Kalo te përmbajtja

Dua të vdes: A mund të marr forcë nga Bibla që të luftoj mendimin për të vrarë veten?

Dua të vdes: A mund të marr forcë nga Bibla që të luftoj mendimin për të vrarë veten?

Përgjigjja e Biblës

 Po! Bibla vjen nga «Perëndia që ngushëllon të përvuajturit». (2 Korintasve 7:6) Ndonëse Bibla nuk është libër për shëndetin mendor, ajo ka ndihmuar shumë veta që të mposhtin mendimin për të vrarë veten. Këshillat e saj praktike mund të të ndihmojnë edhe ty.

 Ç’këshilla praktike ofron Bibla?

  •  Shprehu si ndihesh.

     Çfarë thotë Bibla: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»​—Proverbat 17:17.

     Kuptimi: Kemi nevojë për mbështetjen e të tjerëve kur na mbytin mendime turbulluese.

     Nëse nuk flet me të tjerët për mënyrën si ndihesh, mendimet negative do të të vënë përfund. Por nëse flet, mund të fillosh të ndihesh pak më mirë dhe ta shohësh situatën nga një këndvështrim tjetër.

     Sugjerim: Fol me dikë që sot, ndoshta me një pjesëtar të familjes ose me një shok të besuar. a Gjithashtu mund t’i hedhësh ndjenjat me shkrim.

  •  Kërko ndihmë mjekësore.

     Çfarë thotë Bibla: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po.»—Mateu 9:12.

     Kuptimi: Nevojitet ndihmë mjekësore kur jemi sëmurë.

     Mendimi për të vrarë veten mund të jetë simptomë e një sëmundjeje mendore ose emocionale. Ashtu si ndihemi kur sëmuremi fizikisht, as në këtë rast s’ka pse të na vijë turp. Sëmundjet mendore dhe emocionale mund të trajtohen.

     Sugjerim: Kërko ndihmën e një mjeku specialist sa më shpejt të mundesh.

  •  Mos harro se Perëndia interesohet për ty.

     Çfarë thotë Bibla: «A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? E megjithatë asnjë nga ata nuk harrohet përpara Perëndisë. . . . Mos kini frikë, ju vleni më tepër se shumë harabela.»​—Luka 12:6, 7.

     Kuptimi: Ti je i çmuar për Perëndinë.

     Mund të ndihesh sikur asnjeri nuk do t’ia dijë për ty, por Perëndia e kupton dhimbjen tënde. Ai interesohet për ty: edhe nëse ke humbur dëshirën për të jetuar. Psalmi 51:17 thotë: «Zemrën e vrarë dhe të dërrmuar ti nuk do ta përbuzësh, o Perëndi.» Zoti do që ti të jetosh, sepse ka dashuri për ty.

     Sugjerim: Shqyrto prova nga Bibla që tregojnë se Perëndia të do. Për shembull, te një nga librat që të ndihmon të studiosh Biblën T’i afrohemi Jehovait, kapitulli 24.

  •  Lutju Perëndisë.

     Çfarë thotë Bibla: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai interesohet për ju.»​—1 Pjetrit 5:7.

     Kuptimi: Perëndia do që t’ia shprehësh si ndihesh vërtet dhe çfarë të shqetëson.

     Zoti mund të të japë paqe të brendshme dhe forcë për të përballuar gjendjen ku ndodhesh. (Filipianëve 4:6, 7, 13) Kjo është mënyra si i mbështet ata që i luten për ndihmë.​—Psalmi 55:22.

     Sugjerim: Provo t’i lutesh sot Perëndisë. Drejtoju me emër: Jehova. Pastaj thuaji si ndihesh. (Psalmi 83:18) Kërkoji që të të ndihmojë të ecësh përpara.

  •  Medito rreth shpresës që jep Bibla për të ardhmen.

     Çfarë thotë Bibla: «Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur.»​—Hebrenjve 6:19, Diodati i Ri, përkthimi 1991-94.

     Kuptimi: Ndjenjat e tua mund të shkojnë lart e poshtë si një anije në det të stuhishëm, por shpresa e Biblës mund të të japë qëndrueshmëri emocionale.

     Kjo shpresë nuk nënkupton të dëshirosh diçka të pamundur, por bazohet te premtimi i Perëndisë se do të zhdukë shkaqet e vuajtjeve.​—Zbulesa 21:4.

     Sugjerim: Mëso më shumë për shpresën e Biblës duke lexuar mësimin 5 të broshurës Një lajm i mirë nga Perëndia.

  •  Bëj gjëra që të gëzojnë.

     Çfarë thotë Bibla: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç.»​—Proverbat 17:22.

     Kuptimi: Kur bëjmë gjëra që na sjellin gëzim, mund ta përmirësojmë mirëqenien tonë mendore dhe emocionale.

