Kalo te përmbajtja

Këndi jw.org në Panairin Ndërkombëtar të Tregtisë 2023 në Zimbabve tërheq shumë vizitorë

13 QERSHOR 2023
ZIMBABVE

Njerëz nga kultura e vende të ndryshme marrin dëshmi në Panairin Ndërkombëtar të Tregtisë 2023 në Zimbabve

Njerëz nga kultura e vende të ndryshme marrin dëshmi në Panairin Ndërkombëtar të Tregtisë 2023 në Zimbabve

Në datat 25-29 prill 2023, në Bulavajo, Zimbabve, u organizua Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë (ZITF). Ky është një ndër panairet më të mëdha në vend, me 500 pjesëmarrës nga 22 shtete, i cili tërheq mbi 60.000 vizitorë. Edhe Dëshmitarët e Jehovait morën pjesë në këtë panair dhe ngritën një kënd në kategorinë e arsimimit dhe të trajnimit.

Për të ndihmuar vizitorët nga shtete të tjera, Dëshmitarët ekspozuan literaturë të bazuar në Bibël në 10 gjuhë, përfshirë në gjuhën zimbabviane të shenjave. Ata vunë në dispozicion edhe një kurs interaktiv për studimin e Biblës për të interesuarit. Gjatë këtij eventi u shpërndanë më shumë se 12.000 botime të bazuara në Bibël, dhe mbi 450 veta kërkuan vizita nga Dëshmitarët e Jehovait. Motër Eusebjah Mukura, e cila mikpriste vizitorët te këndi, vëren: «Shumë veta e mirëpritën ofertën për të provuar programin interaktiv për studimin e Biblës që është falas. U kënaqa pa masë që gjithë ata njerëz thanë se mezi pritnin vizita nga Dëshmitarët e Jehovait.»

Në këndin e botimeve vëllezërit ekspozuan edhe Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Kur një grua dëgjoi rastësisht dikë që po lexonte me zë përkthimin e Biblës në gjuhën ndebele, i bëri përshtypje qartësia e përkthimit dhe kërkoi një kopje. Një vajzë tjetër i tregoi tërë entuziazëm motrës sonë se kishte instaluar në telefon aplikacionin JW Library. I shpjegoi se e kishte instaluar enkas që të shkarkonte kopjen e saj të Përkthimit Bota e Re.

Motër Gilian Elermani, e cila mirëpriste vizitorët, tha: «Kjo eksperiencë ishte shumë emocionuese. Këndin tonë e vizitonin njerëz pa fund. Ç’lavdi të jashtëzakonshme mori Jehovai!»

Marrim zemër kur shohim se vëllezërit e motrat në Zimbabve shfrytëzojnë çdo mundësi për t’u dhënë të tjerëve «njohurinë e saktë për të vërtetën».—1 Timoteut 2:4.