Kalo te përmbajtja

Albumi i parë me foto nga Uoruik (maj-gusht 2014)

Albumi i parë me foto nga Uoruik (maj-gusht 2014)

Dëshmitarët e Jehovait po ndërtojnë selinë e ardhshme botërore në Uoruik, Nju-Jork. Nga maji deri në gusht të 2014-s, personeli i ndërtimit ka bërë progres të madh në ndërtimin e godinës së mirëmbajtjes së automjeteve, të godinës së shërbimeve dhe të zyrave të administratës, si edhe të godinave të banimit C e D. Ky album me foto tregon një pjesë të punës që u bë gjatë kësaj periudhe plot aktivitet.

Paraqitje kompjuterike e kompleksit të përfunduar në Uoruik. Nga e majta sipër, sipas akrepave të orës.

  1. Godina e mirëmbajtjes së automjeteve

  2. Godina e parkingut për vizitorët

  3. Godina e mirëmbajtjes dhe parkingu për godinat e banimit

  4. Godina e banimit B

  5. Godina e banimit D

  6. Godina e banimit C

  7. Godina e banimit A

  8. Godina e shërbimeve dhe zyrat e administratës

1 maj 2014​—Kantieri në Uoruik

Pamje nga jugperëndimi drejt veriut ku ndodhet Liqeni i Pyllit Sterling (Liqeni i Kaltër). Në plan të parë shihet puna që po kryhet në bazamentin e godinës së banimit D. Afër liqenit po përgatiten armatura për godinën e banimit C.

14 maj 2014​—Qendra e parafabrikateve jashtë kantierit

Punëtorët montojnë një banjë të parafabrikuar për godinat e banimit, që quhet pod. Ajo përfshin skeletin, muret prej gipsi, instalimet fillestare hidraulike dhe elektrike, sistemin e ventilimit, si edhe vendin e vaskës. Banja quhet e përfunduar kur pod-i montohet në godinë.

22 maj 2014​—Godina e mirëmbajtjes së automjeteve

Hidraulikët duke punuar në godinë. Gjatë projektit, në këtë hapësirë do t’u shërbehet ushqimi rreth 500 punëtorëve, ndërsa në pjesë të tjera të ndërtesës do të ketë edhe 300 vende. Nga fundi i projektit, ambientet e përkohshme të ngrënies nuk do të përdoren më për këtë qëllim, dhe godinës do t’i jepet dora e fundit që të jetë gati për mirëmbajtjen e automjeteve.

2 qershor 2014​—Godina e mirëmbajtjes së automjeteve

Një skuadër duke shpërndarë një lloj dheu të përpunuar për tarracat e gjelbërta. Në saje të këtyre tarracave, të cilat mbulohen me bimë, mbrohet mjedisi, sepse nevoja për energji zvogëlohet, ujërat e shirave të rrëmbyeshëm kullojnë më ngadalë dhe elementet ndotëse nga reshjet filtrohen.

5 qershor 2014​—Godina e shërbimeve dhe zyrat e administratës

Struktura do të përbëhet nga tri ndërtesa të bashkuara, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 42.000 metrash katrorë. Këtu, kontraktues të jashtëm bëjnë armaturën me shufra hekuri për kolonat.

18 qershor 2014​—Godina e mirëmbajtjes së automjeteve

Punëtorët hidroizolojnë tarracën. Pajimet e sigurisë i mbrojnë të mos bien.

24 qershor 2014​—Godina e banimit C

Instalohen tubacionet dhe sistemi i ngrohjes, i ventilimit dhe i ajrit të kondicionuar. Rreth 35 për qind e Dëshmitarëve që punojnë në projektin në Uoruik, janë gra.

11 korrik 2014​—Mongomeri, Nju-Jork

Kjo ndërtesë që u përdor si magazinë dhe qendër parafabrikimi, u mor për projektin në shkurt të 2014-s. Sipërfaqja e saj e brendshme është 20.000 metra katrorë. Objektet e bardha djathtas në cepin e sipërm të fotografisë janë pod-e banjash gati për t’u dërguar.

