Kalo te përmbajtja

19 GUSHT 2021
MEKSIKË

Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën misteke (guerrero)

Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën misteke (guerrero)

Më 8 gusht 2021, vëlla Hoze Nieto, anëtar i Komitetit të Degës për Amerikën Qendrore, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në format elektronik në gjuhën misteke (guerrero), gjatë një programi të regjistruar paraprakisht që u transmetua streaming për një auditor me 785 veta. Dega ka planifikuar të fillojë shtypjen e Biblës në nëntor të vitit 2021 dhe t’ua dërgojë kongregacioneve në dhjetor 2021 ose në janar 2022.

Gjatë këtij programi, vëlla Nieto lexoi 1 Korintasve 14:9 dhe më pas tha: «Mesazhi i Fjalës së Perëndisë është i fuqishëm, por që ky mesazh të depërtojë në zemrat e njerëzve, Bibla duhet të disponohet në një gjuhë që mund ta kuptojë kushdo . . . , një gjuhë që e përdorin në jetën e përditshme.»

Gjuha misteke (guerrero) është një gjuhë që bazohet në tone; ndryshimi i tonit mund të ndryshojë kuptimin e një fjale. Atë e flasin rreth 150.000 veta në shtetin e Guerreros, Meksikë, si edhe një numër i papërcaktuar në pjesë të tjera të Meksikës dhe të Shteteve të Bashkuara.

Vëllai Lazaro Gonxalez, anëtar i Komitetit të Degës për Amerikën Qendrore, tha: «Ata që flasin gjuhën misteke (guerrero) jetojnë në një zonë ku mbizotërojnë varfëria dhe dhuna. Tani, pandemia COVID-19 i ka vështirësuar gjërat. Për këtë arsye, shumë mendojnë se Perëndia i ka braktisur. Por kjo pjesë e Biblës në gjuhën e tyre është provë e qartë se Jehovai i do dhe interesohet për ta.»

Para se të dilte kjo Bibël, kishte vetëm dy përkthime të Shkrimeve të Krishtere Greke në gjuhën misteke (guerrero). Por nuk kuptohen lehtë, sepse u përkthyen nga njerëz që u përkitnin dy komuniteteve të ndryshme. Përkthyesit përdorën fjalë që njiheshin vetëm në rajonin e tyre, prandaj njerëz nga komunitetet e tjera e kishin të vështirë t’i kuptonin.

Ja një shembull që tregon se ky përkthim i ri kuptohet kollaj: Mateu 5:9, që thotë: «Lum paqebërësit!» Në gjuhën misteke (guerrero) nuk ka një fjalë që përcjell kuptimin e plotë të fjalës «paqe». Për të dhënë kuptimin e saktë, ky varg u përkthye kështu: «Lum ata që kërkojnë mënyra për të parandaluar problemet!» Kjo është në harmoni me kuptimin e termit në anglisht.

Një përkthyes tha: «Një nga shkrimet e mia të preferuara është 1 Pjetrit 1:25, ku thuhet se ‘fjala e Jehovait mbetet përgjithmonë’. Nuk e imagjinoj dot jetën time pa Biblën, dhe falënderoj Jehovain që e ka mbrojtur dhe e ka ruajtur deri sot e kësaj dite. Madje, tani e kemi edhe në gjuhën tonë, në gjuhën misteke (guerrero).»

Një përkthyes tjetër u shpreh: «Nuk kam pikë dyshimi se Jehovai na ka mbështetur me anë të frymës së tij të shenjtë. Jam më i bindur se kurrë që gjuhët nuk janë pengesë për Jehovain. Ai na ka provuar edhe një herë se Fjala e tij ‘nuk është e lidhur me vargonj’.»—2 Timoteut 2:9.