Kalo te përmbajtja

Kur do të vijë fundi i botës?

Kur do të vijë fundi i botës?

Përgjigjja e Biblës

 Që të dimë kur do të vijë fundi i botës, duhet të kuptojmë kujt i referohet Bibla kur përdor fjalën «botë». Fjala greke kósmos, që zakonisht përkthehet «botë», më së shumti i referohet njerëzimit, sidomos pjesës që nuk jeton në përputhje me vullnetin e Zotit. (Gjoni 15:18, 19; 2 Pjetrit 2:5) Me raste, fjala kósmos i referohet strukturës së shoqërisë njerëzore, duke përfshirë sistemin tregtar, politik e fetar.​—1 Korintasve 7:​31; 1 Gjonit 2:​15, 16. a

Çfarë është «fundi i botës»?

 Shprehja «fundi i botës», të cilën e shohim në shumë përkthime të Biblës, mund të përkthehet edhe ‘përfundimi i sistemit’, ose ‘mbarimi i kësaj epoke’. (Mateu 24:3; Bibla ECM) Nuk i referohet shkatërrimit të tokës ose të gjithë njerëzimit, por fundit të strukturës së shoqërisë njerëzore.​—1 Gjonit 2:​17.

 Bibla mëson se «keqbërësit do të shfarosen» që njerëzit e mirë të shijojnë jetën në tokë. (Psalmi 37:​9-​11) Ky shkatërrim do të ndodhë në ‘shtrëngimin e madh’, kulmi i të cilit do të jetë lufta e Harmagedonit.​—Mateu 24:21, 22; Zbulesa 16:14, 16.

Kur do të vijë fundi i botës?

 Jezui tha: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mateu 24:36, 42) Ai shtoi se fundi do të vinte papritur, «në një orë që ju s’e mendoni».​—Mateu 24:44.

 Edhe pse nuk mund t’i dimë ditën dhe orën e saktë, Jezui foli për një «shenjë» të përbërë, ose grup ngjarjesh, që do të identifikonin periudhën kohore pikërisht para fundit të botës. (Mateu 24:​3, 7-​14) Bibla i referohet kësaj periudhe si ‘koha e fundit’, ‘koha e mbarimit’ dhe «ditët e fundit».​—Danieli 12:4; Diodati i Ri; 2 Timoteut 3:​1-5.

A do të mbetet ndonjë gjë pas fundit të botës?

 Po. Toka do të mbetet ende, pasi Bibla thotë se «ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës». (Psalmi 104:5) Do të mbushet me njerëz, tamam siç premton Bibla: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) Zoti do të krijojë kushtet që kishte si qëllim që në fillim:

a Edhe fjala greke aión, në disa Bibla është përkthyer «botë». Kur përkthehet kështu, fjala aión ka kuptim të ngjashëm me kósmos, që i referohet strukturës së shoqërisë njerëzore.