24 korrik 2014​—Godina e banimit C

Në plan të parë shihet skaji verilindor i saj. Këtu do të banojnë rreth 200 pjesëtarë të personelit të selisë botërore. Shumica e apartamenteve do të jenë me një sipërfaqe nga 30 deri në 55 metra katrorë e do të kenë një kuzhinë të vogël, një banjë dhe një ballkon të vogël.

25 korrik 2014​—Godina e mirëmbajtjes dhe parkingu për godinat e banimit

Duke bërë gati sheshin e ndërtimit. Sipër majtas fotografisë, një gurthyese përpunon materialin e nxjerrë nga gërmimet, që të përdoret më vonë. Kur të jetë përfunduar i gjithë projekti, nga kantieri në Uoruik do të jetë nxjerrë rreth 260.000 metër kub dhé. Çdo ditë përdoren mesatarisht 23 kamionë shkarkues.

30 korrik 2014​—Godina e mirëmbajtjes së automjeteve

Punëtorët veshin tarracën me gjelbërim.

8 gusht 2014​—Kantieri në Uoruik

Pamje drejt jugperëndimit nga maja e një vinçi të madh, sipër godinës së zyrave. Majtas poshtë, ka përfunduar godina e parkingut për vizitorët, e cila mbushet përditë plot me automjetet e punëtorëve. Disa Dëshmitarë kanë bërë deri në 12 orë rrugë vetëm vajtje, që të punojnë si vullnetarë për vetëm tri ose katër ditë.

13 gusht 2014​—Godina e mirëmbajtjes së automjeteve

Ndërtimi i një dhome ngrënieje të përkohshme është drejt përfundimit. Punëtorët do të lidhen me zyrën e degës të Shteteve të Bashkuara nëpërmjet monitorëve (të painstaluar ende) dhe altoparlanteve të montuara në tavan, që të ndjekin adhurimin e mëngjesit dhe programe të tjera frymore.

14 gusht 2014​—Godina e shërbimeve dhe zyrat e administratës

Betonohet platforma e katit të parë. Në të djathtë, një punëtor përdor vibrator betoni për t’u siguruar që të mos ketë xhepa ajri në beton dhe që ai të ngjeshet mirë.

14 gusht 2014​—Godina e shërbimeve dhe zyrat e administratës

Tubacionet elektrike në qendër të ndërtesës, gati për t’u mbuluar me beton.

14 gusht 2014​—Godina e shërbimeve dhe zyrat e administratës

Betonimi i platformës së katit të parë drejt përfundimit. Është derdhur 540 metër kub beton, sasia më e madhe deri më sot e projektit në Uoruik. Betoni u përgatit në një impiant në kantier, u shpërnda nga tetë kamionë-betoniere dhe dy pompa betoni e u derdh për rreth 5 orë e gjysmë. Në qendër të fotografisë ndodhet një nga kullat e shkallëve të godinës.

14 gusht 2014​—Godina e banimit C

Duke ndërtuar parmakun e tarracës. Në sfond, godina e banimit A në ndërtim e sipër.

15 gusht 2014​—Godina e banimit C

Një pod banjoje i përfunduar ngrihet me vinç në kat të tretë. Në projektin e Uoruikut përdoren masivisht parafabrikatet, duke zënë kështu sa më pak hapësirë në kantier dhe duke e përshpejtuar ndërtimin.

20 gusht 2014​—Godina e banimit C

Kontraktuesit duke montuar panele betoni të parafabrikuara që kursejnë energjinë. Betoni ngjyroset, prandaj panelet nuk kanë nevojë të lyhen dhe kërkojnë pak mirëmbajtje. Mund të montohen shpejt, dhe kjo do të ndihmojë që projekti të përfundohet në kohë.

31 gusht 2014​—Kantieri në Uoruik

Pamje nga jugperëndimi. Në plan të parë shihet përgatitja e armaturës për katin tjetër të godinës së banimit D. Mbrapa saj, struktura e godinës së banimit C është thuajse e përfunduar.