     Sugjerim: Bëj diçka që zakonisht të pëlqen. Për shembull, dëgjo muzikë që të sjell në humor, lexo materiale me përmbajtje pozitive ose merru me një hobi. Po ashtu mund ta rritësh lumturinë nëse bën diçka për të tjerët, sado e vogël qoftë.​—Veprat 20:35.

  •  Kujdesu për shëndetin fizik.

     Çfarë thotë Bibla: «Stërvitja e trupit është e dobishme.»​—1 Timoteut 4:8.

     Kuptimi: Na bën mirë të ushtrohemi fizikisht, të flemë sa duhet dhe të hamë shëndetshëm.

     Sugjerim: Dil për një ecje të shpejtë, sikur edhe 15 minuta.

  •  Mos harro se ndjenjat dhe gjërat e tjera në jetë ndryshojnë.

     Çfarë thotë Bibla: «Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj.»​—Jakovi 4:14.

     Kuptimi: Një hall i madh​—që mendon se nuk ka zgjidhje—​nuk është e thënë të jetë i përhershëm.

     Sado e zezë të duket situata sot, nesër mund të ndryshojë. Prandaj kërko mënyra për të mos u dorëzuar. (2 Korintasve 4:8) Rrethanat e tua shqetësuese ka shumë të ngjarë të ndryshojnë me kalimin e kohës, por vetëvrasjen s’e kthen dot mbrapsht.

     Sugjerim: Lexo tregime nga Bibla që flasin për njerëz që ndiheshin kaq të shkurajuar sa donin të vdisnin dhe shih si, në fund, jeta e tyre ndryshoi për mirë: shpesh në mënyra që s’e prisnin. Ja disa shembuj.

 A flet Bibla për njerëz që donin të vdisnin?

 Po. Bibla tregon se disa njerëz donin të vdisnin. Perëndia nuk i qortoi, por i ndihmoi. Ai mund të veprojë njësoj me ty.

Elija

  •  Kush ishte? Elija ishte një profet i guximshëm. Por me raste edhe ai u shkurajua. Jakovi 5:17 thotë: «Elija ishte njeri me ndjenja si tonat.»

  •  Pse donte të vdiste? Në një pikë të jetës, Elija u ndje i vetmuar, i frikësuar dhe i pavlerë. Prandaj iu përgjërua Perëndisë: «O Jehova, . . . merrma shpirtin.»—1 Mbretërve 19:4.

  •  Çfarë i dha forcë? Elija ia zbrazi zemrën Perëndisë. Si e inkurajoi Perëndia? Jehovai i tregoi se merakosej për të dhe se ishte Perëndi i fuqishëm. Gjithashtu e siguroi se ishte ende i dobishëm dhe i caktoi një shërbëtor të kujdesshëm dhe të aftë.

  •  Lexo për Elijan: 1 Mbretërve 19:2-18.

Jobi

  •  Kush ishte? Jobi ishte burrë i pasur dhe kishte një familje të madhe. Ai adhuronte me besnikëri Perëndinë e vërtetë.

  •  Pse donte të vdiste? Krejt papritur Jobit i ranë shumë vuajtje mbi krye. Humbi gjithçka që zotëronte. I vdiqën të gjithë fëmijët në një katastrofë. E zuri një sëmundje e tmerrshme. Dhe në fund e akuzuan në mënyrë mizore dhe të rreme se ishte shkaktari i fatkeqësive të veta. Jobi tha: «Jam dëshpëruar, s’kam pse të jetoj.»—Jobi 7:16, Simon Filipaj.

  •  Çfarë i dha forcë? Jobi iu lut Perëndisë dhe u hap me të tjerët. (Jobi 10:1-3) Ai u inkurajua nga miku i tij i dhembshur, Elihu, i cili e ndihmoi ta shihte situatën me një sy tjetër. Mbi të gjitha, Jobi pranoi këshillat dhe ndihmën e Zotit.

  •  Lexo për Jobin: Jobi 1:1-3, 13-22; 2:7; 3:1-13; 36:1-7; 38:1-3; 42:1, 2, 10-13.

Moisiu

  •  Kush ishte? Moisiu ishte udhëheqës i Izraelit të lashtë dhe një profet besnik.

  •  Pse donte të vdiste? Moisiu kishte një ngarkesë të madhe pune, kritikohej vazhdimisht dhe ndihej i rraskapitur. Ja pse i thirri Perëndisë: «Të lutem, më vrit menjëherë.»—Numrat 11:11, 15, Diodati i Ri, përkthimi 1991-94.

  •  Çfarë i dha forcë? Moisiu i tha Perëndisë si ndihej. Ai e ndihmoi duke ia lehtësuar ngarkesën dhe stresin.

  •  Lexo për Moisiun: Numrat 11:4-6, 10-17.

a Nëse mendimi për të vrarë veten nuk të hiqet nga mendja dhe njerëzit që ti u beson nuk janë të disponueshëm, kontakto me një numër urgjence.