Kalo te përmbajtja

Jezui shpëton​—Si?

Jezui shpëton​—Si?

Përgjigjja e Biblës

 Jezui shpëtoi njerëzit besnikë kur dha jetën e tij si flijim shpërblyes. (Mateu 20:28) Ja pse Bibla e quan «Shpëtimtar të botës». (1 Gjonit 4:14) Ajo thotë edhe se «nga askush tjetër nuk vjen shpëtimi, sepse mes njerëzve nën qiell Perëndia nuk ka dhënë emër tjetër, me anë të të cilit të shpëtojmë».​—Veprat 4:12.

 Jezui ‘shijoi vdekjen për çdo njeri’ që tregon besim tek ai. (Hebrenjve 2:9; Gjoni 3:16) Më pas «Perëndia e ngriti nga të vdekurit» dhe ai u kthye në qiell si krijesë e padukshme engjëllore. (Veprat 3:15) Atje Jezui është në gjendje «t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse është gjithmonë gjallë për të ndërmjetësuar për ta».​—Hebrenjve 7:25.

Pse kemi nevojë që Jezui të ndërmjetësojë për ne?

 Të gjithë ne jemi mëkatarë. (Romakëve 3:23) Mëkati vendos një barrierë mes nesh e Perëndisë dhe na çon në vdekje. (Romakëve 6:23) Por, Jezui shërben si «avokat» për të gjithë ata që tregojnë besim te flijimi i tij shpërblyes. (1 Gjonit 2:1, Diodati i Ri) Ai ndërmjetëson në favor të tyre, duke i kërkuar Perëndisë t’ua dëgjojë lutjet dhe t’ua falë mëkatet në bazë të vdekjes së tij flijuese. (Mateu 1:21; Romakëve 8:34) Perëndia u përgjigjet kërkesave të Jezuit sepse janë në harmoni me vullnetin e Tij. Ai e dërgoi Jezuin në tokë «që nëpërmjet tij bota të shpëtojë».​—Gjoni 3:17.

A mjafton vetëm të besojmë te Jezui që të shpëtojmë?

 Jo. Edhe pse duhet të besojmë patjetër te Jezui që të shpëtojmë, kërkohet më shumë. (Veprat 16:30, 31) Bibla thotë: «Ashtu si trupi pa frymë është i vdekur, edhe besimi pa vepra është i vdekur.» (Jakovi 2:26) Që të shpëtojmë, duhet:

  •   Të mësojmë për Jezuin dhe për Atin e tij, Jehovain.​—Gjoni 17:3.

  •   Të kemi besim te ta.​—Gjoni 12:44; 14:1.

  •   Ta tregojmë besimin duke iu bindur urdhërimeve të tyre. (Luka 6:46; 1 Gjonit 2:17) Jezui mësoi se nuk do të shpëtonte kushdo që e thërriste «Zotëri», por vetëm ata që ‘bënin vullnetin e Atit të tij që është në qiej’.​—Mateu 7:21.

  •   Të vazhdojmë të tregojmë besim pavarësisht nga vështirësitë. Jezui e bëri të qartë këtë kur tha: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.»​—Mateu 24:13.