Kalo te përmbajtja

Denis Kristenseni në gjyq, gjatë një seance në 2017-n

10 MAJ 2018
RUSI

Dëshmitë e para në gjyqin e Denis Kristensenit

Dëshmitë e para në gjyqin e Denis Kristensenit

Më 23 prill 2018 në Gjykatën e Krahinës së Zhileznadarozhnit në Oriol rifilloi gjyqi për çështjen penale të Denis Kristensenit. Z. Kristensen, shtetas danez dhe Dëshmitar i Jehovait, u arrestua ndërsa merrte pjesë në një mbledhje fetare në maj 2017 dhe që atëherë ka qenë në paraburgim.

Prokurori, z. Fomin, e akuzoi z. Kristensen për ‘organizim të veprimtarisë së një organizate ekstremiste’, Organizatës Fetare Lokale (OFL) të Dëshmitarëve të Jehovait në Oriol, e cila u mbyll në qershor 2016 nën akuzën e padrejtë për ekstremizëm. Avokatët mbrojtës nuk i pranuan akuzat, sepse kongregacioni i Dëshmitarëve të Jehovait në Oriol nuk është ent ligjor, por një grup paqësor adhuruesish që mblidhen së bashku për të studiuar Biblën. Avokatët e tij theksuan se autoritetet ruse, siç e kanë pranuar vetë, nuk kanë ndaluar fenë e Dëshmitarëve të Jehovait dhe se kushtetuta e Rusisë i garanton gjithkujt të drejtën për të ndjekur besimin e tij fetar. * Prandaj, kur z. Kristensen po merrte pjesë në një mbledhje fetare, thjesht po praktikonte besimin e tij.

Paraqitja e dëshmive nisi më 24 prill 2018. Prokurori thirri fillimisht për të dëshmuar një agjent të Shërbimit të Sigurimit Federal. Agjenti dëshmoi se e kishte mbajtur nën vëzhgim Sallën e Mbretërisë në Oriol dhe e kishte filmuar që nga 2017-a. Megjithatë nuk mund të thoshte ç’kishte ndodhur brenda saj, sepse filmimet tregonin vetëm z. Kristensen duke përshëndetur ngrohtësisht të tjerët në hyrje të godinës. Më pas prokurori thirri të dëshmonte një grua vendëse, që kishte ndjekur mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait në Oriol. Gjithsesi, ajo nuk mund të komentonte për veprimtaritë e z.Kristensen, pasi i kishte ndjekur mbledhjet vetëm para se të mbyllej OFL-ja në Oriol.

Irina Kristenseni

Të nesërmen prokurori thirri për të dëshmuar një grua 78-vjeçare, e cila është Dëshmitare e Jehovait. Pasi e mori në pyetje për dy orë e gjysmë që të gjente «prova» për të mbështetur akuzat, ajo thjesht dëshmoi se Dëshmitarët s’kanë drejtues ose udhëheqës dhe se gjatë mbledhjeve nuk përdorin asnjëherë botime fetare të ndaluara në Rusi.

Seanca do të rifillojë më 14 maj 2018 dhe është programuar të vazhdojë për disa ditë gjatë muajit. Nëse shpallet fajtor, z. Kristensen mund të dënohet me gjashtë deri në dhjetë vjet burg. Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën janë të tronditur për këtë dhe janë të shqetësuar për mirëqenien e z. Kristensen dhe të bashkëshortes së tij, Irinës.

^ par. 3 Në mbështetje të vendimit për të ndaluar OFL-në e Dëshmitarëve të Jehovait në Oriol, Gjykata e Lartë tha: «S’do të shkelet e drejta e këtyre pjesëtarëve për të ndjekur fenë që kanë zgjedhur, meqë nuk u ndalohet të mbajnë në mënyrë të pavarur mbledhje fetare që nuk kanë lidhje me shpërndarjen e literaturës fetare me përmbajtje ekstremiste.»