Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Si t’i përmirësoj lutjet?

Si t’i përmirësoj lutjet?

«Kur je shumë i ngarkuar me shkollën, punën, shokët dhe familjen, nganjëherë harron atë që është më i rëndësishmi: Perëndinë.»​—Faviola, 15 vjeçe, Shtetet e Bashkuara.

«LUTUNI pa pushim.» (1 Selanikasve 5:17) «Ngulmoni në lutje.» (Romakëve 12:12) «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja.» (Filipianëve 4:6) Nëse je i krishterë, i di mirë këto shkrime. Ka shumë të ngjarë që edhe ti e kupton se lutja është komunikimi më i mrekullueshëm që ekziston. Vetëm mendo: në çdo moment të ditës a të natës mund të flasësh me Perëndinë e Plotfuqishëm. Bibla thotë: «Ai na dëgjon.» *​—1 Gjonit 5:14.

Gjithsesi, ashtu si vajza e përmendur në fillim, edhe ti mund ta kesh të vështirë të lutesh. Nëse po, ç’mund të bësh? Ky artikull do të të ndihmojë (1) të përcaktosh pengesat, (2) të vësh një synim për lutjet dhe (3) të hapësh «derën» që të çon drejt arritjes së këtij synimi.

Së pari, le të përcaktojmë pengesën. Ç’gjë ke ti më të vështirë për sa i përket lutjes?

Hapi tjetër është të vësh një synim. Më poshtë, shëno një synim që ti do të doje të arrije ose shkruaj ndonjë synim në rreshtin përbri fjalës «Tjetër».

  • Dua të lutem më shpesh.

  • Dua që lutjet e mia të mos jenë gjithnjë njësoj.

  • Dua që lutjet t’i bëj me më shumë ndjenjë.

  • Tjetër ․․․․․

Si ta hapësh «derën»?

Lutja është si një derë që mund ta hapësh kurdo. Mirëpo, shumë të rinj thonë se nuk e hapin atë derë aq shpesh ose aq lirshëm sa duhet. Po të jetë kështu edhe me ty, mos u dorëzo! Tashmë e ke përcaktuar pengesën dhe ke vënë një synim. Të duhet vetëm një çelës për të hapur derën. Shqyrto disa pengesa që mund të hasësh dhe sugjerimet si t’i kapërcesh.

Pengesa: LËNIA PAS DORE.

«Ngaqë jam gjithnjë me vrap, nganjëherë e harroj lutjen.»​—Priti, 20 vjeçe, Britani.

Çelësi: «Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.»​—Efesianëve 5:15, 16.

Sugjerim: Cakto më përpara se kur është koha më e mirë për t’u lutur çdo ditë. Madje mund ta shkruash në një letër, siç do të bëje kur ke ndonjë takim dhe e shënon të mos e harrosh. «Po të mos e caktoj se kur do të lutem, harrohem pas gjërave të tjera»,—thotë Joshikoja 18 vjeçe nga Japonia.

Pengesa: SHPËRQENDRIMI.

«Shpërqendrohem dhe mendja nga s’më fluturon. S’e kam hiç tek ajo që po them.»​—Pamela, 17 vjeçe, Meksikë.

Çelësi: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.»​—Mateu 12:34.

Sugjerim: Nëse ende të ndodh shpesh që të të shëtitë mendja sa andej-këtej, përpiqu të bësh lutje më të shkurtra, të paktën derisa t’ia dalësh të përqendrohesh. Një sugjerim tjetër: lutu për ato gjëra që i ke fort për zemër. «Kur hyra në adoleshencë,—thotë Marina 14-vjeçare nga Rusia,—nisa të meditoj për faktin që lutja është një komunikim i vërtetë me Perëndinë. Kjo më nxiti t’ia hapja zemrën në lutje.»

Pengesa: PËRSËRITJA.

«Kur lutem, kuptoj se them gjithnjë po ato fjalë.»​—Djupa, 17 vjeçe, Benin.

Çelësi: «Do të meditoj për tërë bëmat e tua, dhe do të mbaj në mendje veprat e tua.»​—Psalmi 77:12.

