Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për Krishtlindjet?

Çfarë thotë Bibla për Krishtlindjet?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla nuk e thotë datën e lindjes së Jezuit, as nuk thotë se duhet ta kremtojmë ditën e lindjes së tij. Enciklopedia e Meklintokut dhe e Strongut thotë: «Kremtimi i Krishtlindjeve nuk është caktuar nga Perëndia dhe as nuk është me origjinë nga BR [Besëlidhja e Re].»

 Përkundrazi, një shqyrtim i historisë së Krishtlindjeve demaskon rrënjët e saj në ritet fetare pagane. Bibla tregon se e fyejmë Perëndinë nëse përpiqemi ta adhurojmë në një mënyrë që ai nuk e miraton.​—Dalja 32:​5-7.

Historia e zakoneve të Krishtlindjeve

  1.   Festimi i ditës së lindjes së Jezuit: «Të krishterët e hershëm nuk e festonin ditën e lindjes [së Jezuit], sepse e konsideronin festimin e ditëlindjes së çdokujt si një zakon pagan.»​—The World Book Encyclopedia.

  2.   Data 25 dhjetor: Nuk ka asnjë provë se Jezui ka lindur në këtë datë. Ka të ngjarë që krerët e Kishës zgjodhën këtë datë që të përkonte me festat pagane gjatë solsticit të dimrit ose diku afër tij.

  3.   Dhënia e dhuratave, gostitë dhe festat: Një enciklopedi (The Encyclopedia Americana) thotë: «Saturnalet, një festë romake që festohej nga mesi i dhjetorit, shërbyen si model për shumë zakone festive të Krishtlindjeve. Për shembull, nga kjo festë erdhën gostitë e pasura, dhënia e dhuratave dhe ndezja e qirinjve.» Sipas një enciklopedie, «çdo punë dhe çdo biznes ndërpritej» gjatë Saturnaleve.​—Encyclopædia Britannica.

  4.   Dritat e Krishtlindjeve: Sipas një enciklopedie, evropianët i zbukuronin shtëpitë «me drita dhe gjelbërime të të gjitha llojeve» për të festuar solsticin e dimrit dhe për të luftuar frymërat e liga.

  5.   Veshtulla dhe ashja: Zakonisht, këto bimë përdoren në zbukurimet e Krishtlindjeve. «Druidët i vishnin veti magjike veçanërisht veshtullës. Ashja, e gjelbër gjithë vitin, adhurohej si premtim i rikthimit të diellit.»​—The Encyclopedia Americana.

  6.   Pema e Krishtlindjeve: «Adhurimi i pemës, i zakonshëm mes evropianëve paganë, mbijetoi edhe pasi ata u kthyen në të krishterë.» Një mënyrë si u ruajt adhurimi i pemës është me anë të zakonit të «vënies së një peme Krishtlindjesh në hyrje ose brenda shtëpisë gjatë festave në mes të dimrit».​—Encyclopædia Britannica.