Kalo te përmbajtja

Nga një studim i Biblës nisin shumë studime të tjera

Nga një studim i Biblës nisin shumë studime të tjera

 Marta, një Dëshmitare e Jehovait në Guatemalë, po mëson gjuhën kekçi që t’u tregojë mesazhin e Biblës njerëzve që flasin këtë gjuhë. Një ditë pa një burrë që po dilte nga spitali. Nga pamja, Martës iu duk se ai vinte nga një fshat malor me popullsi kekçi, ku Dëshmitarët e Jehovait kishin predikuar rrallë. Ndaj iu afrua dhe i foli me ato pak fjalë që dinte në këtë gjuhë.

 Marta i ofroi mundësinë që të studionte Biblën me të. Ai pranoi me shumë dëshirë, por i tha se nuk kishte para për ta paguar. Marta i shpjegoi se Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin para për këtë. Gjithashtu i tregoi se mund të studionin me telefon dhe kështu mund të merrte pjesë e gjithë familja. Burri ra dakord. Meqë dinte të fliste dhe të lexonte spanjisht, Marta i dha një kopje të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në spanjisht dhe librin Çfarë na mëson Bibla? në gjuhën kekçi, një botim ndihmës për studimin e Biblës. Javën tjetër, burri bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tyre filluan të studionin Biblën me Martën nëpërmjet telefonit. Ata studionin dy herë në javë. Marta thotë: «Ngaqë nuk flisja dhe aq mirë kekçi, studionim në spanjisht. Fëmijët e kuptonin spanjishten, ndërsa gruas ia përkthente burri gjithë sa kishim folur.»

 Burri ishte pastor në një kishë. Ai filloi t’u predikonte atyre të kishës së vet ato që kishte mësuar nga Bibla. Besimtarëve të kishës u pëlqyen ato që dëgjuan ndaj e pyetën se ku i kishte mësuar. Kur u tregoi se po studionte Biblën, edhe ata nisën të merrnin pjesë një e nga një në studim. S’kaloi shumë dhe çdo javë mblidheshin rreth 15 veta që të studionin në telefon me Martën. Më vonë, ata vunë një mikrofon afër telefonit që të dëgjonin të gjithë.

 Kur Marta u tregoi pleqve të kongregacionit për këta studentë të Biblës, njëri prej tyre shkoi t’i vizitonte në fshatin ku banonin dhe i ftoi të ndiqnin një fjalim publik nga mbikëqyrësi qarkor. a Fjalimi do të mbahej në një fshat tjetër që ishte një orë larg me makinë dhe dy orë të tjera rrugë më këmbë. Studentët pranuan të shkonin dhe fjalimin e ndoqën 17 prej tyre.

 Disa javë më vonë, mbikëqyrësi qarkor dhe disa Dëshmitarë të tjerë qëndruan katër ditë me studentët. Paraditeve shikonin nga siti jw.org video të bazuara në Bibël në gjuhën kekçi, si dhe studionin broshurën Cilët po e bëjnë vullnetin e Jehovait sot? Gjatë pasditeve shihnin disa pjesë nga programet në JW Broadcasting. Mbikëqyrësi qarkor mori masa që çdo student të studionte me një mësues personal.

 Gjatë atyre katër ditëve, Dëshmitarët predikuan edhe nëpër fshatrat përreth ku flitet gjuha kekçi dhe i ftuan njerëzit për një mbledhje speciale. Në atë mbledhje, vëllezërit i ftuan 47 të pranishmit të studionin Biblën. Njëmbëdhjetë familje pranuan.

 Pas disa muajsh, pleqtë morën masa që në fshatin ku u predikua fillimisht, të mbahej një mbledhje çdo fundjavë. Sot, mbledhjet i ndjekin rregullisht rreth 40 veta. Vëllezërit u gëzuan shumë që në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit atje morën pjesë 91 veta.

 Kur sjell ndërmend se si filloi gjithçka dhe si rrodhën ngjarjet më pas, Marta thotë: «I jam mirënjohëse Jehovait. Ndonjëherë më duket sikur s’mund të bëj shumë. Ama, ne jemi si vegla në duart e Perëndisë. Ai e dinte se ç’kishin në zemër ata njerëz, ndaj dhe i tërhoqi drejt popullit të tij. Jehovai i do ata.»

a Një mbikëqyrës qarkor është një Dëshmitar i Jehovait që viziton rreth 20 kongregacione, të cilat formojnë një qark.