Kalo te përmbajtja

Vëllezër e motra vendës me avokatë Dëshmitarë, para Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Ulan-Bator, kryeqyteti i Mongolisë

24 GUSHT 2018
MONGOLI

Triumfon liria e fesë në Mongoli: Dëshmitarët e Jehovait regjistrohen sërish

Triumfon liria e fesë në Mongoli: Dëshmitarët e Jehovait regjistrohen sërish

Më 14 qershor 2018 Këshilli Bashkiak i Ulan-Batorit, kryeqyteti i Mongolisë, u dha Dëshmitarëve të Jehovait një certifikatë që i jep mundësi entit të tyre të njihet ligjërisht.

Certifikata që u lejon Dëshmitarëve të Jehovait të veprojnë ligjërisht në Ulan-Bator

Organizatat fetare në Mongoli duhet të regjistrohen çdo vit dhe vëllezërit tanë e kanë bërë këtë rregullisht që nga 1999-a, kur u regjistruan për herë të parë. Gjithsesi, në vitin 2015, Këshilli Bashkiak nuk e rinovoi kërkesën tonë për të regjistruar ligjërisht entin në Ulan-Bator. Më vonë, në janar të 2017-s, Këshilli Bashkiak nxori një vendim që e ndalonte zyrtarisht entin tonë të vazhdonte veprimtarinë fetare. Përfaqësues të Këshillit refuzuan të bënin të ditur mbi ç’bazë e morën këtë vendim. Vëllezërit vendosën të kundërshtonin vendimin në rrugë ligjore.

Gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Administrative, avokati i Këshillit Bashkiak provoi të paraqiste si provë vendimin e Gjykatës së Lartë Ruse, i cili mbyllte entet tona ligjore anekënd Rusisë. Avokatët tanë argumentuan se shumë shtete e kanë kritikuar këtë vendim, ndërsa gjykatat ndërkombëtare e kanë shpallur të paligjshëm. Për më tepër, përmendën që vendimi i Rusisë u shpall pas vendimit të Këshillit Bashkiak, prandaj nuk mund të përdorej si bazë.

Gjykata Administrative rrëzoi vendimin e Këshillit Bashkiak dhe doli në përfundimin se Këshilli kishte vepruar mbi bazën e fjalëve dhe nuk kishte paraqitur asnjë provë për veprimtari të rrezikshme. Po ashtu shpalli se Këshilli Bashkiak kishte cenuar të drejtat themelore të vëllezërve, përfshirë lirinë për të manifestuar fenë ose bindjet.

Xhejson Uajzi, avokat i Dëshmitarëve në këtë çështje, pohoi: «Ndonëse të drejtat dhe liritë themelore nuk varen nga regjistrimi që na jep shteti, pa qenë të regjistruar, shpesh bëhet e vështirë të adhurosh lirisht. Ndër të tjera, enti ligjor na e bën më të lehtë të importojmë Bibla dhe literaturë biblike, të kemi në pronësi vende adhurimi dhe të marrim me qira ambiente për kongreset. Na vjen mirë që Gjykata Administrative rrëzoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Ulan-Batorit dhe pranoi që ky vendim do të ndikonte për keq në lirinë e fesë dhe në lirinë për t’u mbledhur në Mongoli.»