Sugjerim: Nëse të duket se lutjet i thua si papagall, çdo ditë shkruaj një bekim të veçantë të jetës tënde. Pastaj falënderoje Jehovain për atë bekim. Bëje këtë për një javë, e kështu do të lutesh për shtatë tema të ndryshme pa përsëritur të njëjtat gjëra. Vepro njësoj edhe për gjërat që të ndodhin përditë. «Kur lutem, përpiqem të përqendrohem te çfarë më ka ndodhur atë ditë»,—thotë Brunoja 21-vjeçar nga Brazili. Samanta 18-vjeçare nga Shtetet e Bashkuara bën të njëjtën gjë. Ajo thotë: «Mundohem të mbaj mend çdo gjë të re që më sjell e sotmja dhe që ndryshon nga ditët e tjera, e pastaj lutem për ato gjëra. Kjo nuk më lë të përsërit të njëjtat fjalë.» *

Pengesa: DYSHIMI.

«Një herë, kur u luta për një problem në shkollë, ai nuk u zgjidh. Në fakt dolën edhe probleme të tjera. Mendova: ‘E pse të lutem? Jehovai gjithsesi nuk më dëgjon.’»​—Minorja, 15 vjeçe, Japoni.

Çelësi: «Bashkë me tundimin [Perëndia Jehova] do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»​—1 Korintasve 10:13.

Sugjerim: Një gjë është e sigurt: Jehovai është ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psalmi 65:2) Pra, pasi lutesh për diçka, përpiqu ta shohësh çështjen më gjerë. Në vend që të presësh përgjigjen që dëshiron, përpiqu të dallosh ndonjë përgjigje që tashmë ke marrë. Fakti që po qëndron besnik si i krishterë do të thotë se ka shumë të ngjarë që Jehovai i është përgjigjur lutjes tënde, jo duke hequr problemin, por duke të dhënë fuqi ta durosh.​—Filipianëve 4:13.

Pengesa: TURPI.

«Kur mendoj se ç’do të thonë shokët e shkollës po të më shohin që lutem para drekës, më vjen turp.»​—Hikaru, 17 vjeç, Japoni.

Çelësi: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.»​—Eklisiastiu 3:1.

Sugjerim: Edhe pse ndonjëherë njerëzve u pëlqen kur të shohin që lutesh, s’është e nevojshme që të gjithë të të shohin se po lutesh. Për shembull, lutja e shkurtër që bëri Nehemia besnik para mbretit Artakserks me sa duket u bë në heshtje dhe asgjë nuk tregon se mbreti e kuptoi që Nehemia po lutej. (Nehemia 2:1-5) Edhe ti mund t’i lutesh në heshtje Jehovait, pa tërhequr vëmendjen e të tjerëve.​—Filipianëve 4:5.

Pengesa: NDJENJAT E PAVLEFSHMËRISË.

«Jehovai i di problemet që kam. E kur mua më kanë ardhur në majë të hundës, them se edhe ai duhet të jetë lodhur me to. Ndonjëherë thjesht nuk ndihem e denjë të flas me të.»​—Elizabeta, 20 vjeçe, Irlandë.

Çelësi: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse [Perëndia] interesohet për ju.»​—1 Pjetrit 5:7.

Sugjerim: Si projekt për studimin personal, bëj kërkime dhe medito për shkrimet e mëposhtme: Luka 12:6, 7; Gjoni 6:44; Hebrenjve 4:16; 6:10; 2 Pjetrit 3:9. Këto vargje do të të ndihmojnë të kuptosh se Jehovai dëshiron të të dëgjojë dhe nuk është e thënë se duhet të spikatësh si një i krishterë i jashtëzakonshëm që ai të të kushtojë vëmendje. Psalmisti David që kishte përjetuar ankthe dhe vuajtje në jetë, tha me bindje: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» *​—Psalmi 34:18.

Fakti që Jehovai i dëgjon vetë lutjet e tua, tregon se interesohet për ty. Nikola 17-vjeçare nga Italia thotë: «Jehovai nuk ua ka lënë engjëjve të dëgjojnë lutjet tona. Është e qartë se meqë ai i dëgjon personalisht lutjet tona, ato janë të rëndësishme për të.»

^ par. 4 Ngaqë aftësia e Krijuesit për të dëgjuar nuk varet nga valët e zërit, ai «dëgjon» edhe lutjet pa zë që i themi në zemër.​—Psalmi 19:14.

^ par. 32 Nëse mendon se lutjet e tua nuk dëgjohen për shkak të ndonjë mëkati serioz që ke bërë, fol patjetër me prindërit. Gjithashtu, ‘thërrit pleqtë e kongregacionit’ për ndihmë. (Jakovi 5:14) Pleqtë mund të të ndihmojnë të rregullosh marrëdhënien me Perëndinë.

PËR TË MENDUAR

  • Për cilat gjëra të rëndësishme për Jehovain mund të lutesh?

  • Për cilat çështje që u përkasin të tjerëve mund t’i lutesh Jehovait?