Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 11

Si të tregosh vërtet besim sot?

Si të tregosh vërtet besim sot?

SOT shumë njerëz thonë se kanë besim. Por, Jezui mësoi se pak njerëz do të kishin vërtet besim. Ai tha: «E gjerë dhe e hapët është rruga që të çon në shkatërrim, dhe shumë hyjnë nga ajo. Por e ngushtë është porta dhe e kufizuar rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.»​—Mateu 7:​13, 14.

Si e tregojnë njerëzit sot se kanë vërtet besim? «Do t’i njihni nga frytet e tyre,​—tha Jezui.​—Çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq.» (Mateu 7:​16, 17) Pra, ky lloj besimi prodhon «fryt të mirë». Ai i nxit njerëzit të shfaqin cilësi që Perëndia i miraton. Si e bëjnë këtë?

E përdorin fuqinë siç duhet

Njerëzit që kanë vërtet besim, e përdorin fuqinë dhe autoritetin për të nderuar Perëndinë e në dobi të të tjerëve. Jezui mësoi: «Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj.» (Marku 10:43) Po kështu, njerëzit që kanë vërtet besim nuk janë tiranë as jashtë, as brenda shtëpisë. E çmojnë gruan e tyre, e nderojnë dhe me dashuri ia plotësojnë nevojat. Shkrimet thonë: «Ju, burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to.» (Kolosianëve 3:19) «Burra, vazhdoni të banoni në mënyrë të ngjashme me to sipas njohurisë, duke i nderuar gratë si një enë më të dobët, përderisa edhe ju jeni trashëgimtarë me to të hirit të pamerituar të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.»​​—1 Pjetrit 3:7.

Nga ana tjetër, një grua që ka vërtet besim «duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj». (Efesianëve 5:33) Gratë duhet «të duan burrat» dhe «të duan fëmijët». (Titit 2:4) Baballarët dhe nënat që kanë besim kalojnë kohë me fëmijët dhe u mësojnë atyre ligjet e parimet e Perëndisë. Në shtëpi, në punë dhe kudo, i trajtojnë të tjerët me dinjitet dhe respekt. Ata ndjekin këtë këshillë nga Shkrimet: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.»​—Romakëve 12:10.

Shërbëtorët e Perëndisë zbatojnë këtë urdhër nga Shkrimet: «Mos merr ryshfet.» (Dalja 23:8) Ata kurrë nuk e keqpërdorin pozitën për përfitime të pandershme. Përkundrazi, kërkojnë raste për t’i ndihmuar të tjerët, sidomos nevojtarët. I vënë veshin kësaj këshille: «Mos harroni të bëni të mira dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla.» (Hebrenjve 13:16) Për këtë arsye, provojnë sa të vërteta janë fjalët e Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»​​—Veprat 20:35.

Përkrahin drejtësinë e Perëndisë

Njerëzit që kanë vërtet besim, u binden me gatishmëri ligjeve të Perëndisë dhe për ta «urdhërimet e tij nuk janë të rënda». (1 Gjonit 5:3) E dinë se «ligji i Jehovait është i përsosur . . . Urdhrat e Jehovait janë të drejtë dhe ta gëzojnë zemrën. Urdhërimet e Jehovait janë të pastra dhe i bëjnë sytë të ndrijnë».​​—Psalmi 19:​7, 8.

Ata që kanë vërtet besim, hedhin poshtë çdo formë paragjykimi. Nuk e lartësojnë një racë, vend ose klasë shoqërore mbi një tjetër, përkundrazi, imitojnë Perëndinë. «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»​—Veprat 10:​34, 35.

Ata që kanë vërtet besim, ‘sillen me ndershmëri në çdo gjë’. (Hebrenjve 13:18) Gjithashtu, një njeri me besim nuk merret me thashetheme të dëmshme dhe shpifje. Për njeriun që Perëndia e miraton, psalmisti David shkroi: «Nuk shpif me gjuhën e tij [dhe] nuk i bën asnjë të keqe shokut.»​—Psalmi 15:3.

Pasqyrojnë mençurinë e Perëndisë

Ata që kanë vërtet besim, i bazojnë bindjet e tyre vetëm te Shkrimet e Shenjta. Besojnë se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi». (2 Timoteut 3:16) Në marrëdhëniet me të tjerët pasqyrojnë ‘mençurinë nga lart’, e cila është «e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, e gatshme të bindet, plot mëshirë dhe fryte të mira». (Jakovi 3:17) Ata shmangin traditat që nuk i pëlqejnë Perëndisë dhe spiritizmin, si edhe ‘ruhen nga idhujt’.​—1 Gjonit 5:21.

Tregojnë dashuri të sinqertë

Profeti Moisi tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde.» (Ligji i përtërirë 6:5) Njerëzit me besim tregojnë këtë lloj dashurie për Perëndinë. Ata respektojnë emrin e Perëndisë, Jehova. ‘Falënderojnë Jehovain’ dhe ‘thërrasin emrin e tij’. (Psalmi 105:1) Gjithashtu, shërbëtorët e Perëndisë i vënë veshin urdhrit: «Duaje tjetrin si veten.» (Levitiku 19:18) Ata janë kundër dhunës dhe përpiqen ‘të jenë paqësorë me të gjithë’. (Romakëve 12:18) Në kuptimin e figurshëm, ‘i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje’. (Isaia 2:4) Si rrjedhim, ‘kanë dashuri për njëri-tjetrin’ dhe gëzojnë një vëllazëri mbarëbotërore. (Gjoni 13:35) A mund të dallosh sot se kush janë këta njerëz?