e mbërthen pemën, e pret dhe e transporton tutje. Para se të përfundojë projekti, do të mbillen mijëra pemë për të zëvendësuar ato që janë prerë.

31 mars 2016​—Kantieri i degës

Punëtorët pastrojnë tokën nga mbetje të lëna nga pronari i mëparshëm. Pasi të jetë pastruar, mund të përdoret sërish.

14 prill 2016​—Kantieri i degës

Punëtorë që përgatiten të ngrenë me vinç kabina të përkohshme. Si ekipi i përhershëm i ndërtimit, edhe kontraktuesit do t’i përdorin këto kabina për zyra dhe për shërbime të ndryshme.

5 maj 2016​—Kantieri i degës

Punëtorët seleksionojnë materiale të riciklueshme duke i futur në kazanët përkatës. Synimi i Komitetit të Projektit të Ndërtimit është të heqin nga landfilli 95 për qind të mbetjeve të parrezikshme, por po tejkalohet. Përveç kësaj, 89 për qind e gjithë mbetjeve nga shembjet, si për shembull, tulla, beton dhe lëndë drusore​—janë përdorur sërish në një zonë tjetër të kantierit.

23 maj 2016​—Kantieri mbështetës

Një punëtore mbush një kanal ku kalojnë tubacione të ndryshme, të cilat do t’u shërbejnë ndërtesave të përkohshme të punëtorëve.

26 maj 2016​—Kantieri i degës

Një kontraktues mbledh kampionë dheu për të përcaktuar nëse mund të përdoret për të shtruar rrugët nëpër kantier.

31 maj 2016​—Projekti i degës

Më 31 maj 2016 ky projekt u miratua nga Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait. Ky miratim bashkë me lejet paraprake urbanistike nga organet vendore, i hapën dritën jeshile zbatimit të projektit.

16 qershor 2016​—Kantieri i degës

Punëtorët pastrojnë dheun e kantierit nga lëndët e padëshiruara. Më pas, dheu mund të përdoret sërish diku tjetër. Kështu kursehet, sepse as hiqet dheu nga kantieri, as blihet material zëvendësues.

20 qershor 2016​—Kantieri i degës

Punëtorët pastrojnë zonën ku do të ndërtohet rruga e hyrjes kryesore. Puna vazhdoi pa ndërprerje edhe gjatë një muaji me reshje shiu të mëdha, që e transformuan një pjesë të kantierit në një vend plot baltë.

18 korrik 2016​—Kantieri mbështetës

Rrugët spërkaten me ujë që të mos ngrihet pluhur. Rregullsia në kantier është pjesë e kodit të sjelljes të Considerate Constructors Scheme, organizatë ku Komiteti i Projektit të Ndërtimit u regjistrua për të ndjekur direktivat vendëse të urbanistikës. Kodi i sjelljes i kësaj organizate është në përputhje me parimet biblike, pasi nxit respekt për komunitetin dhe konsideratë për fqinjët.

18 korrik 2016​—Kantieri mbështetës

Një hekurkthyese pret shufra hekuri të filetuara që do të mbajnë strukturën e tubave për ajrin e kondicionuar.

22 korrik 2016​—Kantieri i degës

Punëtorët ndajnë 20.000 metër kub dhé të përzier me mbetje ndërtimi. Siç tregohet në qendër të fotografisë, dheu ngarkohet në një mjet transportues. Duke përdorur sita të ndryshme, mbetjet e mëdha ndahen nga ato me madhësi mesatare, kurse dheu i pastruar bie në fund. Më pas, tre konvejerët i ngarkojnë në mjete transportuese.

22 korrik 2016​—Kantieri i degës

Kontraktuesit lëvizin sasi të mëdha dheu, që niveli i tokës në kantier të jetë sipas projektit.

18 gusht 2016​—Kantieri i degës

Në qendër, majtas, kontraktuesit po përfundojnë nivelimin e tokës, që të nisë hedhja e themeleve të godinës së banimit. Pak më tutje, në të majtë, ndodhen banesat e përkohshme të përfunduara, ku mund të strehohen 118 punëtorë.