Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«Krimi dhe dashuria për para më sollën shumë dhembje»

«Krimi dhe dashuria për para më sollën shumë dhembje»
  • Lindur: 1974

  • Vendi i lindjes: Shqipëri

  • Të dhëna: Hajdut, trafikant droge, i burgosur

E KALUARA IME

 Linda në një familje të varfër në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Im atë ishte njeri i ndershëm, i cili punonte me orë të zgjatura që të kujdesej për ne. Prapëseprapë mezi e shtynim muajin. Që i vogël e vuaja shumë që ishim të varfër. Pjesën më të madhe të fëmijërisë nuk kisha këpucë dhe jo gjithmonë kishim ushqim të mjaftueshëm.

 Nisa të vidhja që kur isha fëmijë. Mendoja se thjesht po ndihmoja familjen time. Me kalimin e kohës u futa në telashe me policinë. Prandaj, më 1988, kur isha 14 vjeç, më dërguan në një shkollë riedukimi. Kalova dy vjet atje dhe mësova zanatin e saldatorit. Pas shkollës doja të bëja një jetë të ndershme, por s’po gjeja dot punë. Në atë kohë në Shqipëri papunësia ishte e lartë për shkak të trazirave politike. I zhgënjyer, u ktheva te miqtë e vjetër dhe fillova të vidhja sërish. Më vonë na arrestuan dhe na dënuan me tri vite burg.

 Pasi dola nga burgu, vazhdova karrierën e krimit. Ekonomia e Shqipërisë pësoi kolaps dhe vendi ishte në kaos. Gjatë atyre kohëve të trazuara bëra goxha pará me aktivitete të jashtëligjshme. Pas një grabitjeje me armë ku dy nga bashkëpunëtorët e mi i arrestuan, u arratisa nga vendi që të shmangia burgimin për një periudhë të gjatë. Në atë kohë isha i martuar me Julindën dhe na kishte lindur djali i parë.

 Si përfundim, u gjendëm në Angli. Tani kisha synim të nisja një jetë të re me gruan dhe djalin, por zakonet e vjetra më ishin rrënjosur thellë. Shpejt u përfshiva sërish në krime—këtë radhë në tregti droge dhe qarkulloja shumë pará nëpër duar.

 Po Julinda, si ndihej që merresha me drogë? Vetë ajo tregon: «Ngaqë u rrita në Shqipëri, ëndërroja të shpëtoja nga varfëria. Isha gati të bëja gjithçka për një jetë më të mirë. Mendoja se paratë do të na ndihmonin të përmirësonim jetën. Prandaj e mbështetja plotësisht Artanin kur gënjente, kur vidhte dhe kur trafikonte drogë, vetëm e vetëm për pará.»

«E mbështetja plotësisht Artanin kur gënjente, kur vidhte dhe kur trafikonte drogë.»—Julinda

 Më vonë, në vitin 2002, jeta na ndryshoi kryekëput dhe planet e ëndrrat tona për të bërë pará, u prishën sa e hap e mbyll sytë. Më kapën me një ngarkesë droge të madhe dhe më futën prapë në burg.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA

 Bibla kishte filluar të ndikonte në jetën time shumë kohë para se të isha i vetëdijshëm. Në vitin 2000 Julinda kishte takuar një çift Dëshmitarësh të Jehovait dhe po studionte Biblën me ta. Bisedat për Biblën nuk më interesonin, sepse mendoja se ishin të mërzitshme. Mirëpo, Julindës i pëlqenin shumë. Ajo shpjegon: «Vij nga një familje fetare, ndaj e doja dhe e respektoja Biblën. Gjithmonë kam dashur të di çfarë mëson Bibla, prandaj isha aq entuziaste që po e studioja me Dëshmitarët. Mjaft nga mësimet e saj më dukeshin jashtë mase të logjikshme. Ajo që mësova, më ndihmoi të bëja disa ndryshime në jetë. Gjithsesi, pikëpamjen për paratë nuk e ndryshova thuajse fare—derisa arrestuan Artanin. Kjo ishte si një zile alarmi për mua. Aty e kuptova se ajo që thotë Bibla për paratë, është e vërtetë. Po rendnim si të çmendur pas parave, por prapë nuk ishim të lumtur. Kuptova se duhej t’i zbatoja të gjitha normat e Perëndisë.»

 Më 2004, pasi u lirova nga burgu, pa humbur kohë, u përpoqa të futesha sërish në botën e trafikimit të drogës. Mirëpo, tani Julinda kishte ndryshuar mendim dhe më tha diçka që më shkundi vërtet: «Nuk i dua më paratë që më sjell. Dua të më kthehet im shoq; dua që babai i fëmijëve të mi të jetë këtu me ta.» U shokova, por ajo kishte të drejtë. Po bëja vite larg familjes. Mendova edhe për sa e sa situata që më kishin shkaktuar dhembje ndërsa jepesha pas parave në mënyrë të pandershme. Kështu që vendosa të ndryshoja rrugë dhe të ndërpritja lidhjet me shokët e vjetër.

 Pika e kthesës në jetën time ishte kur ndoqa një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait bashkë me gruan dhe dy djemtë. U preka shumë nga ata njerëz të sinqertë e miqësorë që takova. Dalëngadalë fillova të studioja Biblën.

Mendoja se, po të kishim pará me thasë, do të ishim të lumtur

 Nga Bibla mësova se «dashuria për pará është rrënja e çdo lloj të keqeje dhe, duke rendur pas kësaj dashurie, disa. . . janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje». (1 Timoteut 6:9, 10, shënimi) E kisha provuar vetë sa i vërtetë është ky shkrim! Më vinte tmerrësisht keq për gabimet e së shkuarës, sepse lëndova veten dhe familjen. (Galatasve 6:7) Kur mësova sa shumë na do Jehovai dhe i Biri, Jezu Krishti, nisa të bëja ndryshime në personalitet. Fillova të mendoja më pak për veten dhe më shumë për të tjerët. Për shembull, fillova të kaloja më tepër kohë me familjen.

DOBITË

 Kam nxjerrë dobi duke zbatuar këtë këshillë nga Bibla: «Jetesa juaj të jetë pa dashuri për pará! Jini të kënaqur me atë që keni.» (Hebrenjve 13:5, shënimi) Tani kam paqe mendore dhe një ndërgjegje të pastër. Kjo më ka sjellë atë lloj gëzimi që s’e kisha provuar kurrë më parë. Sot kam një martesë më të fortë dhe familja ime është më e lidhur.

 Mendoja se, po të kishim pará me thasë, do të ishim të lumtur. Tani e dalloj qartë se krimi dhe dashuria për para më sollën shumë dhembje. Nuk jemi të pasur, por jam i sigurt se kemi gjetur diçka ku e ku më të rëndësishme—miqësinë me Perëndinë Jehova. Tani e adhurojmë Perëndinë si familje e bashkuar dhe kjo na ka bërë vërtet të lumtur.

Bashkë me familjen në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait