Kalo te përmbajtja

25 SHKURT 2022
FRANCË

Prezantohet libri i Mateut në gjuhën frënge të shenjave

Prezantohet libri i Mateut në gjuhën frënge të shenjave

Më 19 shkurt 2022 u prezantua Bibla—Ungjilli sipas Mateut në gjuhën frënge të shenjave (LSF). Këtë libër e prezantoi vëllai Didie Kole, anëtar i Komitetit të Degës së Francës, dhe është në dispozicion për t’u shkarkuar në sitin jw.org dhe në aplikacionin JW Library Sign Language. Ky është libri i parë i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re që Dëshmitarët e Jehovait nxjerrin në LSF.

Programin e prezantimit të Biblës e ndoqën virtualisht rreth 1.500 veta. Gjatë fjalimit, vëllai Kole shpjegoi: «Meqë LSF-ja është një gjuhë pamore, interpretuesi përcjell mesazhin. Fytyra, sytë dhe trupi i tij shprehin ndjenjat dhe qëndrimet e personazheve. Mund të dallojmë çdo hollësi. Kështu, fjalët e shkruara në faqet e Biblës marrin jetë.»

Dëshmitarët e Jehovait kanë organizuar veprën e predikimit në LSF që nga fundi i viteve 60. Në fillim të viteve 70 u formua kongregacioni i parë në LSF në rrethinën pariziane të Vansenës, Francë. Pastaj, në fillim të viteve 2000, Trupi Udhëheqës i dha aprovimin Komitetit të Degës së Francës që të formonte një zyrë rajonale përkthimi për gjuhën frënge të shenjave. Në vitin 2019, pak para pandemisë, skuadra e përkthimit u transferua në Bethel në Luvjé, Francë. Sot në territorin e degës së Francës ka 11 kongregacione dhe 39 grupe të gjuhës së shenjave.

Një nga mbledhjet e para të kongregacionit të gjuhës frënge të shenjave në Vansenë, Francë, në fillim të viteve 70. Një pjesë e mirë e kongregacionit janë ulur në formë gjysmërrethi në vend se në rreshta. Kjo i lejon të shohin komentet e njëri-tjetrit

Puna për përkthimin e Biblës në LSF nisi me Ungjillin sipas Mateut. Më pas do të dalë Ungjilli i Gjonit. Këto dy tregime të jetës së Jezuit njihen gjerësisht dhe, për shkak të stilit tregimtar, janë më të thjeshta për t’u përkthyer se librat e tjerë të Biblës. Para se të dilte Mateu, lajmëtarët kishin në dispozicion vetëm disa vargje të Biblës në LSF.

Një motër, e cila nuk dëgjon dhe është pjesë e skuadrës së përkthimit, tha: «Kur isha e vogël, i shihja kushedi sa herë figurat në librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Kur pashë librin e Mateut në LSF, të gjitha ato figura më erdhën sërish në mendje. Për herë të parë në jetën time, e kuptova plotësisht mesazhin.»

Një pjesëtar tjetër i skuadrës së përkthimit u shpreh: «E kisha ëndërr të dilte Bibla në LSF për prindërit e mi që nuk dëgjojnë. Por s’e kisha imagjinuar kurrë që unë do të isha pjesë e kësaj skuadre përkthimi. Është një dhuratë e mrekullueshme!»

Skuadra e përkthimit të gjuhës frënge të shenjave duke regjistruar në studion e tyre në Bethel, Luvjé, Francë

Dalja e këtij libri të Biblës na e mbush zemrën me gëzim. Ky libër provon edhe një herë se Jehovai po i fton të gjithë njerëzit ‘të marrin falas ujin e jetës’.—Zbulesa 22:17.