Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 12

Trego se ke vërtet besim!

Trego se ke vërtet besim!

PERËNDIA i paralajmëron shërbëtorët e tij se do të kenë sprova besimi. Fjala e tij thotë: «Jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.» (1 Pjetrit 5:8) Si mund të përpiqet Satanai të të shkatërrojë besimin?

A ke provuar këtë lloj kundërshtimi?

Satanai mund të përdorë të tjerët, madje njerëzit e tu të afërt, për të të bërë presion që të mos shqyrtosh Shkrimet e Shenjta. Në lidhje me këtë, Jezui paratha: «Armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.» (Mateu 10:36) Familjarë dhe miq, që nisen nga qëllime të mira, mund të mos dinë gjë për të vërtetat e mrekullueshme që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Ose mund të kenë frikë se çfarë mendojnë të tjerët. Gjithsesi, Shkrimet thonë: «Të dridhesh para njerëzve përbën një lak, por kush beson te Jehovai, është i mbrojtur.» (Proverbat 29:25) Nëse nuk mëson më nga Shkrimet për t’u pëlqyer njerëzve, a do t’i pëlqejë kjo Perëndisë? Sigurisht që jo! Nga ana tjetër, kur tregojmë vërtet besim, Perëndia na ndihmon. «Ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim, por lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit.»​—Hebrenjve 10:39.

Kujto përvojën e Dumasit që u tregua më parë. Në fillim, gruaja tallej me të për shkak të besimit të tij. Por, më vonë, edhe ajo filloi të mësonte Fjalën e Perëndisë bashkë me të. Po kështu, nëse ngulmon duke bërë atë që është e drejtë, mund të ndikosh te miqtë dhe të afërmit që të bëjnë po njësoj. Shpesh, një familjar ‘është fituar pa fjalë, nëpërmjet sjelljes së dëlirë dhe respektit të thellë’ të atij që tregon vërtet besim.​​—1 Pjetrit 3:​1, 2.

Po ashtu, Satanai përpiqet t’i bëjë njerëzit të mendojnë se janë tepër të zënë që të studiojnë Shkrimet. Ai do që presionet e jetës​—problemet personale dhe shqetësimet për paratë​—​‘ta mbytin fjalën’ në rastin tënd, e kështu besimi yt ‘të bëhet i pafrytshëm’. (Marku 4:19) Hidhe poshtë këtë pikëpamje dritëshkurtër! Shkrimet thonë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Po, të vazhdosh të mësosh më shumë për Perëndinë dhe Jezuin, Mesinë, është thelbësore për të fituar jetën e përhershme në Parajsë!

Lutju Perëndisë për ndihmë

Mendo për Moisiun, i cili ishte pjesëtar i familjes mbretërore të Egjiptit. Ai mund të ishte dhënë pas pasurisë, famës dhe pushtetit. Megjithatë, Moisiu zgjodhi «të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të gëzonte kënaqësinë e përkohshme të mëkatit». Pse? «Qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm.» (Hebrenjve 11:​24, 25, 27) Po, Moisiu kishte besim të fortë te Perëndia. Ai i vuri interesat e Perëndisë përpara synimeve egoiste dhe Perëndia e bekoi me bollëk. Nëse vepron po njësoj, Perëndia do të të bekojë edhe ty.

Satanai mund të orvatet të të bëjë prenë e tij në mënyra të ndryshme. Por, nuk ka pse të bëhesh viktimë e tij. Fjala e Perëndisë na nxit: «Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.» (Jakovi 4:7) Si mund t’i kundërvihesh?

Vazhdo të studiosh Shkrimet e Shenjta. Lexoje çdo ditë Fjalën e Perëndisë. Studioji mësimet e saj. Zbatoji këshillat e saj. Duke bërë kështu, ‘do të marrësh armaturën e plotë të Perëndisë’ me anë të së cilës mund t’u rezistosh sulmeve të Satanait.​—Efesianëve 6:13.

Shoqërohu me njerëz që kanë vërtet besim. Kërko të tjerë që i lexojnë, studiojnë dhe zbatojnë Shkrimet e Shenjta. Këta ‘interesohen për njëri-tjetrin, që të nxiten për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, duke inkurajuar njëri-tjetrin’. Ata do të të ndihmojnë të forcosh besimin.​—Hebrenjve 10:​24, 25.

Shoqërohu me njerëz që kanë besim

Afroju Jehovait. Lutju Perëndisë për ndihmë dhe beso tek ai. Kurrë mos harro se Perëndia dëshiron të të ndihmojë. ‘Hidhe gjithë ankthin tënd mbi të, sepse ai interesohet për ty.’ (1 Pjetrit 5:​6, 7) «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»​​—1 Korintasve 10:13.

Satanai e sfidon Perëndinë duke thënë se askush nuk do të vazhdojë t’i shërbejë Atij nën vuajtje. Megjithatë, ti ke mundësinë të tregosh se Satanai është një gënjeshtar. Perëndia thotë: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» (Proverbat 27:11) Po, ji i vendosur të tregosh se ke vërtet besim!