Kalo te përmbajtja

Çfarë të nevojitet për ta kuptuar Biblën?

Çfarë të nevojitet për ta kuptuar Biblën?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla e shpjegon çfarë duhet të bësh për ta kuptuar atë. Pavarësisht nga formimi yt, mesazhi i Perëndisë në Bibël «nuk është as tepër i vështirë për ty, as shumë larg teje».—Ligji i përtërirë 30:11.

Për të kuptuar Biblën duhet:

  1.   Të kesh qëndrimin e duhur. Pranoje Biblën si Fjalën e Perëndisë. Ji i përulur, sepse Perëndia u kundërvihet krenarëve. (1 Selanikasve 2:13; Jakovi 4:6) Megjithatë, mos beso verbërisht. Perëndia dëshiron që të përdorësh «fuqinë . . . për të arsyetuar».—Romakëve 12:1, 2.

  2.   Lutu për mençuri. «Mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde»,—thotë Bibla te Proverbat 3:5. Përkundrazi, ‘vazhdo t’i kërkosh Perëndisë’ mençuri për të kuptuar Biblën.—Jakovi 1:5.

  3.   Studio rregullisht. Do të nxjerrësh shumë më tepër dobi nga studimi i Biblës nëse studion rregullisht dhe jo në mënyrë sporadike.—Josiu 1:8.

  4.   Studio sipas temave. Studimi sipas temave, ku ti analizon çfarë thotë Bibla për një temë të caktuar, është një mënyrë e efektshme për të mësuar çfarë thonë Shkrimet. Fillo me «mësimin fillestar», si të thuash, dhe pastaj «[kalo] në atë që është (mësim i përparuar) për të rritur». (Hebrenjve 6:1, 2, Bibla Simon Filipaj) Do të zbulosh se mund t’i krahasosh shkrimet me njëri-tjetrin dhe do të mësosh se pjesë të ndryshme të Biblës shpjegojnë njëra-tjetrën, edhe ato pjesë që janë «të vështira për t’u kuptuar».—2 Pjetrit 3:16.

  5.   Kërkoju ndihmë të tjerëve. Bibla na nxit të pranojmë ndihmë nga të tjerët që e kuptojnë Biblën. (Veprat 8:30, 31) Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë një program për të studiuar Biblën falas. Ashtu si të krishterët e hershëm, ata përdorin pjesë nga Shkrimet për t’i ndihmuar të tjerët të dallojnë çfarë mëson vërtet Bibla.—Veprat 17:2, 3.

Nuk ke nevojë për:

  1.   Shumë intelekt ose arsimim. Ndonëse disa i konsideronin 12 apostujt e Jezuit «të pashkolluar e të thjeshtë», ata i kuptonin Shkrimet dhe ua mësonin të tjerëve.—Veprat 4:13.

  2.   Pará. Mund ta mësosh Biblën pa asnjë kosto. Jezui u tha dishepujve: «Falas morët, falas jepni.»—Mateu 10:8.